Shqipëria Postuar më 12 Maj 2025, 13:16

Konkluzionet për zgjedhjet në Shqipëri!

Nga Elisabeta Dosku

Konkluzionet për zgjedhjet në Shqipëri!

Një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare,  Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qëndresa Qytetare dhe Instituti i Studimeve Politike, kanë publikuar edhe konkluzionet parraprake se si ka qenë ecuria e këtij procesi.

Gjatë procesit të votimit, vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Qendresës Qytetare e shtrinë monitorimin në 163 Qendra Votimi në 17 Bashki të Vendit, përkatësisht në Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Dibër Kukës, Elbasan, Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Fier, Lushnje, Berat, Gjirokaster, Fushë Krujë, Kurbin, Pogradec si dhe 3 QV të posaçme të vendosura në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Instituti i Studimeve Politike u angazhua në monitorimin e raportimeve mediatike, deklaratave dhe akteve të partive politike/subjekteve elektorale.

Këto institucione kanë dalë në konkluzione paraprake se dita e zgjedhjeve të 11 majit 2025 shfaqi të njëjtin trend të disa zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, kryesisht një klimë e qetë dhe pjesëmarrje të pjesës aktive qytetare.

Megjithatë ka pasur raste të mos respektimit të heshtjes zgjedhore gjatë 24 orëve që i paraprinë procesit të votimit, si postime elektorale në rrjete sociale të kandidatëve të caktuar, shpërndarje të materialeve propagantistike në hapësirën publike me afishimie të billboard-ve dhe raste kur zyra elektorale janë mbajtur hapur.

Gjatë ushtrimit të së drejtës së votës ditën e votimit, në kundërshtim me kërkesat e heshtjes zgjedhore, përfaqësues të partive politike ose kandidatë për këto zgjedhje kanë bërë deklarata që teksa pozitivisht kanë nxitur pjesëmarrjen e shtetasve në votime, direkt ose indirekt, përmbanin mesazhe politike propaganduese.

Po ashtu thuhet se klima e përgjithshme ditën e votimit shënoi disa incidente të panevojshme, që reflektojnë më shumë tensionet, keqkuptimet dhe mobesimin midis palëve politike. Në dallim nga shumë prej zgjedhjeve të kaluara nuk u shënuan incidente të rënda.

Gjatë procesit të votimit pati sinjalizime nga vëzhgues partiakë, komisionerë dhe deputetë për abuzime dhe intimidim të zgjedhësve sikurse ishin rastet e shenjuara në Bashkitë Lushnje, Tiranë (afër Shkollës Petro Nini), Pogradec, Vorë, etj.

Vëzhguesit kanë raportuar gjithashtu, se në shumicën e rasteve, zgjedhësit nuk kanë qenë të ndërgjegjësuar për emrin e tyre në listë, mbi mënyrën e votimit, pra sa i përket fletës së votimit që duhet të plotësonin, si dhe hedhjen e saj në kutinë e votimit.

Vëzhguesit kanë raportuar raste konkrete të problemeve sistemike të procesit zgjedhor, të përsëritura edhe në zgjedhjet e kaluara, sikurse janë disa raste të votimit familjar apo mos respektimit të procedurave për dhënien e ndihmës ndaj zgjedhësve që për shkak të aftësive të veçanta nuk mund të votonin vetë.

Po ashtu është vënë re se disa nga QV të monitoruara është vërejtur prezencë e personave të paautorizuar brenda perimetrit 150 m të QV, sjellje të papërshtatshme me elementë diktues dhe që krijojnë premisa për intimidimin e zgjedhësve nga vëzhguesit partiakë si dhe persona që qëndrojnë jashtë perimetrit 150 m por vëzhgojnë në mënyrë sistematike zgjedhësit që hyjnë e dalin nga QV.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat