Bota Postuar më 1 Shkurt 2023, 10:44

Më pak borë në dimër do të thotë më pak ujë në verë!

Nga SCAN TV
Më pak borë në dimër do të thotë më pak

Në Zvicër, Gjermani, Francë, e deri në Republikën Çeke, shumë resorte europiane për ski nuk janë më ‘vendi i çudirave' të dimrit për këtë sezon. Në vend të kësaj, shpatet e vetmuara të mbuluara me borë artificiale njollosin në mënyrë sporadike peizazhet e gjelbra dhe kafe. Teksa emetimet e shkaktuara nga djegia e lëndëve djegëse vazhdojnë të ndryshojnë klimën, temperaturat janë mjaftueshëm të ngrohta sa për të shkrirë borën. Në shumë vende bie shi në vend të borës. Pasojat shkojnë përtej sporteve dimërore, duke dëmtuar furnizimin me ujë dhe biodiversitetin.

"Bora luan një rol të rëndësishëm në ciklin e ujit," shprehet Daniel Farinotti, një glaciolog nga universiteti ETH Zyrih dhe Instituti Federal Zviceran për Kërkimin e Pyjeve, Borës dhe Peizazhit. "Bora ruan ujin për një kohë të caktuar. Uji i gjendur në borë nuk rrjedh menjëherë, por në verë dhe pranverë."

Vetëm kur bora shkrihet, uji lëshohet gradualisht nëpër liqenet, lumenjtë dhe ujërat nëntokësore përreth. Bora vepron si një lloj pajisje ruajtëse dhe kur ka më pak ose aspak borë, ndikon në sasinë e ujit gjatë vitit. Lumenjtë e ushqyer pjesërisht nga shkrirja e borës gjithashtu përfundojnë me nivele më të ulëta uji. Kjo përfshin edhe lumin e Rinit, një nga rrugët ujore më të rëndësishme të Europës.

"Sasia e pakët e borës mund të përkeqësojë nivelet e ujit në Rin nga Bazeli në Detin e Veriut”, tregon një studim i Komisionit Ndërkombëtar për Hidrologjinë e Basenit të Rinit. Sipas studimit, reshjet e shiut nuk do të jenë në gjendje të kompensojnë mungesën e ujit të shkrirë. Dhe një Rin më i cekët prek të gjithë ata që e përdorin këtë rrugë ujore.

Anijet e mallrave mund të ndërpresin transportin për një mesatare prej më shumë se dy muajsh në vit deri në fund të shekullit, thuhet në raport. Prodhimi i energjisë elektrike mund të pakësohet. Furnizuesit e ujit të pijshëm dhe fermerët do të duhet të përgatiten për mungesa më të shpeshta në një verë rrjedhimisht të nxehtë dhe të thatë, kur uji është në kërkesë edhe më të madhe.

Mbulesa e borës është një pjesë e rëndësishme e efektit "albedo”, që i referohet aftësisë së një sipërfaqeje për të reflektuar dritën. Duke reflektuar dritën, bora e bardhë ndihmon në uljen e temperaturës së planetit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rajonet polare - vetëm mendoni për akullin mbi sipërqafen e detit dhe tundrat e mëdha të mbuluara me borë të Skandinavisë dhe Siberisë.

Pasojat e zhdukjes së borës po i ndjejnë edhe rajonet malore. Kur shiu i dendur zëvendëson reshjet e borës, rreziku i rrëshqitjeve të dheut rritet dhe reshjet e pakta të borës gjithashtu ndryshojnë ekosistemet. Shkrirja e borës e mban tokën malore të lagësht për më gjatë se uji i shiut, sepse ai lëshohet gradualisht në një periudhë të gjatë dhe jo në shpërthime të shkurtra. Ndër të tjera, kjo lagështi është e rëndësishme për rritjen e bimëve në pranverë. Mungesa e ujit nxit gjithashtu dëmtuesit e tokës.

Është praktikisht e pamundur të zëvendësohet ose të ruhet bora pasi për ta bërë këtë ka shumë shpenzime dhe është e realizueshme vetëm në vende të caktuara ku ka një motivim ekonomik, si për sportet dimërore. Prodhimi i borës artificiale kërkon shumë energji dhe ujë dhe në shumë rajone, sipas ekspertëve, një ditë do të bëhet shumë nxehtë edhe për borën artificiale. Të mbrosh borën me pëlhura të bardha plastike, siç është vepruar në disa akullnaja, është një nismë e madhe.

E . S / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat