Shqipëria Postuar më 6 Qershor 2024, 11:54

Regjistër i ri Kombëtar i Gjendjes Civile - Tenderi, 380 mln lekë për më tepër shërbime në portalin e-Albania

Nga SCAN TV
Regjistër i ri Kombëtar i Gjendjes Civile - Tenderi, 380 mln lekë

Sapo është hapur tenderi për përmirësimin e Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe infrastrukturës së tij fizike. Ky investim do të ketë një fond limit prej 380 milionë lekësh, ndërsa do të duhen 3 vite për zbatimin e plotë të kontratës.

Projekti synon modulimin e funksioneve kryesore të sistemit të regjistrit kombëtar dhe përmirësimin e infrastrukturës hardware, me qëllim garantimin e sigurisë së sistemit. Gjithashtu, më tepër dokumente që ofrohen nga shërbimi civil për qytetarët, pritet që të shtohen në portalin e-Albania. Kështu do të ketë një automatizim të mëtejshëm të shërbimeve elektronike të gjendjes civile që ofrohen nëpërmjet e-Albania.

Aktualisht, Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile (RKGJC) nuk mundet të sigurojë mbarëvajtjen e një numri të madh procesesh pune, jo vetëm për shërbimin e Gjendjes Civile, por për shumë partnerë të tjerë shtetërorë apo privatë, të cilët konsumojnë informacionin që mbahet dhe shërbehet nga ky regjistër.

Për shkak të infrastrukturës dhe bazës së vjetëruar të programeve kompjuterike, sistemi i regjistrit ka shfaqur probleme me disponueshmërinë dhe performancën e shërbimit që ky sistem elektronik duhet të ofrojë, ndërsa infrastruktura e vjetëruar hardëare e bën edhe më të kushtueshme mirëmbajtjen e tij si shërbim.

Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile është dokumenti shtetëror unik, ku pasqyrohen të dhënat personale të çdo shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj dhe çdo personi pa shtetësi, me banim të përkohshëm ose të përhershëm në Shqipëri. Sulmet kibernetike ndaj platformave kryesore shtetërore, po shoqërohen gjithnjë e më tepër me një shtim të investimeve për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat