Bota Postuar më 19 Maj 2022, 11:39

OKB: Moska të hapë portet ukrainase - 22 milionë ton grurë, në pritje për të dalë nga vendi

Nga SCAN TV

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u shpreh se është në kontakt të shpeshtë me Rusinë, Ukrainën, Turqinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian në përpjekje për të riaktivizuar eksportin e grurit Ukrainës në një moment që kriza ushqimore globale po përkeqësohet

Guterres u shpreh optimist dhe pse shtoi se rruga deri në realizmin e objektivit është e gjatë. Ai shtoi se siguria, ekonomia dhe financa në kompleks kërkojnë një vullnet të mirë nga të gjitha palët.

Në fjalën e tij në takimin për sigurinë e ushqimit në Kombet e Bashkuara të organizuar nga sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken, Guterres i bëri apel Rusisë që të lejojë eksportin e sigurtë të grurit që ka mbetur i bllokuar në portet e Ukrainës. Ai gjithashtu kërkoi që ushqimet dhe fertilizuesit rusë të kenë një qasje të plotë dhe të pakushtëzuar në tregjet botërore.

Lufta ruse në Ukrainë ka shkaktuar një rritje cmimi për grurin, vajin e gatimit, karburantit dhe fertilizuesve në të gjithë globin, dhe Guterres paralajmëroi se kjo krizë do përkeqësohet dhe më shumë jo vetëm për sa i përket ushqimeve por dhe në sektorin e energjisë dhe ekonominë në vendet e varfra.

Sipas tij dhjetëra miliona njerëz do kenë vështirësi në furnizimin me ushqim, gjë që do të shkaktojë kequshqyerje dhe uri masive në një krizë që mund të zgjasë për vite të tëra.

Ukraina eksportonte pjesën më të madhe të mallrave të saj nëpërmjet porteve por që nga pushtimi rus në 24 shkurt, është detyruar të eksportojë nëpërmjet hekurudhave ose porteve të vegjël të lumit Danub. Kreu i sektorit të ushqimit në Kombet e Bashkuara Dejvid Beslei iu drejtua në mënyrë të drejtpërdrejtë presidentit rus Putin duke i thënë se nëse kishte zemër ishte i lutur të hapte portet. Beslei drejton Programin Botëror të Ushqimit i cili ushqen më shumë se 125 milion njerëz dhe blen 50% të grurit nga Ukraina. Ai u shpreh se e gjithë kjo situatë nuk ka të bëjë vetëm me ukrainën por dhe me më të varfërit të cilët janë në prag të urisë në këtë moment.

Rusia dhe Ukraina së bashku llogariten të kenë një të tretën e furnizimit global me grurë. Ukraina është gjithashtu një eksportuese e madhe e misrit dhe e vajit të lulediellit.

Sekretari amerikan i shtetit nga ana e tij u shpreh se Rusia duhet të krijojë korridore në mënyrë që ushqimi dhe furnizime të tjera jetësore të largohen të sigurta nga Ukraina qoftë në rrugë tokësore apo detare

Aktualisht vlerësohet të jenë 22 milion ton grurë të bllokuara në Ukrainë. Një sasi që do të shkonte menjëherë në ndihmë të njerëzve më në nevojë nëse do të nxirrej nga vendi

Blinken shtoi se do të ishte falsitet të fajësoheshin sanksionet sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë përjashtime dhe kanë punuar për t’u siguruar se masat e imponuara nga Uashingtoni nuk ndikojnë në bllokimin e eksportit të ushqimeve apo fertilizantëve as nga Rusia dhe as nga ndonjë vend tjetër.

Kombet e Bashkuara u shprehen se 36 vende mbështeten tek Rusia dhe Ukrainë për më shumë se gjysmën e grurit që importojnë, përfshirë këtu dhe vende më të cënueshme si Libani, Siria, Jemeni, Somalia dhe Republika demokratike e Kongos.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat