Shqipëria Postuar më 14 Nëntor 2024, 21:00

A po përgatit Shqipëria një strategji ushtarake të përbashkët me Kosovën?/ Ministri Vengu shpjegon projektin: Jo vetëm stërvitje!

Nga Fabjona Pasho

A po përgatit Shqipëria një strategji ushtarake të

Ditët e fundit, pilotët e Forcave të Sigurisë së Kosovës kanë nisur fluturimet stërvitore në Bazën Ajrore të Farkës me helikopterët “Cougar”, pas përfundimit të fazës teorike.

Por, a nënkupton kjo së Shqipëria dhe Kosova po shkojnë drejt një strategjie të përbashkët të mbrojtjes?

I ftuar në emisionin DATAROOM të gazetarit Kreshnik Kuçaj në SCAN, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri me dije projektin e bashkëpunimin. Sipas Vengut Shqipëria do të kërkojë njohjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës nga vendet aleate të NATO-s, pavarësisht ecurisë së dialogut politik.

“Ajo që është e rendësishme të kuptohet është që Forca e Sigurisë së Kosovës për momentin është një forcë që nuk njihet nga NATO si Forcë e Armatosur. Është realitet për ne por jo për të gjithë aletët në NATO.

Dhe në momentin që ka aleatë që nuk e njohin Kosovën dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, ajo ka një ndërveprim të limituar me NATON. Detyra jonë është që si Shqipëri, si Forcë e Armatosur e Republikës së Shqipërisë, të mund të kemi një bashkëveprim sa më të rëndësishëm, jo vetëm stërvitje, po pse jo, përkundrejt investimeve në industrinë ushtarake, të përfitojë dhe Kosova.

Pra blerjet të bëhen në mënyrë të përqendruar dhe t’i shërbejnë edhe Forcave të Sigurisë së Kosovë dhe Forcës shqiptare. Kjo do të krijonte një lehtësi që ata e kërkojnë me ngulm dhe me të drejtë, dhe ne jemi në bashkërendim me homologun Macedonci.

Ne të dy, si ministra kemi kërkuar bashkërisht që stërvitjet të mos jenë vetëm në domainin tokësor por të zgjerohen edhe përsa i përket ajrit me helikopterët, po pse jo edhe me kapacitete më të specializuara sa i përket xhenios, inxhinierisë, kapaciteteve kibernetike, në mënyrë që të kemi ndërveprueshmëri shumë të të shpejtë me Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Dhe e dyta, në fushën akademike dhe të formimit të kadetëve të tyre, çdo vit e më shumë ka më shumë rekrutë nga Kosova që formojnë Akademinë e Forcave të Armatosura. Edhe kjo krijon gjenerata ushtarakësh në fakt që rriten bashkë. Edhe kjo shumë e rëndësishme për bashkëpunimin ushtarak.

Dhe e treta, ne jemi në një përpjekje aktive edhe me shumë vende aleate por edhe me komanda të caktuara të NATO-s në mënyrë që ta njohin si realitet të pakthyeshëm Forcën e Sigurisë së Kosovës. Pra pavarësisht njohjes në nivel politik apo jo, pavarësisht ecurisë së dialogut politik, ajo është një forcë që ekziston dhe është më mirë në këndvështrimin tonë që NATO të investojë në këtë realitet, të influencojë këtë realitet, sesa ta lërë mënjanë, si një çështje për t’u trajtuar pas një dialogu politik” deklaroi ministri Vengu.  

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat