Bota Postuar më 12 Maj 2023, 10:56

Rritje marramendëse e çmimit të biletave të avionit - Paralelisht rritet kërkesa për udhëtime ndërkombëtare

Nga SCAN TV
Rritje marramendëse e çmimit të biletave të avionit -

Çmimet e fluturimeve po shënojnë rekorde të reja, shumë mbi nivelet e inflacionit, pasi linjat ajrore përpiqen të përfitojnë nga rigjallërimi i kërkesës për udhëtime pas kohës së vështirë të pandemisë.

Të dhënat nga firma e specializuar analitike Cirium tregojnë se çmimi mesatar për biletat e linjave ajrore në më shumë se 600 nga linjat më të njohura ndërkombëtare u rrit me 27.4% nga viti në vit në shkurt, që është dhe muaji i fundit për të cilin ka të dhëna. Kjo rritje shënoi të 15-in muaj radhazi me rritje dyshifrore. Kjo është një rritje në më shumë se dyfishi i niveleve të inflacionit në ekonomitë kryesore si SHBA dhe Europë.

Në mënyrë indikative, çmimi mesatar i klasit ekonomik për një fluturim transatlantik nga Londra në Nju Jork në shkurt u zhvendos në 434 dollarë, duke paraqitur kështu një rritje prej 23% krahasuar me muajin korrespondues të 2019-ës, pra para pandemisë.

Çmimi mesatar përkatës për fluturimet nga Nju Jorku në Singapor u rrit me 45% dhe nga Dubai në Frankfurt me 51%.

Një pjesë e konsiderueshme e rritjes së çmimeve i atribuohet, forcimit të çmimeve të karburanteve, pavarësisht se çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm këtë vit dhe inflacionit të kostove të funksionimit për shkak të rritjes së pagave. Dhe veçanërisht për linjat ajrore amerikane, dollari i fortë është një faktor shtesë rëndues.

Gjithashtu, disa kompani po i rikthejnë dalëngadalë të gjitha linjat e tyre në funksion të plotë, kryesisht për shkak të mungesës së stafit, me rezultatin që kërkesa tejkalon ofertën. Por, është e qartë se shumica e kompanive thjesht po përpiqen të rikuperohen nga dëmi i pandemisë duke kontribuar kështu në të ashtuquajturin fenomen në rritje të "lakmisë".

Sipas të dhënave të IATA-s, industria ishte një nga humbësit më të mëdhenj të pandemisë me humbje të akumuluara që arrinin në 200 miliardë dollarë. Në fakt gatishmëria e konsumatorëve për të udhëtuar, edhe me këto çmime, konfirmon rikuperimin dinamik të kërkesës për udhëtime në vitin e fundit. Një fakt sigurisht që reflektohet në rikuperimin përkatës të performancës financiare të kompanive të sektorit.

Që në vitin 2022, fitimet e 10 linjave ajrore më të mira në mbarë botën pritet të rriten në 6.3 miliardë dollarë, pas humbjeve prej 40 miliardë dollarësh në dy vitet e mëparshme, sipas të dhënave të FactSet. Kjo pasqyrë ka vazhduar edhe në tremujorin e parë, me perspektivë pozitive edhe për muajt në vijim, veçanërisht për periudhën kritike të verës.

American Airlines raportoi një rritje rekord prej 37% të të ardhurave me një fitim prej 10 milionë dollarësh, pasi shënoi një humbje prej 1.64 miliardë dollarësh në tremujorin e parë të 2022. Lufthansa gjermane shpalli tremujorin e parë fitimprurës në tre vjet në 791 milionë euro. Në fakt, kompania ka rishikuar lart vlerësimet e saj për të gjithë vitin dhe veçanërisht për sezonin e verës, pavarësisht se ka pranuar se do të luftojë për të përmbushur kërkesën e fortë!

IAG, mëmë e British Airëays, raportoi një fitim prej 7.9 milion paund, më i larti që nga viti 2019, ndërsa rishikoi lart parashikimin e tij për vitin e plotë. E njëjta gjë me Air France-KLM e cila deklaroi se i ka shlyer shtetit francez të gjitha ndihmat financiare që kishte marrë gjatë pandemisë dhe u deklarua optimiste për një verë shpërthyese komerciale me mbi 95% kapacitet.

Dorina Kurtaj / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat