Bota Postuar më 29 Korrik 2023, 13:14

Ministrat e G20 dështojnë në arritjen e një marrëveshjeje për çështjet kryesore të klimës

Nga SCAN TV
Ministrat e G20 dështojnë në arritjen e një

Takimi përfundimtar i ministrave të klimës dhe mjedisit nga ekonomitë më të mëdha të botës përfundoi pa një marrëveshje apo deklaratë të përbashkët të premten, pavarësisht lutjeve nga figurat kryesore që kombet të shfaqin një front të bashkuar ndaj ndryshimeve klimatike, ndërsa rekordet e motit thyhen në të gjithë globin.

Në një mbledhje në Chennai në Indi, ministrat nga Grupi i 20 vendeve që lëshojnë rreth 80% të gazeve të ngrohjes së planetit në botë nuk arritën të bien dakord për katër nga 68 pikat e diskutimit.

Një dokument i publikuar nga grupi tregon se vendet nuk ranë dakord për synimin për të arritur kulmin e emetimeve deri në vitin 2025, duke kaluar në energjinë e pastër ose një taksë mbi karbonin si një mënyrë për të reduktuar emetimet.

Ministri i tranzicionit ekologjik i Francës, Christophe Bechu tha se ishte "shumë i zhgënjyer": "Ne nuk jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje për rritjen drastike të energjisë së rinovueshme, nuk jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje për heqjen graduale ose pakësimin e karburanteve fosile, veçanërisht qymyrin, dhe është shumë e çuditshme të shohësh se çfarë ndodh jashtë këtij hoteli, këtij G20, në botën reale dhe të shohësh vështirësitë për të gjetur vetëm formulimin diplomatik për këto çështje mjedisore."

Të tjerë thonë se gota është gjysmë e mbushur: “Nuk mundëm të merrnim një konsensus, por ramë dakord për shumë”, tha ministri i klimës i Kanadasë, Steven Guilbeault në një konferencë virtuale për shtyp pas takimit.

Vendimet e ministrave tani do t'u kalojnë liderëve të vendeve përpara një samiti në Nju Delhi në shtator të këtij viti. Do të jetë shansi i fundit i grupit për të nxjerrë një deklaratë të përbashkët mbi klimën këtë vit.

Bota aktualisht është ngrohur rreth 1.2 gradë Celsius që nga kohërat para-industriale dhe efektet tashmë janë duke u ndjerë në të gjithë botën, me Indinë nikoqire veçanërisht të prekshme.

Në fillim të këtij viti, më shumë se 100 njerëz vdiqën gjatë një valë të nxehti në qendër të vendit dhe javën e kaluar të paktën 27 njerëz vdiqën në Indinë perëndimore për shkak të rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga shirat e dendur.

Që kur India mori presidencën e G-20 dhjetorin e kaluar, asnjë nga takimet që kanë të bëjnë me fusha të ndryshme politike si punët e jashtme, financat, energjia dhe ndryshimet klimatike nuk kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, por njoftimet e tyre mund të jenë pjesë e një dokumenti përfundimtar të publikuar në samitin e liderëve në shtator.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat