Shqipëria Postuar më 4 Tetor 2024, 17:48

Sa e realizueshme është ambicia e Shqipërisë për t'u kthyer në një superfuqi energjetike? Analiza e DATAROOM

Nga SCAN TV
*Nga Kreshnik KUÇAJ Shqipëria ka shpalosur ambicien e saj që, brenda pak vitesh, të shndërrohet në një vend eksportues të energjisë. Vitet e fundit, vendi kanë parë realizimin apo projektimin e një serie planesh të rëndësishme në këtë sektor, duke përfshirë parqe të mëdha fotovoltaike, parqe eolike apo edhe nje projekt për ndërtimin e një linje nënujore që do të lidhë Shqipërinë me Italinë. Këto projekte mund të konsiderohen një hap i rëndësishëm drejt rritjes së mëtejshme të kapaciteteve prodhuese të vendit dhe integrimit të tij në tregjet ndërkombëtare të energjisë së pastër. Por sa e realizueshme është kjo ambicie? A ka Shqipëria potencialin dhe kapacitetet për t'u bërë një eksportuese e rëndësishme e energjisë? Për të kuptuar më mirë këtë proces, duhet të analizojmë çdo hap të strategjisë në detaje – nga investimet aktuale në burimet e rinovueshme, deri te potenciali i prodhimit dhe përmbushja e nevojave të brendshme e ndërkombëtare. https://www.youtube.com/watch?v=IL0hrq6OVeg  

Prodhimi i energjisë në Shqipëri është thellësisht i ndikuar nga ndryshimet klimatike, duke e bërë furnizimin energjetik të vendit të ndjeshëm ndaj kushteve atmosferike. Kjo varësi e madhe nga reshjet bën që sasia e energjisë së prodhuar të luhatet ndjeshëm nga viti në vit. Megjithatë, Shqipëria vlerësohet se prodhon mesatarisht midis 7 dhe 9 teravat orë energji elektrike çdo vit

Nëse analizojmë kapacitetet teknike rezulton se në Shqipëri kapaciteti total i fuqisë së instaluar është 2815 MW.

Viti 2024 rezulton se rritje të lartë të kapaciteteve të instaluara si rrjedhojë e projekteve, kryesisht në fushën energjisë diellore.

Por cilat janë projektet e reja të energjisë së rinovueshme, në letër ose në fazë ndërtimi?

Autoritetet shqiptare kanë shpalosur objektivin që deri në 2029-2030 të rrisin prodhimin ne 4 terravat të tjera. Pra, nga mesatarisht 7-9 terravat që është tani, prodhimi vjetor të arrijë në 11-13 terravat. Kjo nënkupton jo vetëm plotësimin e nevojës së konsumit të brendshëm, por edhe mundësinë e tepricave të energjisë që mund të eksportohen jashtë.

Varësia që kanë burimet e energjisë në Shqipëri nga ndryshimet klimatike bëjnë që kapaciteti i prodhimit të mos jetë maksimal. Për Shqipërinë, kapaciteti vjetor i shfrytëzimit mund të llogaritet mesatarisht 40 %. E për të shtuar 4 terravat prodhim energjie, kapacitetet shtesë që do t’i duhen Shqipërisë  janë 1,142 MW shtesë.

Për të përllogaritur se sa do të jetë nevoja e investimeve për të shtuar këto kapacitete prodhuese, duhet analizuar kosto mesatare e investimit për secilin sektor.

Për të arritur kapacitetin e shtuar prodhues në këtë objektiv, Shqipërisë i duhet që mesatarisht të shtojë çdo vit nga 190 MW deri në 2030. Nëse analizojmë ritmet e investimeve në kapaciteteve të reja prodhuese, rezulton se viti 2024 ka rritjen më të lartë.

Pak ditë më parë, autoritetet shqiptare njoftuan projektin e bashkëpunimit mes mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e një kablloje energjetike detare, që krijon në këtë mënyrë një ‘autostradë të re energjetike” për Shqipërinë. Kablloja nënujore Shqipëri-Itali konsiderohet një projekt strategjik që do të përmirësojë kapacitetet energjetike të Shqipërisë dhe mund të kthejë Shqipërinë në një aktor të rëndësishëm të tregut europian të energjisë. Bazuar në projekte të ngjashme, ky projekt mund të kushtojë nga 300-500 milionë euro.

Italia është e angazhuar për tranzicionin drejt energjisë së pastër, në përputhje me direktivat e BE-së për neutralitetin klimatik deri në vitin 2050. Qëllimi është që deri në 2030, 40% e energjisë së konsumuar të vijë nga burime të rinovueshme. Kjo nënkupton se Italia do ketë nevojë të madhe për energji të pastër, në mënyrë që të përmbushë këtë detyrimet.Në kontekstin e tranzicionit drejt energjisë së pastër, vendet e Ballkanit që përdorin kryesisht qymyr do të përballen me sfida të mëdha për të reduktuar emetimet dhe për të përmbushur kërkesat e BE-së. Direktiva e BE-së që kërkon që edhe importet të vijnë nga burime të rinovueshme do të rrisë kërkesën për energji të pastër në rajon. Kjo krijon një mundësi unike për Shqipërinë që, falë kapacitetit të saj për të prodhuar 100% energji të pastër, të marrë një rol kryesor si furnizues rajonal i energjisë së rinovueshme.

Me ndërtimin e projekteve të reja, si kablloja nënujore me Italinë, Shqipëria mund të forcojë kapacitetet e saj për eksport dhe të luajë një rol udhëheqës në sektorin e energjisë së pastër në Ballkan. Ky potencial i vendit për të eksportuar energji të pastër e pozicionon Shqipërinë si një furnitor strategjik për vendet që kërkojnë të plotësojnë objektivat e BE-së për dekarbonizim.

Emisioni "DATAROOM" në SCAN TV Vizualizimi grafik: Rigers Rami  https://scantv.al/projekti-i-kabllos-energjetike-nenujore-shqiperi-itali-artan-gjergji-si-mund-ta-transformoje-tregun-energjetik-shqiptar/

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat