Shqipëria Postuar më 14 Prill 2026, 12:03

Gjoba deri 10 milionë euro për pastrimin e parave - Drafti/ Nga bankat, zyrat e këmbimit valutor dhe agjencitë imobiliare. kush preket

Nga Elisabeta Dosku

Gjoba deri 10 milionë euro për pastrimin e parave - Drafti/ Nga

Institucionet financiare dhe jo financiare, zyrat e këmbimit valutor, noterët, ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme dhe profesionistët e tjerë ligjorë të pavarur kur përfshihen në transaksione, apo subjektet qe zhvillojnë aktivitet të lojërave të fatit,  të cilat lejojnë me apo pa dashje pastrimin e parave, do të përballen me gjoba deri në 10 milionë euro. Projektligji për “Parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit” i hedhur për konsultim publik,  ashpërson masat në këtë drejtim dhe zgjeron gamën e subjekteve që preken.

Konkretisht, sipas nenit 63 të projektligjit,  autoritetet mbikëqyrëse kompetente vendosin gjoba administrative ndaj subjekteve të detyruara për shkelje, serioze, të përsëritura apo sistematike, të kryera me dashje ose nga pakujdesia.

Për rastet kur nuk zbatojnë detyrimet ligjore në lidhje me zbatimin e masave të vigjilencës së duhur subjektet gjobiten nga 100 mijë lekë deri në 6 milionë lekë.

Për rastet kur nuk zbatojnë detyrimet ligjore në lidhje me zbatimin e masave të vigjilencës së zgjeruar, subjektet gjobiten nga 200 mijë lekë deri në 8 milionë lekë.

Për rastet kur nuk zbatojnë detyrimet ligjore në lidhje me politikat, procedurat dhe kontrollet e brendshme të subjekteve të detyruara të parashikuara në Kapitulli II  që lidhet me masat parandaluese) subjektet gjobiten nga 200 mijë lekë dhe niveli maksimal i gjobës që mund të vendoset ndaj subjektit të detyruar është jo më pak se dyfishi i përfitimit të nxjerrë nga shkelja, kur ky përfitim mund të përcaktohet, ose jo më pak se ekuivalenti në lekë i shumës 1 milion euro, sipas kursit zyrtar të këmbimit në datën 9 korrik 2024, cilado prej tyre të jetë më e lartë.

Për rastet kur nuk zbatojnë detyrimet ligjore për raportim të parashikuara në Kapitullin III (Vigjilenca e duhur) subjektet gjobiten nga 300 mijë lekë deri në 10 milionë lekë.  Për rastet kur nuk zbatojnë detyrimet ligjore në lidhen me ruajtjen e dokumentacionit dhe të dhënave subjektet gjobiten nga 200 mijë lekë deri në 8 milionë lekë.

Po ashtu gjoba parashikohen për punonjës apo administratorë që kryejnë shkelje, të cilat arrijnë deri në 4 milionë lekë.

 Ndërsa specifikisht për institucionet e kreditit ose institucionet financiar,  në rastin e një personi juridik, gjobë maksimale  aplikohet në një shumë jo më të vogël se ekuivalenti në lekë i 10 milionë euro sipas kursit zyrtar të këmbimit në datën 9 korrik 2024 ose deri në 10 % të qarkullimit total vjetor sipas pasqyrave financiare më të fundit të miratuara nga organi drejtues, cilado prej tyre të jetë më e lartë.  Në rastin e një personi fizik, gjoba maksimale është  në një shumë jo më të vogël se ekuivalenti në lekë i 5 milionë euro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat