Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2024, 13:08

Pogradeci, aty ku natyra “mposht” të nxehtin - Liqenet e Lukovës në Mokër, atraksion për sportet e aventurës

Nga SCAN TV
Pogradeci, aty ku natyra “mposht” të nxehtin - Liqenet e

Pogradeci edhe këtë sezon turistik mbetet destinacion i kërkuar nga turistët vendas e të huaj për bukuritë që ofron, se bashku me fshatrat turistik të Linit e Tushemishtit si dhe trashëgiminë e pasur në zonën e Mokrës. Liqenet e Lukovës janë një atraksion i preferuar për sportet e aventurës, sidomos gjatë fundjavave. Të shumtë janë vizitorë nga Fieri, Korça, Tirana, por dhe qytete të tjera, të cilët kryejnë ecjes në natyrë dhe sporte të tjera, e ku nuk mungojnë as piktorët që mahniten nga peizazhet që të ofron kjo zonë.

"Bëj shpesh udhëtime të tilla, më pëlqen natyra. Është hera ime e parë këtu për hiking dhe impresionet janë të mëdha, uji, burimet dhe bimësia e në fund liqenet janë fantastike"- thotë një vajzë nga Fieri.

"Sot kam pikturuar liqenin e Lukovës. Kapa një pamje të bukur, u mundova ta pikturoj siç e ndjeva. Njihet si një nga zonat më të bukura të Shqipërisë"-thotë një piktor

"Ka filluar diçka më rrugën me çfarë kuptova, do ishte mire qe rruga të arrinte deri në Bishnice, duket si në Zvicër, infrastruktura dhe e para duhet të fillojnë. Ushqime tradicionale të zonës e asgjë tjetër"- shton një tjetër visitor.

Gani Bego është një nga më të apasionuarit pas turizmit malor. Se bashku me një grup banorësh të zonës dhe mbështetjen Ministrisë së Turizmit dhe GIZ, kanë nisur shenjimin e shtegut nga Bishnica në Liqenet e Lukovës për të lehtesuar lëvizjet e turistëve.

"Është një shteg rreth 8 km të gjatë. Shënuam me shenja horizontale sipas Ministrisë së Turizmit, grupet turistike i ndjekin pa praninë e një guide lokale. Kryesisht pjesa më e madhe e turistëve janë vendas, vijnë dhe në stinën e dimrit, nuk mungojnë as turistët e huaj, amerikane, franceze, nga gjithë vendet e botës ka interes për t'i vizituar liqenet e Lukovës "- thotë Bego.

Për të lehtësuar lëvizjet e turistëve në zonat e trashëgimisë së kulturës përfshi edhe varret monumentale të Selcës, Urën e Golikut por dhe fshatra të njohur të krahinës se Mokrës, Ledjan Zeqollari, drejtor i Turizmit Bashkia e Pogradecit thotë se në bashkëpunim me të apasionuarit pas sporteve të aventurës, po vijohet me shënjimin e të gjitha shtigjeve malorë.

Pogradeci ka çelur zyrtarisht sezonin turistik në fundjavë ku operatorët turistikë dhe bizneset kanë ekspozuar punime e gatime tradicionale, ndërkohë që janë zhvilluar aktivitete të shumta.

Alida Lula /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat