Shqipëria Postuar më 7 Dhjetor 2023, 16:11

Pensionet, pedagogia Merita Xhumari: Të ndryshojë formula e llogaritjes, të rriten koeficientët

Nga SCAN TV
Pensionet, pedagogia Merita Xhumari: Të ndryshojë formula e

Nisma e qeverisë për të rritur pagën mesatare në nivelin 900 Euro, është edhe një mënyrë për të rritur të ardhurat e fondit të sigurimeve shoqërore, në kushtet kur skema vijon të jetë deficitare. Në një intervistë dhënë për emisionin “Box to Box”, Prof. Merita Xhumari, pedagoge prej 36 vitesh në Universitetin e Tiranës dhe me një përvojë 10 vjeçare pune në Institutin e Sigurimeve Shoqërore (1995-2006), thotë se rritja e të ardhurave kontributeve nga pagat, do të duhej të ishte shoqëruar edhe me rritjen e pensioneve. Prof. Xhumari u ndal edhe tek domosdoshmëria për reformimin e skemës aktuale bazë, duke ndryshuar formulën e llogaritjes së pensionit, ku pensioni i një personi që ka paguar 15 vite kontribute nuk mund të barazohet me pensionin social, që është një formë e ndihmës sociale nga shteti për personat e moshuar që nuk sigurojnë dot një pension kontributiv. Po ashtu me rëndësi është edhe barazimi i masës së kontributeve për të vetëpunësuarit në bujqësi, që janë favorizuar nga shteti, me të vetëpunësuarit e tjerë, dhe mbi të gjitha llogaritja e tyre mbi të ardhurat reale, jo apriori mbi pagën minimale. Respektimi i Konventës së ILO nr.102/1952 “Mbi standardet minimale të sigurimeve shoqërore”, ratifikuar nga shteti shqiptar që në vitin 2005, ku pensioni kontributiv i pleqërisë duhet të garantojë 40% të pagës.

Znj. Xhumari në këto tre dekada nuk kemi arritur që të ndërtojmë një skemë pensionesh të qëndrueshme dhe të shëndoshë në aspektin financiar. Edhe reforma e ndërmarrë në 2015-n duket se nuk e zgjidhi deficitin buxhetor, apo gropën financiare të shkaktuar në buxhet. Çfarë gjykoni që nuk është marrë në konsideratë, apo nuk është vlerësuar siç duhet?

Po ta shohim mënyrën sesi është organizuar dhe çfarë ka ndodhur me reformimin e sigurimeve shoqërore pas vitit 1990 dhe në vazhdimësi, kuptojmë që thelbi i sistemit “Pay-As-You-Go”, modeli që dominon në të gjithë Evropën sot dhe që u vendos edhe në Shqipëri, apo thembra e Akilit është që të ketë një balancë mes numrit të kontribuesve dhe numrit të përfituesve. Kjo do të siguronte autonomi të institucionit të sigurimeve shoqërore, i konceptuar si një institucion me një buxhet të pavarur nga buxheti i shtetit, sepse financohet nga kontributet.

Pra, thelbi i kësaj paqendrueshmërie financiare është mungesa e të ardhurave kontributive, adekuate, të mjaftueshme për të përballuar kostot e sistemit.

Ju përmendni kontributorët, por aktualisht jemi në situatën kur kemi 1.1 kontribues për 1 pensionist, ç’ka do të thotë se ka një shkallë varësie tepër kritike të sistemit. Gjykoni që është momenti që të rishihet edhe një herë tjetër kjo skemë?

Sigurisht, shkalla e varësisë është një indikator thelbësor i sistemit, që tregon raportin e numrit të pensionistëve me numrin e kontribuuesve, ka mbetur pothuajse e tillë për gati 30 vite. Duke pritur që të rritet numri i kontribuuesve, si rezultat i rritjes së punësimit, fakt ky që nuk ka ndodhur, edhe pse kemi pasur rritje të GDP-së në vite të caktuara, punësimi ka mbetur disi konstant, për shkak të mungesës së hyrjes së forcave të reja të punës ose largimit të forcave aktive drejt shteteve të tjera, në emigrim. Problemi që mbetet sot për të rritur numrin e kontribuesve është lufta ndaj informalitetit, apo puna në të zezë. Kjo lidhet me funksionet e kontrollit social që ky shtet ende i ka të dobëta. Është shumë e rëndësishme që ata të cilët kontribuojnë të mos paguajnë edhe pjesën tjetër të atyre që nuk paguajnë.

Në çdo kohë skema ka nevojë për t’u riparë, për t’u rivlerësuar. Ky është modeli aktual sot në Evropë, në atë Evropë që ne synojmë të shkojmë, dhe duhet thënë se është një model, që ndonëse është instaluar qindra vjet më parë, në Gjermani nga Bismarku në 1890, ka pësuar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të pësojë ndryshime të vazhdueshme.

Thënë kështu, rezultati i tanishëm nuk është surprizë?

Është surprizë për një vend si Shqipëria që kishte një popullsi relativisht të re, aktive, e cila do të mbulonte kostot e pensioneve, pasi pensionistët përbenin vetëm 5% të popullsisë në fillimet e skemës. Por nëse popullsia aktive ka ardhur duke u tkurrur dhe vazhdon të tkurret ende sot me emigrimin e forcave të reja të punës dhe rënien e numrit të lindjeve, numri i pensionistëve po rritet dhe sot shkon deri në 15 apo 16 për qind të popullsisë. Pra, nga pikëpamja demografike, tendencat me rënien e numrit të lindjeve dhe shpërnguljet masive të popullsisë aktive kanë bërë që struktura e popullsisë të bëhet e pafavorshme për të mbështetur nga pikëpamja financiare sistemin Pay-As-You-Go të sigurimeve shoqërore.

Prej disa javësh Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Botërore kanë nisur vlerësimin e skemës aktuale, për të parë se në cilat aspekte është e nevojshme që të ndërhyhet. Në gjykimin tuaj, që skema të sigurojë autonominë, cilat janë komponentët të cilët duhen rishikuar?

Rritja e burimeve është thelbi i çështjes, ç’ka do të thotë se krahas kontributeve, shteti duhet të gjejë burime dhe mundësi të tjera për të financuar skemën e sigurimeve shoqërore, në kushtet kur numri i kontribuesve vjen në ulje dhe kur sot masa e kontributit për pension shkon deri në 20 për qind të pagës. Nuk është një përqindje e vogël dhe nuk mund të mendohet rritja e saj si opsion zgjidhje. Është një ekuacion i thjeshtë matematikor që të ardhurat rriten duke rritur masën e kontributit, por më tepër se 20 për qind të pagës askush nuk do të dëshironte të paguante për pension. Sepse për 40 vjet që kontribuuesit paguajnë 20% të pagës, ata duhet të përfitojnë minimalisht 40% të saj, për mesatarisht 20 vjet jetëgjatësi mesatare që shkon sot në vendin tonë.

Pra ju gjykoni që në asnjë rast nuk duhet të ketë rritje të nivelit të kontributeve që gjithësecili nga ne paguan në fund të muajit?

Po, kjo është e rëndësishme. Kontributet mund të rriten duke eleminuar atë informalitet që ekziston, kur dihet që shumica e kompanive private, ndonëse i japin pagat të larta, deklarojnë një pagë minimale dhe paguajnë kontribute mbi nivelin e kësaj page. Kjo gjë duhet të ndryshojë dhe këtu është roli i shtetit që nuk duhet të lejojë informalitetin, ehde kur një pjesë e mirë punojnë pa e deklaruar fare punësimin në bizneset familjare. Ekonomia informale ka mbytur sektorin privat dhe duhet me patjetër që gradualisht të gjenden mënyra zgjidhjeje. Tjetër problematikë është edhe pagesa e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi, apo në zonat rurale. Dua të sjellë këtu rastin e Maqedonisë së Veriut, të cilët që në konceptimin e skemës, kanë vendosur që edhe të vetëpunësuarit në bujqësi të paguajnë mbi të ardhurat e tyre reale, dhe jo apriori mbi një pagë minimale, sikundër aplikohet në skemën shqiptare nga viti 1993.

Në fakt niveli i kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi është gati sa 1/3 e nivelit të kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në zonat urbane. Por ajo që ndodh është se masa e pensionit është e njëjtë për shkak se diferenca mbulohet nga fondet e buxhetit të shtetit…

Po, kjo ka qenë fillimisht e përcaktuar me qëllim mbështetjen e bujqësisë në vend, por që parashikohej me ligj që do të barazohej pas një periudhe prej disa vitesh, kur edhe pensioni i fshatit do të barazohej me pensionin minimal të qytetit. Por kanë kaluar gati 30 vite nga reformimi i skemës në 1993, dhe ende jemi në situatën ku as kontributet nuk janë barazuar, as masa e pensionit që përfiton një i vetëpunësuar në bujqësi nga sistemi i sigurimeve shoqërore të jetë e njëjtë me të vetëpunësuarit e tjerë.

Një gjë e tillë ka qenë e përcaktuar edhe në reformën e ndërmarrë në 2015…

Po, reforma e miratuar në vitin 2015 synoi që të garantonte një lidhje më të mirë të masës së kontributit me masën e përfitimit. Unë besoj që duhet të rishikohet formula e llogaritjes së pensionit, pasi një qytetar që ka derdhur kontribute për 15 vite, përfiton një pension të barabartë me atë që trajtohet me pension social, ç’ka do të thotë një i moshuar që nuk ka paguar kontribute dhe kjo gjë është absurde. Thënë kështu, një person që ka 15 vite kontribute duhet të ketë një pension relativisht më të lartë sesa dikush që merr një pension social, që është një formë e ndihmës sociale.

Përpara se të ndalemi tek masa e pensionit, Qeveria ka vendosur që të rrisë pagën mesatare në nivelin 900 Euro. A është kjo një mënyrë, për të kontribuar indirekt në skemë?

Po patjetër. Sistemi i pensioneve është në varësi të drejtpërdrejtë nga sistemi i pagave. Pra, përderisa kontribuesit paguajnë një përqindje të pagës, ata presin në të ardhmen që të përfitojnë një përqindje të saj në pleqëri, që në standardet ndërkombëtare të Konventës nr.102/1952 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) është e përcaktuar sa 40 për qind e pagës. Pra, secili kontribues gjithsecili shpreson të marrë mbrapsht ato kontribute që ka derdhur përgjatë gjithë jetës së punës. Në këtë kuptim, çdo rritje e pagës do të rrisë 20 përqindëshin e kontributit nga paga që derdhet nga punëdhënësi tek fondi i sigurimeve shoqërore për pensionin e pleqërisë. Në vitin 1993, u sanksionua në Ligjin nr.7703, datë 11.05.1993 që pensioni minimal do të ishte i barabartë me 75 përqind të pagës minimale. E njejta logjikë u ndoq për sigurimin në rast papunësie.

Pse nuk respektohet aktualisht ky parim?

Nuk respektohet sepse ka një ngërç në mënyrën e llogaritjes së pensionit, ku personi që ka 15 vite pune merr apo përfiton të njejtën masë pensioni me atë që nuk ka paguar kontribute, pra që trajtohet me pension social. Në këto kushte gjykoj që duhet ndryshuar formula e llogaritjes së pensionit, që të diferencohet pensioni bazë me atë kontributiv, që masa e pensionit të pasqyrojë lidhjen direkte me masën e kontributit.

Pra ju gjykoni që duhet ndërhyrë në formulën e përllogaritjes për këtë kategori…

Po patjetër. Pensioni social duhet të jetë pensioni bazë, që shërben si pikënisje e formulës së llogaritjes së pensionit dhe që garanton standardet minimale të jetesës, pra një minimum jetik të domosdoshëm për një të moshuar. Ndërkohë, të gjitha pensionet e tjera do të kenë këtë si bazë fillestare kalkulimi dhe mbi këtë bazë fillestare do të ketë një shtesë në përqindje të caktuar për çdo vit kontribuimi, bazuar mbi kontributin që paguan secili mbi bazën e pagës që ka.

Ju artikuloni mundësinë e miratimit të një minimumi jetik, pse gjykoni që nuk është miratuar deri më tani? Mendoni që nuk ka pasur vullnet politik edhe për shkak të efektit financiar apo kostos së lartë financiare?

Pikërisht, është kjo e fundit, efekti financiar dhe shteti nuk mund t’i rrisë në një ditë pagat dhe pensionet. Rritja e pagave së fundmi besoj se ka pasur efekt në rritjen e të ardhurave kontributive të sigurimeve shoqërore dhe menjëherë kjo duhet të shoqërohet edhe me rritje të pensioneve, që të mos krijohet hendeku me paga të larta dhe pensione relativisht të ulta.

Por ne dimë që skema e referuar në 2015-n nuk përcakton rritje të mirëfilltë pensioni por vetëm indeksim….

Përderisa formula e llogaritjes së pensionit si njësi bazë përdor pagën mbi të cilën personi ka derdhur kontributet, automatikisht për ata që do të dalin më vonë në pension, masa e përfitimit do të rritet, por për ata që janë aktualisht në pension, që t’i përshtaten këtij niveli, ka nevojë që të llogariten koeficientët e rritjes së pagës dhe mbi bazën e tyre të bëhet edhe rritja proporcionle e pensioneve. Unë nuk jam dakord që të ketë një rritje universale, për të gjithë njësoj, pra që të gjitha pensionet të rriten p.sh me 5 mijë lekë. Përderisa kemi vendosur një sistem kontributiv, në kuadrin e këtij parimi mbi të cilën ngrihet sistemi, edhe mënyra sesi do të operojë është që, së paku, të respektojë parimin kontributiv. Pra, të gjithë pensionistët të kenë një rritje proporcionale sipas masës së rritjes së pagës që ata kanë paguar ndër vite. Zakonisht individët duan të ruajnë standardet e jetës së tyre edhe në periudhën e pensionit, prandaj nëse kanë paguar shumë, kanë synuar që të marrin pensione më të larta që reflektojnë kontributin e tyre.

Ada Hazizolli / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat