Europa Postuar më 17 Shkurt 2023, 11:18

“Paralizohet” trafiku ajror në Gjermani - Punëtorët në grevë kërkojnë rritje me 10.5% të pagave të tyre

Nga SCAN TV
“Paralizohet” trafiku ajror në Gjermani - Punëtorët

Greva 24-orëshe e personelit të sigurisë tokësore dhe ajrore në shtatë aeroporte të Gjermanisë e organizuar nga sindikata e shërbimeve Ver.di, ka paralizuar pothuajse të gjithë trafikun ajror në vend këtë të premte. Punëtorët kërkojnë rritje të konsiderueshme të pagave për të kompensuar inflacionin e lartë dhe koston e lartë të jetesës. Grevat kanë prekur dy qendrat kryesore të aviacionit në vend, Frankfurt dhe Mynih, si dhe Hamburg, Hanover, Shtutgart, Bremen dhe Dortmund, të cilat së bashku transportojnë dy të tretat e pasagjerëve ajror të vendit.

Në negociatat me punëdhënësit, grevistët kërkojnë rritje pagash me 10.5% për 12 muajt e ardhshëm ose të paktën 500 euro më shumë në muaj. Ndërprerjet vijnë kur ende nuk kanë nisur negociatat zyrtare mes sindikatave dhe kompanive për shërbimet publike, shërbimet tokësore dhe sigurinë e aviacionit, të cilët protestojnë bashkërisht. Shoqata gjermane e aviacionit ADV llogarit se greva do të prekë rreth 300 mijë pasagjerë dhe 2.340 fluturime.

Lufthansa e Gjermanisë, më e madhja në Europë, ka pezulluar të gjitha fluturimet e saj në Frankfurt dhe Mynih. Linja ajrore njoftoi pasagjerët e saj ditë më parë duke u bërë apel atyre të kërkonin alternativa për fluturimet e brendshme duke përdorur trenin dhe u ofroi të ndryshonin biletat me ditët e tjera. Kompania pret që oraret të normalizohen këtë të shtunë.

Nënkryetarja e sindikatës Ver.di, Christine Behle theksoi se fluturimet e jashtëzakonshme të ndihmës për të prekurit nga tërmeti i fundit në Turqi dhe Siri nuk do të preken nga greva. Avionët e ngarkesave ajrore nga Lufthansa dhe Turkish Airlines që planifikojnë të ngrihen nga disa aeroporte gjermane do të mund ta bëjnë këtë pa asnjë problem. Greva përkon me fillimin e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat