Shqipëria Postuar më 15 Tetor 2024, 11:06

Shqipëria, tashmë më pranë BE - Çelen negociatat për grup-kapitullin e parë

Nga SCAN TV
Shqipëria, tashmë më pranë BE - Çelen negociatat

 

Shqipëria ka çelur sot në Luksemburg negociatat me Bashkimin Europian për grup-kapitullin e parë.

Gjatë një konference për mediat me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, kryeministri Edi Rama e konsideroi ditë historike gur themel historik në rrugëtimin e përbashkët. Sipas tij, çdo sukses i Shqipërisë në procesin e BE-së duhet të shihet si hap përpara për të gjithë rajonin.

Kryeministri shqiptar theksoi edhe një herë se më shumë se kurrë BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, ashtu si Ballkani ka nevojë për BE. “Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme" tha Rama.

 

 

Luksemburg, Konferencë e Përbashkët për Shtyp e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, si dhe Komisionerit të BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi 

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Luksemburg në krye të delegacionit shqiptar për të marrë pjesë në Konferencën e dytë Ndërqeveritare me BE, që çel grupkapitullin “Themeloret” në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, doli në një konferencë të përbashkët për mediat me Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi

* * *

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Szijjártó:  Mirëmëngjesi të gjithëve ju! Momentet që kemi përjetuar gjatë kësaj një orë e gjysmë të fundit kane qenë historike, sigurisht duke pasur parasysh faktin se kemi çelur grupin e parë të kapitujve me  Shqipërinë, që do të thotë, duke folur në mënyrë substanciale, bisedimet e anëtarësimit kanë nisur për t’u siguruar që Shqipëria të bëhet anëtare e BE sa më shpejt të jetë e mundur.

Çështja e përshpejtimit të zgjerimit të BE drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor ka qenë në krye të rendit të ditës së presidencës hungareze. E kuptojmë që BE po humbet konkurrueshmëri, po humbet peshën e tij kur vjen fjala për politiken globale dhe ekonominë botërore. Kësisoj kuptojmë që BE ka nevojë për freski, për energji të re, për një stimul të ri. Duke qene fqinj të drejtpërdrejtë me rajonin perëndimor, duke njohur mirë rajonin, e dimë që kjo freski, kjo energji e re për të cilën kemi nevojë do të vijë absolutisht nga hapësira e Ballkanit Perëndimor. Për rrjedhojë është në interesin e mirëfilltë europian që zgjerimi i  BE  drejt Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet.

Nga ana tjetër, na duhet të ndërmarrim hapa urgjente për të ruajtur besueshmërinë e politikës së zgjerimit. E konsiderojmë politikën e zgjerimit si një prej më të rëndësishmëve të BE dhe na duhet të kuptojmë që kjo politikë ka humbur besueshmëri gjatë kohëve të fundit, duke parasysh faktin se koha mesatare e pritjes së vendeve kandidatë në Ballkanin perëndimor ka tejkaluar tashmë 15 vjet.

Kjo është thjeshtë e papërshtatshme. Na duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani.

Nga ana tjetër, shumica e shteteve anëtare zakonisht shprehen se zgjerimi duhet të jetë një proces mbështetur në merita. “Mbështetur në merita”, - këtë dëgjojmë si shprehje shume shpesh dhe meritat janë qartësisht nëqoftëse do të shihnim arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, qofshin në ekonomi, në politikë, në çështje sociale është e dukshme që meritat janë të pranishme. Ne hungarezët mund të mbështetemi tek përvoja jonë dypalëshe, shpresoj të mos jetë e ndaluar këtu.

Investuesit hungarezë luajnë rol të rëndësishëm për modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe të gjithë ata priren të raportojnë që rrethana dhe mjedisi që përjetojnë në Shqipëri janë absolutisht të kënaqshme, absolutisht të bazuara në treg dhe në konkurrencë.

Nga ana tjetër, kur vjen fjala për fusha të tjera, është e qartë që Shqipëria ka ecur shumë mirë, kur vjen fjala për kushtet që ka vendosur BE që të ketë mundësi të çelë kapitujt e negociatave.

Për rrjedhojë është një nder dhe privilegj i madh për ne që nisja e negociatave të vërteta thelbësore me Shqipërinë për anëtarësim nisën gjatë presidencës hungareze. Madje mund të them që ky po shndërrohet në zakon, nga ana jonë sepse 14 vjet e gjysmë më parë, ishim po në këtë pozicion dhe ishte hera e fundit kur përgatitjet e një vendi kandidat përfunduan, në atë kohë ishte Kroacia.

Dhe shpresoj që duke i dhënë fjalën kryeministrit për komentet përmbyllëse, shpresoj që të mos presim deri në presidencën tjetër hungareze për të patur një anëtarësim tjetër.

Duke folur në mënyrë më burokratike, sot folëm për grup kapitujt e ashtuquajtur “Themelorët”. Janë 6 grup kapituj, të cilët duhet të negociohen tej e tej.

E dimë sepse nuk ka kaluar shumë kohë që kur jemi bërë anëtarë të BE, e dimë që procesi i bisedimeve, procesi përgatitor është vërtetë i vështirë, kompleks, i fortë dhe e dimë që përvoja ka rëndësi këtu, kështu që kur kryeministri na nderoi me vizitën e tij të premten e kaluar në Budapest, ramë dakord që Akademia diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Hungari do të ofrojë trajnim për 50 pjesëtarë të administratës publike shqiptare, në mënyrë që ata të mund të kontribuojnë në procedurat e anëtarësimit dhe përgatitjet në përgjithësi.

E fundit në radhë, por jo nga rëndësia, më duhet të them që ne jemi të vendosur drejtpërdrejtë si fqinj të Ballkanit perëndimor dhe zhvillojmë një politikë mjaft të përgjegjshme të fqinjësisë sepse dimë sesi ndihesh në fqinjësi kur ka paqe, qetësi, zhvillim dhe stabilitet në zonën e Ballkanit perëndimor dhe kur përjeton mungesën e  gjithë kësaj. Ne e dimë që procesi i integrimit mund të ndihmojë për ta bërë Ballkanin perëndimor më të zhvilluar, me më stabilitet dhe më të sigurte. Për rrjedhojë Hungaria është e përkushtuar të shoqërojë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE. Ne do të bëjmë më të mirën në këtë drejtim.

Do doja të falënderoja kryeministrin që nuk humbi durimin gjatë muajve dhe viteve të fundit për të vazhduar dedikimin e përkushtimin e tij dhe mund t’ju premtoj që do të përgjigjemi reciprokisht këtij dedikimi dhe këtij durimi.

Nga ana tjetër, dua të njoh meritat e Komisionerit për zgjerimin, jo për shkak të shtetësisë së tij, por për atë çka ka bërë gjatë 5 vitet e fundit. Mendoj që për punën  e tij flet më shumë letra e nënshkruar nga 4 udhëheqës të BE, përfshirë Kryeministrin, dërguar presidentes se Komisionit ku theksoheshin arritjet që ishin përftuar gjatë mandatit të Komisionerit. Të dy, faleminderit kryeministër, faleminderit komisioner që më nderuat për të qenë pjesë e këtij momenti historik.

Faleminderit! 

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjesi edhe një herë të gjithëve! Jam vërtetë i lumtur që gjendem këtu me ministrin Szijjártó, ne cilësinë e tij si kryesues i mbledhjes së dytë të konferencës ndërqeveritare me Shqipërinë dhe me komisinerin Várhelyi, në vijim të një seance emocionale do të thoja dhe të suksesshme të konferencës që e sjell Shqipërinë që ndihesh mjaft mirë dhe mjaft i sigurte.

Kështu që, faleminderit presidencës hungareze që ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në këtë proces, duke nxitur përpara dhe gjithashtu faleminderit Komisionerit Várhelyi dhe ekipit të tij që na ka ndihmuar e na ka mbështetur përgjatë gjithë rrugës për 5 vite të gjata sfiduese dhe jo fort të lehta për ta thënë butë dhe faleminderit gjithë shteteve anëtare, falë tyre qëndroj këtu përpara këtij hapi mjaft domethënës, drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe është me të drejtë një ditë historike, me domethënie historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, por në këndvështrimin tim dhe për BE. Nuk na duhet, së paku shpresoj jo, një kujtesë e rëndësisë për të qëndruar e për të punuar së bashku të lidhur nga parime dhe vlera që përkufizon BE. 

Kjo është veçanërisht e vërtetë në këto kohëra sfiduese kur një mori krizash na janë qasur me nevojën për t’u bërë më pranë e për të qëndruar të gjithë së bashku dhe nevojën e mirëfilltë për t’u përballur me veten dhe për të kuptuar mënyrën për të ecur përpara.

Për fat të keq dhe këtë nuk e shmang dot pa e thënë, kjo ishte me ndihmën e Vladimir Vladimirovich Putin që ky proces mori një shpejtësi të re pas agresionit të tij në Ukrainë që shërbeu si një zile zgjimi që i kujtoi Europës se iluzioni i vetëmjaftueshmërisë është vetëm kaq, një iluzion dhe të qartësojë në mënyrën më të vështirë se keni nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në.

Kështu çelja e grup kapitullit themelor sot me 5 kapitujt kryesor plus tri kriteret përbën një arritje të madhe dhe besoj për të dy palët, qoftë për Shqipërinë, ashtu edhe BE-në dhe shënjon një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian.

Dje isha në Berlin për procesin e Berlinit dhe një gazetar më pyeti nëse Shqipëria ka një plan B, në rast se BE-ja edhe njëherë vonon apo ndërlikon procesin, ashtu siç sinqerisht ka bërë në të shkuarën. Dhe po, për fat të keq është e vërtet që herë – herë, BE-ja mund të jetë e padrejtë dhe është treguar e padrejtë ndaj vendeve kandidate, u tregua e padrejtë ndaj nesh ku hodhi poshtë vet rekomandimet e Komisionit të vet mbështetur në fakte e në atë çfarë e bën Komisionin Europian raport hartuesin më të besueshëm për të nisur bisedimet me Shqipërinë më shumë se njëherë.

Megjithatë, ne shqiptarët nuk mund të kemi një plan B kur vjen fjala për liri individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale. Historia na ka mësuar në mënyrë më të vështirë se kjo nuk të gjendet, madje të garantohet jashtë sferës së BE-së. Këto janë A, B dhe C e mënyrës së jetës europiane.

Zgjedhja e një alternative ndaj anëtarësimit të plotë në BE, do të ishte të hiqje dorë nga mënyra e jetesës  që më së fundmi zgjodhëm, pasi duruam epoka errësire nën perandori e regjime që na u imponuan. Për ne nuk është një retorikë pro europiane është çështje jete a vdekje, për ëndrrën tonë që t’u lemë brezave të ardhshme një vend ku liria individuale është e padiskutueshme, ku sundimi i ligjit respektohet e ku demokracia funksion për gjithsekënd. Alternativat ndaj kësaj ëndrre janë vetëm makthe të llojeve të tjera. Gjendemi këtu sot sepse Shqipëria ka përmbushur në mënyrë absolute të gjitha parakushtet për të nisur këtë fazë të anëtarësimit dhe mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj për të përmbushur të gjitha detyrimet e ardhshme. Do ta bëjmë këtë së bashku me partneret tanë përmes negociatave me angazhime të qarta e përmes punës së madhe.

E bëjmë me përpjekje të ripërtërira për të forcuar arritjet e bëra në reformën në drejtësi, duke nxitur një sistem gjyqësor sa më transparent, më llogaridhënës dhe iu thashë edhe sot atë që iu kam thënë shteteve anëtare që  për herë të parë në historinë tonë, qysh prej kur Shqipëria u bë shtet sovran në 1912 po shohim hetime të profilit të lartë dhe figura politike që akuzohen apo dënohen përpara një gjykate të pavarur, pavarësisht lidhjeve të tyre me partinë në pushtet apo me të tjerë.

Do ta bëjmë këtë edhe duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në çdo nivel për të garantuar sigurimin e qytetarëve tanë e për të merituar vendin tonë në tryezën e BE-së.

Institucionet tona të reja të drejtësisë të lindura nga reforma më tërësore themelore në drejtësi që është ndërmarrë nga një vend kandidat përpara së të hyjë në BE, po shënojnë përparime domethënëse, krah agjencive ligjzbatuese të partnerëve europianë. Ky progres vetëm sa do të thellohet më tej. Do ta bëjmë këtë, duke mbrojtur e ruajtur të drejtat e njeriut, sigurisht në një shoqëri gjithëpërfshirëse që nderon diversitetin dhe ruan të drejtat e grupeve të pakicave, duke siguruar përputhshmërinë me standardet europiane ndërkombëtare të drejtave të njeriut.

Ne kemi zbatuar tashmë një kuadër mjaft progresiv ligjor, bazuar në standardet e Këshillit të Europës, duke shërbyer si një shembull i shndritshëm për shumë të tjerë, përshi edhe vende brenda Bashkimit Europian kur vjen fjala për angazhimin për një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku të gjitha pakicat janë të barabarta dhe të mbrojtura njësoj dhe vullneti ynë për të jetuar në frymë e në letër këtë legjislacion do të plotësohet së shpejti me aktet nënligjore.

Do ta bëjmë këtë, duke forcuar funksionalitetin e integritetin e kuadrit tonë demokratik me administratë publike që udhëhiqet nga parimet e efikasitetit, transparencës dhe meritokracisë mbi punën e shkëlqyer të një ekipi të madh negociatorësh kombëtarë gjatë fazës sfiduese të kontrollit të legjislacionit me BE-në dhe do ta forcojmë këtë administratë publike në shërbim të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë në Bashkimin Europian dhe ky është momenti për të falënderuar shumë kryeministrin Orban dhe qeverinë e tij, që na kanë treguar qysh prej ditës së parë e kanë theksuar kur unë vajta në Budapest vullnetin për të ndihmuar, për përcjelljen e dijeve që Hungaria ka përftuar gjatë procesit të vet të afrimit dhe më pas të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kësisoj jam shumë mirënjohës miku im i dashur Peter dhe për këtë angazhim të fundit të akademisë suaj të shkëlqyer të Ministrisë së Jashtme për t’u vënë në shërbim të rritjes së aftësive dhe të nivelit të kapaciteteve tona negociuese. 

Nuk dua të marr më shumë kohë.

Më lini ta përmbyll duke shprehur bindjen që çdo sukses që Shqipëria arrin në procesin e integrimit në BE duhet të shihet po kështu si një hap tjetër përpara për të gjithë rajonin.

Edhe njëherë më shumë se kurrë BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në, duke treguar rrugën drejt BE-së, duke qëndruar fort vlerave e parimeve të tij është një shprehje mjaft e gjallë e këtij angazhimi. E vendet tona mund të kenë mjaft dallime në  faza të ndryshme të këtij procesi, por një gjë është e njëjtë kudo. Dëshira për të qenë pjesë e këtij bashkimi që është projekti më i suksesshëm i paqes dhe zhvillimit që ka krijuar njerëzimi. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme, nuk ka vend tjetër e nuk ka rrugë tjetër pos së ardhmes sonë në BE, vendit tonë brenda BE-së dhe rrugës së BE-së. Faleminderit!

 

Sondazh

Poll
Shqipëria 15 Tetor

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

  Dollari amerikan është blerë sot me 90.2 lekë dhe është shitur me 91.2 lekë. Euro blihet sot me 98.5 lekë dhe shitet me 99.1 lekë. Franga zvicerane......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat