Shqipëria Postuar më 20 Gusht 2024, 11:17

Si u “kthye” në buxhet shtesa e pagave në administratë? - Rriten të ardhurat nga kontributet dhe tatimi mbi pagat

Nga SCAN TV
Si u “kthye” në buxhet shtesa e pagave në

Elisabeta Dosku/ SCAN

 

Rritja e pagave për një sërë kategorish punonjësish në sektorin publik i është kthyer disi mbrapsht buxhetit të shtetin në formën e të ardhurave që vjel nga tatimi mbi pagat, por edhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga kontributet e sigurimeve shoqërore në 7 mujor janë arkëtuar 92 miliardë lekë, e përkthyer në rreth  9.6 miliardë lek ose rreth 11.6% më shumë se 7-mujori 2023.

Nga ana tjetër, nëse do të shikojmë rritjen progresive të të ardhurave nga kontributet përgjatë këtij vitit, vihet re se nëse kapërcimi nga një muaj në tjetrin ka qenë mesatarisht 12.3 miliardë lekë, në muajin Korrik 2024, krahasuar me Qershorin 20024, rritja është 14.2 miliardë lekë. Janë afro 1.9  miliardë lekë më shumë të mbledhura, gjë që ka ardhur si efekt i rritjes së pagave në administratë dhe si rrjedhojë masës më të lartë të kontributeve që paguajnë punonjësit.

Reforma ka ndikuar edhe në zërin e tatimit mbi të ardhurat personale, duke sjellë një rritje, për shkak se kapërcimi i një niveli të caktuar page futet në një fashë tjetër taksimi. Konkretisht tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 38.1 miliardë lekë, me një rritje prej 5.1 miliardë lekë ose 15.3% më shumë se 7-mujori 2023, si dhe 732 milionë lek ose 2% më shumë se plani i 7-mujorit 2024.

Edhe në këtë zë, nëse rritja mesatare përgjatë vitit nga muaji në muaj rezulton 5.3 miliardë lekë, në Korrik, të ardhurat janë rritur me 5.9 miliardë lekë në raport me muajin Qershor.

Më 1 korrik hyri në fuqi rritja e pagave për mbi 83 mijë punonjës të administratës. Shtesë përfituan punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar; Punonjësit e sistemit shëndetësor; Punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit; Policia e Shtetit; Policia e Burgjeve; Garda e Republikës; Forcat e Armatosura; Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore, duke bërë që paga mesatare në shtet të arrijë në nivelin e 105 mijë lekë në muaj.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat