Europa Postuar më 1 Nëntor 2023, 10:22

Ngec ekonomia e Italisë - Por inflacioni në vend ngadalësohet ndjeshëm

Nga SCAN TV
Ngec ekonomia e Italisë - Por inflacioni në vend ngadalësohet

Pavarësisht se ekonomia konsiderohet në ngecje, inflacioni në Itali konsiderohet se është ngadalësuar ndjeshëm. Vendi po has vështirësi në përmbushjen e kushteve të politikave të vendosura nga Komisioni Europian për transferimin e miliarda eurove të fondeve të rimëkëmbjes nga pandemia e COVID-19

Ekonomia e Italisë ‘ngeci’ në tremujorin e tretë nga tre muajt e mëparshëm, sipas të dhënave paraprake. Një lexim më i dobët ky se sa pritej pas një tkurrjeje prej 0.4% në tremujorin e dytë. Nga viti në vit, produkti i brendshëm bruto në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës ishte gjithashtu i sheshtë, sipas raportimeve të byrosë kombëtare e statistikave ISTAT.

Të dhënat treguan se në periudhën prill-shtator Italia shmangu për shumë pak të ashtuquajturin recesion teknik, i përcaktuar nga ekonomistët si dy tremujorë radhazi të rënies së PBB-së. Duke parë përpara, perspektiva mbetet e turbullt nga rritjet e normave të interesit të Bankës Qendrore Europiane që synojnë frenimin e inflacionit dhe tensioneve gjeopolitike të lidhura me konfliktet në Ukrainë dhe së fundmi në Lindjen e Mesme.

Qeveria e kryeministres Giorgia Melonit gjithashtu po has vështirësi në përmbushjen e kushteve të politikave të vendosura nga Komisioni Europian për transferimin e miliarda eurove të fondeve të rimëkëmbjes nga pandemia e COVID-19 dhe është ende prapa planit në investimin e shumave që ka marrë tashmë.

Por inflacioni italian u ngadalësua ndjeshëm në tetor, theksoi ISTAT në një raport të veçantë. Indeksi i çmimeve të konsumit –HICP në vend u rrit 1.9% nga viti në vit pas një norme prej 5.6% në shtator për të shënuar leximin e tij më të ulët që nga korriku 2021.

Inflacioni bazë, duke përjashtuar sektorët e paqëndrueshëm të ushqimeve të freskëta dhe të energjisë, ishte shumë më i lartë në 4.5% në tetor, por gjithsesi u lehtësua krahasuar me 4.9% një muaj më parë. Thesari muajin e kaluar uli parashikimin e tij për rritjen e PBB-së për vitin 2023 në 0.8% nga 1.0% si dhe parashikimin e vitit të ardhshëm në 1.2% nga 1.5%.

ISTAT tha se leximi i sheshtë i PBB-së në tremujorin e tretë krahasuar me tre muajt e mëparshëm ishte rezultat i tkurrjes së kërkesës së brendshme, të kompensuar nga eksportet neto pozitive. Ai nuk dha asnjë ndarje numerike të komponentëve me vlerësimin e tij paraprak, por tha se industria ishte zgjeruar, shërbimet kishin ngecur dhe bujqësia kishte rënë.

E ashtuquajtura ‘rritje e fituar’ në fund të tremujorit të tretë ishte 0.7%, që do të thotë se nëse nuk ka rritje tremujore midis tetorit dhe dhjetorit, gjatë gjithë vitit PBB- ja do të rritet me 0.7% krahasuar me 2022 - shin.

Dorina Kurtaj / SCAN

Live TV

Të fundit
Shqipëria 20 Tetor Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka pësuar luhatje të ndjeshme gjatë fundjavës duke e nisur këtë javë në qëndrueshmëri teksa është blerë këtë mëngjes me 82.5 lekë dhe......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 20 Tetor Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka pësuar luhatje të ndjeshme gjatë fundjavës duke e nisur këtë javë në qëndrueshmëri teksa është blerë këtë mëngjes me 82.5 lekë dhe......