Shqipëria Postuar më 7 Gusht 2025, 10:12

Vijon aksioni për “çlirimin” e hapësirave publike - Mbi 36 mijë metër katror e liruar në Tiranë. Malaj: Në fokus, sundimi i ligjit

Nga Alida Lula

Vijon aksioni për “çlirimin” e hapësirave publike -

Aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret vazhdon me intensitet në të gjithë vendin. IKMT vijon aksionin edhe te subjektet që ushtrojnë aktivitet gomisteri, të cilat krijojnë mbetje të rrezikshme nga gomat e përdorura, ndotin mjedisin dhe zënë hapësirat publike.

Gjatë inspektimeve të kryera ditët e fundit, subjektet janë njoftuar për parregullsitë, dhe në shenjë bashkëpunimi, janë mbyllur vullnetarisht nga vetë qytetarët.

Ndërkohë, IMT Tiranë ka publikuar edhe hartën me zonat e liruara tashmë në shërbim të komunitetit, ku rezulton mbi 36 mijë m² hapësirë publike e liruar në kryeqytet. Ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili ndoqi nga afër aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre te qytetarët nga Lushnja, theksoi se do t’i jepet fund kaosit dhe zaptimit të paligjshëm.

“Askush nuk mund të zaptojë hapësirat publike për interesa personale, as të pengojë lëvizjen dhe funksionimin normal të jetës urbane në Lushnjë. Është e rëndësishme të ndërtohet një klimë ku të sundojë fryma e ligjit dhe ku respektohen hapësirat e përbashkëta” - tha ministri Malaj.

Kryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa, informoi se tashmë është hartuar një plan masash, është bërë evidentimi i të gjitha ndërtimeve në të gjithë territorin.

“Janë dërguar njoftime sipas procedurave ligjore. Ftojmë qytetarët që të bëjnë vetë çmontimet, ndërsa ato me leje janë shfuqizuar me vendime zyrtare. Disa qytetarë kanë menduar se kjo do të ishte vetëm një periudhë kalimtare, por tashmë është marrë një aksion i plotë në të gjithë territorin, ku nuk do të lejohet asnjë tentativë për zaptim”- tha Sefa.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”. Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar hartimin e Rregullores se re Kombëtare, në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi. Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik.

Ndërkohë prej datës 1 gusht IKMT dhe Policia e Shtetit, kanë ndërmarrë aksione konkrete për lirimin e hapësirave edhe në kufijtë e akseve kombëtare, duke respektuar rregullat dhe ligjet në fuqi për mbrojtjen e territorit.

Vijon aksioni për “çlirimin” e hapësirave publike -

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat