Shqipëria Postuar më 14 Mars 2024, 10:45

Pagesat e shpejta, një realitet i afërt në Shqipëri - Implementimi, me mbështetje të Bankës së Italisë. Integrim në sistemin evropian

Nga SCAN TV
Pagesat e shpejta, një realitet i afërt në Shqipëri -

Një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë është modernizimi i sistemeve të pagesave dhe më konkretisht anëtarësimi në Tregun Unik të Pagesave në Euro, njohur ndryshe si SEPA dhe zbatimi i projektit për pagesat e shpejta (Instant Payment), për të cilin Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me Bankën e Italisë dhe Bankën Qendrore Evropiane.

Deklarata është bërë nga Guvernatori Gent Sejko, gjatë një takimi në Romë me homologun e tij Fabio Panetta. Sipas Sejkos, pjesëmarrja në SEPA mundëson kryerjen e pagesave ndërkufitare më eficiente në terma të kostos, kohës dhe sigurisë. “Nisur nga rëndësia që ka për Shqipërinë anëtarësimi në SEPA, në kuadër edhe të procesit të integrimit evropian të vendit, ai përbën prioritet për Bankën e Shqipërisë, e cila ka përmbushur me sukses të gjitha kërkesat ligjore e rregullatore dhe është plotësisht e angazhuar për të finalizuar procesin e aplikimit brenda muajit qershor 2024”.

Gjithashtu, Guvernatori Sejko shtoi se implementimi me sukses i projektit për pagesat e shpejta do të krijojë kushtet për integrimin e sistemit të pagesave në vend me sistemin evropian TIPS (TARGET Instant Payment Settlement), si dhe mund të shërbejë potencialisht si një zgjidhje shembull dhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Më konkretisht, ky sistem do të jetë një kopje e sistemit TIPS që operon Eurosistemi për pagesat e shpejta dhe do të ketë të njëjtat funksionalitete dhe ndërfaqe me të, duke bërë të mundur që në të ardhmen, sistemi lokal të integrohet lehtësisht me sistemin TIPS. Banka e Shqipërisë do të përfitojë nga mbështetja teknike e Bankës së Italisë, ekspertiza dhe roli i saj i rëndësishëm si një nga bankat anëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.

Nga ana e tij, Guvernatori Panetta, u shpreh se “mbështetja dhe asistenca e Bankës së Italisë është dhe do të jetë maksimale për zbatimin e suksesshëm të projektit të modernizimit të sistemeve të pagesave dhe ofrimit të klonit të TIPS”.

Ofrimi i klonit të TIPS është një projekt me rëndësi për Bankën e Italisë, i cili përfshin përfitime konkrete për Bankën e Shqipërisë në dy drejtime. Së pari, ky projekt i jep tregut dhe ekonomisë shqiptare një infrastrukturë pagesash të shpejta, në përputhje me standardet evropiane sipas SEPA-s, dhe në një hap zhvillimesh e përmirësimesh me vetë infrastrukturën evropiane TIPS. Së dyti, përgatit tregun e ofruesve të pagesave me një infrastrukturë (kloni i Tips) identike me atë të përdorur nga vendet e Bashkimit Evropian (TIPS). Kjo lehtëson integrimin e mëtejshëm të tregut në momentin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aksesin në infrastrukturat evropiane të pagesave me lehtësi e me kosto minimale.

Z.Panetta u ndal në fushën e mbulimit të klonit të TIPS , e cila do të mundësojë pagesat e shpejta brenda vendit në Shqipëri në Lekë dhe ne Euro, si një infrastrukturë që mbështet disa valuta. Ai e adresoi rëndësinë e aksesit në SEPA, duke vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë për përfshirjen në zonën SEPA dhe zhvillimet e deritanishme të vendit në kuadrin ligjor e rregullativ për t’u përafruar me kuadrin e Bashkimit Evropian.

Dorian Koça/SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 13 Mars

WOLT hyn zyrtarisht në tregun shqiptar

Wolt, kompania amerikano-finlandeze e teknologjisë dhe platforma e shërbimit delivery do të sjellë një risi në Shqipëri me hyrjen e saj në vend ditën e mërkurë......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat