Europa Postuar më 23 Shtator 2024, 12:35

Përdorimi i llavës vullkanike në ndërtim - Islanda propozon shndërrimin e substancës në material strukturor

Nga SCAN TV
Përdorimi i llavës vullkanike në ndërtim - Islanda propozon

Kristi Ceta/SCAN

 

Një studio arkitekture në Islandë ka propozuar përdorimin e llavës së vullkanit si material ndërtimi. Arnhildur Pálmadóttir do të prezantojë projektin e saj “Lavaforming” në Bienalen e Arkitekturës së Venecias vitin e ardhshëm. Ekipi i saj, i specializuar në qëndrueshmërinë në ndërtim, po eksploron se si ta kthejë substancën vullkanike në një material strukturor të qëndrueshëm.

Pálmadóttir e sheh procesin si një mënyrë për të kthyer një "kërcënim lokal" në një "burim të vlefshëm". Projekti është një “propozim se si forca brutale e llavës mund të shndërrohet në një burim të vlefshëm, të aftë për të ulur emetimet atmosferike përmes përdorimit në të ardhmen si një material ndërtimi i qëndrueshëm”, shprehet ajo.

Arkitektja vëzhgoi se si vendndodhja e jashtëzakonshme gjeologjike e Islandës në një çarje midis dy pllakave tektonike shkakton aktivitet të shpeshtë sizmik duke përfshirë krijimin e fushave të gjera prej llave.

Përgjatë historisë, aktiviteti vullkanik i ishullit është perceptuar si një shqetësim lokal dhe një kërcënim për komunitetet. Pálmadóttir, e cila është nominuar për Çmimin Mjedisor të Këshillit Nordik 2024 për bashkëpunimin ndërdisiplinor në arkitekturë dhe fokusin e saj në materialet e riciklueshme të ndërtimit, dëshiron të transformojë llavën në "një burim që adreson një emergjencë globale".

"Në historinë tonë, të vendosur në vitin 2150, ne do të kemi shfrytëzuar rrjedhën e llavës, ashtu siç bëmë me energjinë gjeotermike 200 vjet më parë në Islandë," thotë Pálmadóttir.

Sipas arkitektes, "Qëllimi kryesor i “Lavaforming” është të tregojë se arkitektura mund të jetë forca që formëson një të ardhme të re me qëndrueshmëri, inovacion dhe mendim krijues".

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat