Shqipëria Postuar më 27 Korrik 2024, 12:00

Situata me zjarret nxit qytetarët të sigurojnë pronën - AMF: Kontratat e sigurimit u rritën me 2.96% në gjysmën e parë të vitit

Nga SCAN TV
Situata me zjarret nxit qytetarët të sigurojnë pronën - AMF:

Ledina Elezi/SCAN

 

Një numër i lartë i qytetarësh kanë zgjedhur të sigurojnë pronën e tyre nga zjarri në 6 muajt e parë të këtij viti, duke zgjeruar kështu tregun e sigurimeve vullnetare. Situatat e kohëve të fundit me zjarret kanë nxitur shumë persona që t'i drejtohen kompanive të sigurimit, me qëllim që të përfitojnë një dëmshpërblim në rast të dëmtimit të pronës së tyre nga ky fenomen.

Referuar të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar - qershor 2024 siguruan mbi 2,3 miliardë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 73.91%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 18.11% të totalit.

Ndërkohë, për portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, në gjashtëmujorin e parë të 2024-ës vihet re një rritje me 2.96% e numrit të kontratave të sigurimit dhe një rritje prej 1.30% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me periudhën janar - qershor 2023.

Temperaturat e larta kanë aktivizuar shumë vatra zjarri në vend, por nuk mungojnë edhe rastet e zjarrëvënies së qëllimshme. Së fundmi, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ngriti shqetësimin për dëmet që po sjellin vatrat e shumta të zjarrit dhe kërkoi reflektim nga komunitetet. Sipas raportimeve zyrtare nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, gjatë orëve të fundit janë aktivizuar gjithsej 23 vatra zjarri, të cilat kanë shkaktuar dëme në pyje, kullota, ullinj dhe pemëtaritë e mbjella nga bujqit dhe fermerët.

Gjithashtu, shumë prej vatrave kanë qenë afër zonave të banimit duke rrezikuar kështu shtëpitë e disa prej banorëve. Në këto kushte, sigurimi nga zjarri shihet shpeshherë si domosdoshmëri për mbulimin e shpenzimeve nga dëmet e shkaktuara.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat