Europa Postuar më 16 Gusht 2022, 11:44

Sponsorët, miliona euro për ekipet e Serie A - Juventus, në krye me të ardhura vjetore 97 milionë euro. Diferencë e madhe me të tjerët

Nga SCAN TV
Sponsorët, miliona euro për ekipet e Serie A - Juventus, në krye

Klubet kryesore të kampionatit italian të futbollit janë një vitrinë e lakmuar nga sponsorët. Për të reklamuar emrin e tyre në fanella, kompanitë tregtare dhe ato të veshjeve financojnë shifra marramendëse.

Në Serinë A, Juventus arkëton rreth 100 milionë euro në vit nga sponsori kryesor dhe partneri teknik. Marrëveshjet aktuale me Jeep dhe Adidas, vlerësohen respektivisht 46 milionë dhe 51 milionë euro. Milan, kampionja në fuqi e Italisë, përfiton rreth 30 milionë euro nga sponsori teknik Puma dhe një shumë rreth 15 milionë euro nga sponsori kryesor Emirates.

Interi para pak kohësh rinovoi marrëveshjen me Nike, që do t’i sigurojë rreth 25 milionë euro në një sezon. Ndërkohë, që nuk po zhbllokohet ngërçi me sponsorin kryesor DigitalBits. Platforma teknologjike që prek këtij sezoni ka zëvendësuar Socios.com, ende nuk ka derdhur këstin përkatës të financimit, pasi u përball me një humbje prej 90% të vlerës së kriptovalutës referuese Xdb. Kontrata parashikonte një financim total prej 85 milionë euro deri në sezonin 2024/25. Për momentin Inter ka hequr nga faqja zyrtare dhe nga fanellat e ekpieve të të rinjve dhe të femrave logon e DigitalBits.

Nuk ka patur problem të pagesave ekipi i Romës, që ashtu si edhe Inter kanë të njëjtin sponsor kryesor. Në rastin e verdhekuqve, DigitalBits paguan një shumë më të ulët, rreth 12 milionë euro në vit. Nga partneri teknik, New Balance, Roma përfiton të ardhura vjetore ndërmjet 3 dhe 4 milionë euro neto, të cilave u shtohen edhe 30% të të ardhurave nga shitjet.

Ndër fanellat që sigurojnë më shumë të ardhura është edhe ajo e Fiorentinës, që nga sponsorizimi I pronarit Mediacom siguron 25 milionë euro në vit, ndërsa nga sponsori teknik Kappa ndërmjet 4 dhe 5 milionë euro. Napoli, një skuadër që prodhon në mënyrë autonome uniformat falë një marrëveshje me Emporio Armani 7 (EA7), përfiton rreth 9 milionë euro nga bashkimi i kompanive Msc dhe Lete.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat