2024, viti i energjisë diellore/ Nga rritja e fotovoltaikëve, te liberalizimi i tregut

Viti 2024 shënoi zhvillime të rëndësishme për sektorin elektroenergjetik. Nisja e investimeve pas krizës energjetike, rritja e kapaciteteve prodhuese të energjisë, bashkimi i tregjeve energjetike Shqipëri – Kosovë apo zgjerimi i tregut të liberalizuar janë disa nga zhvillimet kryesore.
Por le të ndalemi më gjerësisht në secilin prej tyre. Në fakt, viti 2024 mund të konsiderohet si viti i energjisë diellore. Prodhimi nga centralet fotovoltaike pësoi rritje të konsiderueshme, teksa ndikimin më të madh e pati hyrja në prodhim e centralit të Karavastasë.
Pesha e energjisë diellore që prodhohet në vend ka pësuar rritje të ndjeshme gjatë 10-mujorit të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë përgjatë periudhës janar – tetor 2024, nga të gjithë centralet fotovoltaike u gjeneruan rreth 430 mijë mWh energji apo 6.75% e sasisë të prodhuar nga të gjitha burimet gjeneruese që janë në prodhim. Në raport me 10 -mujorin e vitit të kaluar rritja mund të konsiderohet e konsiderueshme, duke qenë se vjet energjia diellore zinte gati 1% të energjisë totale, me rreth 72 500 mWh energji të prodhuar.
Rritja e shënuar këtë vit vjen nga shtimi i impianteve diellore që kanë hyrë në prodhim, ku peshën më të madhe e mban Centrali i Karavastasë, që ka prodhuar 55% të energjisë totale diellore. Gjithashtu, gjatë këtij viti kanë hyrë në prodhim dhe 2 centrale të pavarur, teksa sasia e prodhuar prej tyre përbën gati 19% të totalit.
Numri i centraleve që prodhojnë energji nga dielli nuk ndryshonte prej vitesh, pavarësisht interesit të lartë të investitorëve, të shprehur gjatë viteve të fundit. Ndërkohë që, rritja e peshës së energjisë diellore ka rëndësi të drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë.
Edhe numri i licencave të dhëna për prodhimin e energjisë nga dielli dhe kapacitetit që pritet të instalohet nga ndërtimi i parqeve pësoi rritje.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, të përpunuara nga TV SCAN, gjatë këtij viti janë licencuar 16 kompani, teksa kapaciteti total për projektet e tyre është 253.14 MË.
Ky numër licencimesh ka kaluar atë të 2 viteve të fundit, që u karakterizuan nga një rritje e numrit të kompanive të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike nga dielli. Kjo, duke qenë se gjatë vitit 2023 u dhanë 9 licenca për një kapacitet total prej 102 MË, ndërsa gjatë vitit 2022 u licencuan 15 kompani për projekte me kapacitet të instaluar të parashikuar prej 225.143 MW. Licencat e para për prodhimin e energjisë nga dielli u dhanë në vitin 2018, ndërsa aktualisht numërohen 52 kompani.
Viti 2024 ka regjistruar një interes të lartë të investitorëve për centrale të mëdhenj fotovoltaikë, teksa në 2 javët e para të muajit dhjetor janë depozituar 7 aplikime të reja pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Referuar interesit të shprehur pranë këtij dikasteri 7 kompanitë kërkojnë të ndërtojnë impiante fotovoltaike me kapacitet total të instaluar prej 416.5 MW, në bashki të ndryshme të vendit. Më konkretisht, projektet parashikohet të zhvillohen në njësi administrative të bashkive Kolonjë, Fier, Devoll, Dibër dhe Pogradec. Në rast të finalizimit të procedurave, këto projekte nuk do të jenë përfituese të masave mbështetëse të qeverisë, që përfshijnë lehtësim në sigurimin e dokumentacionit apo blerje të garantuar të energjisë së prodhuar.
Ndërkaq, përgjatë këtij vitit numërohen dhjetra aplikime të paraqitur nga kompanitë private. Kapaciteti i parashikuar i instaluar për këto impiante është mbi 240 MW, ndërsa vendndodhja e tyre është e ndryshme nga Fieri, në Kolonjë, në Elbasan, Korçë, Cerrik, etj. Interesi për investime në energji diellore ka disa vite që ka ardhur në rritje nga ana e investitorëve privatë, ndërkohë që një pjesë e kërkesave janë pranuar, ndërsa të tjera jo.
Paralelisht, u hap edhe ankandi hibrid për ndërtimin e impianteve fotovoltaike.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur ankandin hibrid për ndërtimin e impianteve fotovoltaike për një kapacitet total prej 300 MË. Përmes kësaj procedure, qeveria do të blejë energjinë për 15 vjet, por pa vendosur në dispozicion tokën ku do të poziciohen impiantet. Ndërkohë që, çmimi tavan do të jetë 59.97 euro/mWh.
Po ashtu, procedura parashikon se kapaciteti minimal me të cilin mund të aplikohet do të jetë 10 MW, ndërsa maksimali 100 MW.
Një tjetër zhvillim në drejtim të energjisë diellore ishte edhe zgjerimi i skemës për vetëprodhuesit.
Miratimi i ndryshimeve ligjore në lidhje me vetëprodhuesit e energjisë elektrike nga panele diellore, i hap rrugë lidhjes me rrjetin edhe për ata konsumatorë që kanë instaluar kapacitet më të lartë se 0.5 MW, që ishte kufizimi i deritanishëm. Drejtori i Politikave të Energjisë, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Besjan Kadiu bën me dije për TV SCAN detajet, duke shtuar se kushti për këtë kategori do të jetë mospërfitimi i kompensimit për sasinë e energjisë të hedhur në rrjet.
“Është një kategori e re, që i shtohet portofolit të vetëprodhuesve në Republikën e Shqipërisë, të cilët nuk do të përfitojnë skemë mbështetëse, qoftë në formën e faturimit neto, qoftë në formën e matjes neto. Duke qenë se ky grup prodhuesish nuk përfiton skemë mbështetëse, siç përfitojnë vetëprodhuesit e tjerë, kufizimi prej 500 kW për vetëprodhuesin brenda skemave mbështetëse do të hiqet për këtë grup të ri vetëprodhuesish”, - tha ai.
Kadiu bën me dije dhe të dhënat më të fundit sa i takon konsumatorëve që kanë instaluar panele diellore për vetëprodhimin e energjisë elektrike.
“Aktualisht kemi rreth 1300 konsumatorë në skemën e vetëprodhuesve me mbështetje, për një total kapaciteti të instaluar prej rreth 120 MW. Kryesisht teknologjia është fotovoltaike dhe këtij grupi do t’i shtohet edhe ky grup i ri, i cili do të ketë edhe një qasje tjetër, edhe për impaktin që sjell në rrjetin e shpërndarjes”, - tha Kadiu.
Paralelisht me këto ndryshime, qeveria miratoi edhe rregulla të reja sa i takon investitorëve që aplikojnë për ndërtimin e centraleve të prodhimit të energjisë nga era.
“Era është një teknologji, që ka nevojë për siguri teknike dhe siguri të dhënash. Pikërisht kjo, i jepet secilit prej investitorëve të mundshëm. Iu jepet si e drejtë, në një fazë paraprake, në mënyrë që këta investitorë të mbledhin të dhënat dhe t’i përdorin pastaj për realizimin e hapave të mëtejshëm të investimeve të tyre. Parashikimi ligjor aktual kufizonte kryesisht periudhën e marrjes së të dhënave. Nga të dhënat teknike dhe standardet e mira ndërkombëtare, kjo periudhë e marrjes së të dhënave të erës është minimalisht 12 muaj, ndërkohë që periudha që këta aplikues mund të realizonin matje ishte e kufizuar në 6 - 9 muaj, sipas rregullimit aktual”, - u shpreh drejtori i Politikave të Energjisë në ministri.
Sipas Kadiut, ndryshimet ligjore pritet të lehtësojnë investimet në energji të rinovueshme.
Paralelisht, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare hodhi hapa përpara për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë, përmes ndërtimit të një centrali diellor 50 MWp në zonën e Belshit.
Vepra, ka një kosto totale prej 40 mln euro, ndërkohë që 30 mln euro parashikohet të financohen përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Projekti pritet të financohet gjithashtu përmes një granti prej 8 milionë euro nga Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor ("WBIF") dhe pjesa tjetër prej 2 mln euro, përmes një injeksioni të kapitalit nga KESH.
Impianti fotovoltaik prej 50 MWp dhe nënstacioni i lidhur do të ndodhen në Bashkinë e Belshit në një hapërisë prej rreth 60 ha, ndërsa një linjë e re rreth 9 km, 110 kV do ta lidhë atë me rrjetin në nënstacionin ekzistues në Kajan, i cili do të zgjerohet si pjesë e projektit. KESH zotëron dhe operon tre hidrocentralet publike të Kaskadës së Drinit, me një kapacitet të instaluar të kombinuar prej 1.350 MW, si dhe një impiant diellor impiantit prej 5 MWp të pozicionuar në digën e Qyrsaqit, në Vaun e Dejës. Ndërkaq, gjenerimi i impiantit në BLESH pritet të përbëjë rreth 1% të prodhimit vjetor kombëtar të energjisë elektrike.
Gjithashtu, gjatë vitit 2024 avancoi edhe projekti për ndërtimin e impantit diellor lundrues në Vaun e Dejës.
Projekti për ndërtimin e një impianti fotovoltaik lundrues për prodhimin e energjisë në Vaun e Dejës po shkon drejt zbatimit. 3.5 vite nga themelimi i saj, shoqëria “SENA Solar Energy of Albania”, që zotërohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Joint Venture Gamma–Sungrow FPV nënshkruan kontratën për Projektimin, Ndërtimin dhe Operimin e impiantit. Sipas KESH, kapaciteti i këtij impianti do të jetë 12.97 MWp dhe jo 13.8 MWp që ishte planifikimi fillestar.
Sipas përllogaritjeve, prodhimi i parashikuar në vitin e parë do të arrijë në 18,808 MWh, me një prodhim mesatar prej 17,822 MWh/vit gjatë gjithë jetës së tij. Kontrata përfshin projektin e detajuar, furnizimin, instalimin, testimin, si dhe periudhën e operimit dhe mirëmbajtjes për 2 vjet.
Ndërkaq, sipas KESH edhe pse impiantet fotovoltaikë lundrues konsiderohen ende një teknologji e re, sistemi i ankorimit të impiantit do të sigurojë operim normal edhe me luhatje deri në 15 metra të nivelit të ujit dhe rezistencë ndaj erës maksimale për 50 vitet e ardhshme.
Shoqëria SENA u krijua në mars të vitit 2021, në kuadër të marrëveshjes së financimit për ndërtimin e këtij impianti lundrues ndërmjet KESH dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Fokusi kryesor i shoqërisë është zhvillimi dhe operimi i impiantit fotovoltaik lundrues në Vaun e Dejës, por jo vetëm. Kjo, pasi shoqëria ka objektiv të aktivitetit edhe prodhimin, shitjen, tregtimin apo studimin e gjitha shërbimeve mbështetëse në fushën e industrisë dhe energjisë; kryerjen e aktiviteteve tregtare në fushën e energjisë, etj.
Ndërtimi i impaintit diellor lundrues është një nga projektet e KESH, në kuadër të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë.
Zhvillime pati edhe në drejtim të hidrocentralit të Skavicës.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shpallur kompaninë fituese që do të ofrojë konsulencën e jashtme financiare për projektin e hidrocentralit të Skavicës. Pas shpalljes së procedurës në faqen zyrtare, fitues është shpallur kompania Ernst & Young Albania”, me origjinë kapitali nga Qipro dhe Serbia. KESH nuk ka publikuar vlerën e ofertës të shpallur fituese, ndërkohë që gjtaë hapjes së tenderit përcaktohej se fondi limit ishte 450 mijë euro. Një prej detyrave që do të ketë konsulenti është vlerësimi i aftësive financiare të KESH për të marrë kredi për financimin e projektit të hidrocentralit të Skavicës. Po ashtu, kompania do të kryejë një rishikim të modelit aktual financiar për këtë vepër energjetike dhe të zhvillojë një model financiar që vlerëson tarifat e energjisë elektrike për ndërtimin dhe funksionimin e HEC-it të Skavicës në skenarë të ndryshëm. Sipas KESH, hidorcentrali i Skavicës synon kompletimin dhe maksimizimin e prodhimit të energjisë elektrike në Kasakdën e Drinit.
Por, teksa këto projekte synojnë rritjen e aseteve prodhuese të KESH, gjatë vitit 2024 hynë në prodhim 2 TEC-et lundrues të pozicionuar në Triport të Vlorës.
2 TEC-et lundrues të pozicionuar në Triport të Vlorës kanë hyrë në prodhim. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë në total për periudhën janar – tetor impiantet “Tigri 1” dhe Tigri 3” kanë gjeneruar është rreth 13 mijë mWh. ERE raporton sasi të vogla të prodhuara përgjatë periudhës janar – korrik, që mund të përkojnë me periudhën e testimit të impianteve, ndërkohë që sasia më e madhe është prodhuar në muajin gusht me 7,636 mWh energji.
Këto janë shifrat e para të raportuara për prodhimin e energjisë nga TEC-et lundrues, teksa gjatë vitit u zhvilluan procedurat tenderuese për blerjen e karburantit për testimin si dhe prodhimin e energjisë. Sipas procedurës së shpallur nga KESH u ble 21 mijë ton karburant, ndërsa sipas specifikimeve, konsumi i parashikuar i lëndës djegëse për 1 mWh është rreth 229 kg, çka do të thotë se sasia e karburantit shërben për prodhimin e një totali prej 91,700 mWh energji.
Për qëllime të funksionimit, asetet termike kanë nevojën e furnizimit me lëndë djegëse të llojit HFO, me përmbajtje të squfurit jo më të madhe se 0.5%, si dhe sasi të vogla të lëndës djegëse hidrokarbure LFO. TEC-et lundrues u pozicionuan në Portin e Triportit në shtator të vitit 2022, pas një procedure të ndërmarrë në kuadër të krizës energjetike,
Energjia e prodhuar nga karburanti u vu në vëmendje edhe përmes miratimit të projektit të TEC-it të Roskovecit.
Qeveria ka miratuar ndërtimin e termocentralit në Roskovec të Fierit. Impianti, që do të prodhojë energji nga gazi, parashikohet të ketë një fuqi që instaluar prej 170 MW, ndërkohë që afati i operimit është 49 vjet. TEC-i do të duhet të jetë në operim pas 3 vitesh, teksa kjo periudhë përfshin pajisjen me leje ndërtimi dhe ndërtimin e tij. Shoqëria zbatuese “FIER THERMOELECTRIC” do t’i japë shtetit 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.
Aplikimi për ndërtimin e termocentralit privat u bë në shkurt të vitit 2023, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa gjatë kësaj kohe u aplikua edhe pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për pajisjen me leje mjedisore. 70% e aksioneve të shoqërisë propozuese “FIER THERMOELECTRIC”, zotërohen nga GEK TERNA, e krijuar nga bashkimi i 2 kompanive greke, që operojnë në fushën e ndërtimit. Ndërkohë që, 30% e aksioneve zotërohen nga kompania shqiptare “Gener 2”. Sipas Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, TEC-i do të jenë me Cikël të Kombinuar me gaz natyror, ndërkohë që furnizimi dhe burimi i gazit natyror është tashmë plotësisht i mbrojtur për shkak të marrëveshjes së nënshkruar, në shkurt 2022, midis GEK TERNA dhe Korporatës Publike të Gazit të Greqisë. Sipas marrëveshjes, kjo e fundit do të furnizojë rreth 2 TË/vit gaz për një periudhë prej të paktën 7 vjetësh, e dorëzuar në Pikën e Ndërlidhjes ABV31 të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) në Roskovec, sipas kushteve te tregut dhe kontratës. Pas propozimit banorët e zonës e kundërshtuan projektin, për shkak të afërsisë me tokat bujqësore.
Përveç prodhimit, viti 2024 shënoi zgjerimin e tregut të liberalizuar të energjisë. Në fillim të vitit ishin 2100 biznese të lidhur në tensionin 20 kV që u shkëputën nga OSHEE, ndërsa 2600 biznese të tjerë të lidhur në tensionin 10 kV u njoftuan se do të dalin në tregun e lirë nga data 1 janar 2025.
Administratori i Furnizuesit të Tregut të Lirë, Albi Gjenerali thotë se këta biznese rrezikojnë ndërprejen e energjisë elektrike, në rast se nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të lidhur kontratat me furnizuesit që operojnë në treg.
“Janë të detyruar sipas ligjit të gjejnë një furnizues të tregut të lirë dhe që nga 1 janari i vitit 2025 t’iu ndërpitet energjia elektrike nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes”, - thotë Gjenerali.
Ndërkaq, vetë FTL si pjesë e OSHEE Group është një nga furnizuesit që mund të përzgjidhet nga Sipërmarrjet që do të dalin në tregun e lirë, teksa çmimi i energjisë për këta klientë do të jetë 18.34 lekë/kWh, pa TVSH.
“Ofron kontratë me çmim fiks, minimalisht 1-vjeçare, çka i jep mundësi të bëjnë llogaritë dhe biznes-planet e tyre dhe nuk ka surpriza që ndërpret funizimit apo ndryshon çmimin gjatë vitit. Pra krijon një stabilitiet të mirë furnizimi për të gjithë këta abonentë”, - thotë Gjenerali.
Dalja në treg të lirë e 2600 klinentëve të lidhur në tensionin 10 kV, vjen pas atij të vitit të kaluar me liberalizimin e rreth 2100 bizneseve të lidhur në tensionin 20 kV. Më herët u shkëputën edhe bizneset e lidhur në tensionin 35 kV, ndërkohë që ende nuk ka një njoftim për tensionin 6 kV apo konsumatorët familjarë që kryesisht janë të lidhur në tensionin 0.4 kV.
Gjatë vitit 2024 u shënua bashkimi i tregjeve energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës.
Krijimi i një tregu të përbashkët energjetik është i favorshëm për secilin shtet. Kjo pasi që siguron rrjedhje më të sigurtë të energjisë, alokim më të lehtë të kapaciteteve, tregtim më të shpejtë dhe më të lirë, si dhe siguron çmim më të përballueshëm për konsumatorët. Po ashtu, Strategjitë e Energjisë, Direktivat e Bashkimit Evropian dhe Paketa e Tretë e Energjisë përkrahin integrimin e tregjeve në një të vetëm, duke konstatuar se kjo garanton më shumë transparencë dhe likuiditet më të madh si për tregtarët dhe operatorët, ashtu edhe për blerësit. Përveç rritjes së transparencës dhe uljes së çmimeve, bashkimi i tregjeve energjetike Shqipëri – Kosovë parashikohet të sjellë edhe rritje të sigurisë energjetike. Kjo duke marrë në konsideratë se Shqipëria e prodhon energjinë elektrike kryesisht nga uji, ndërsa Kosova nga termocentralet, duke mundësuar një treg me shumllojshëmri produktesh.
Paralelisht, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike nisi edhe zhvillimin e ankandeve brenda së njëjtës ditë.
SINRKON
Vetë ALPEX e konsideron nisjen e zhvillimit të ankandeve brenda së njëjtës ditë një arritje dhe hap të rëndësishëm përpara në tregun rajonal të energjisë elektrike, duke forcuar tregtinë ndërkufitare dhe integrimin e tregjeve. Sipas APLEX, tashmë Shqipëria dhe Kosova kanë dhe një mekanizëm shtesë tregu, të njëjtë me ato të vendeve të Bashkimit Evropian, duke i vendosur këto tregje pararendës brenda Komunitetit të Energjisë.
Ankandet Plotësuese Rajonale Brenda të Njëjtës Ditë (CRIDAs) janë ankande, ku urdhërporositë përputhen dhe kapacitetet ndërkufitare alokohen njëkohësisht ndërmjet zonave të ofertimit. Këto ankande ofrojnë mekanizma të vlefshme për pjesëmarrësit e tregut për të mbajtur pozicione tregtare të balancuara dhe për të përmirësuar efikasitetin e tregut. Ankandet brenda së njëjtës ditë prezantojnë një mekanizëm dinamik çmimesh për kapacitetet ndërkufitare brenda të njëjtës ditë, duke mundësuar tregtinë efikase ndërkufitare të energjisë elektrike. Po ashtu, ata optimizojnë alokimin e kapaciteteve ndërkufitare, duke garantuar trajtim të drejtë dhe jo diskriminues për pjesëmarrësit e tregut dhe duke forcuar konkurrencën në prodhimin, tregtimin dhe furnizimin me energji elektrike.
Përfundimi i emergjencës së furnizmit me energji elektrike, viti 2024 shënoi nisjen e investimeve në sektorin eletroenergjetik.
Llambi Miti, nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes thotë se për vitin 2024 është ndërhyrë në disa drejtime, duke synuar uljen e humbjeve në rrjet.
Bregdeti, është prioritet në drejtim të investimeve, teksa Miti bën me dije disa nga zonat më kryesore.
Data 31 dhjetor 2023 shënoi fundin e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike, të shpallur nga qeveria në 22 tetor të vitit 2021. Ndër të tjera, vendimi solli pezullimin e planit të investimeve nga kompanitë publike, përveç investimeve të domosdoshme.
Investimet në sektorin elektroenergjetik do të kenë në fokus zonat urbane dhe veçanërisht ato turistike.
“Ky është viti i parë që ne, pas të gjitha krizave që filluan me tërmetin e 2019 dhe pasuan me pandeminë dhe krizën energjetike, kemi një plan të mirë investimesh. Duke pasur një prioritet për zonat urbane, siç janë qytetet, sigurisht prioritet kryesor mbajnë ato qytete të cilat kanë dhe kapacitete turistike, duke qenë se turizmi ka qenë në vitin 2023 një nga sektorët më të suksesshëm, me 10 milionë vizitorë gjatë vitit dhe presim në 2024 mbi 13 milionë dhe sigurisht këto zona janë në fokusin tonë, siç është Pogradeci, Durrësi, Vlora apo dhe Ksamili. Por, nga ana tjetër, sipas një liste prioritare dalëngadalë ne do të futemi edhe në zonat rurale”, - tha Balluku.
Pas një problematike shumëvjeçare, një nga zhvillimet kryesore gjatë vitit 2024 ishte edhe ndryshimi i skemës së tarifimit për furrat e bukës.
Duke nisur nga data 1 maj furrat e bukës, që tregtojnë edhe prodhime pastiçerie, brumrash apo kanë bar kafe do të paguajnë më shumë për faturat e energjisë elektrike. Enti Rregullator i Energjisë miratoi ndryshimet e propozuara nga Operatori i Shpërndarjes së Enegjisë Elektrike, ndërkohë që sipas skemës së re do të aplikohen 3 fasha të ndryshme, në varësi të aktivitetit që ushtrojnë këto subjekte. Te vetmet që nuk preken nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike janë furrat e bukës, që s’kanë asnjë aktivitet tjetër të integruar, ku çmimi do të vijojë të jetë 7.6 lekë/kWh. Ndërkohë që, për ato ambiente që kanë furra buke, produkte pastiçerie apo dhe produkte të tjera të brumërave, çmimi që do të aplikohet do të jetë 9.5 lekë/kWh. Kategoria e tretë përfshin ato ambiente që janë më të zgjeruara e që kanë të përfshirë bar dhe kafe, për të cilat çmimi do të jetë 12 lekë/kWh. Aktualisht, të gjitha këto sipërmarrje tarifoheshin me 7.6 lekë/kWh, që ishte një çmim preferencial me qëllim mos ndikimin e kostove në çmimin e bukës. Skema e re e tarifimit për këto subjekte u dakordësua më herët mes Ministrisë së Infrastrukutrës dhe Energjisë dhe shoqatës që përfaqëson këto subjekte.
Sondazh

Turizmi, Shqipëria destinacioni "kampion"/ Viti 2024 prek rekord të padiskutueshëm, e tregojnë shifrat
Turizmi padyshim që ka qenë kryefjala në dy viteve të fundit, pasi muaj pas muaji ka regjistruar rekorde të reja duke thyer çdo parashikim. Shifrat zyrtare......

Kryeministri uron shqiptarët: Ky vit, Shqipëria më lart se asnjëherë
Në prag të ndërrimit të viteve, Kryeministri Edi Rama uroi shqiptarët për një vit sa më të mbarë, me shëndet të mirë e gëzime në çdo familje. * * * Ka një......

Turizmi, Shqipëria destinacioni "kampion" -Viti 2024 prek rekord të padiskutueshëm, e tregojnë shifrat
Turizmi padyshim që ka qenë kryefjala në dy viteve të fundit, pasi muaj pas muaji ka regjistruar rekorde të reja duke thyer çdo parashikim. Shifrat zyrtare nga......

2024, viti i eksporteve “Made in Albania”
Bujqësia, një nga sektorët më të rëndësishëm për ekonominë e shtetit, përfaqëson rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në një......

Kompensimi i pronave, a mjafton veç shtyrja e afatit për për përmbylljen e procesit?
Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre dekada vështirë ende të mund të thuhet, se kur do të përfundojë procesi i kompensimit të të pronave. Gati 10 vite më......

Si performoi ekonomia në vitin 2024?- Shqipëria në shifra. Udhëtimi ekonomik mes rritjes dhe sfidave
Në përgjithësi, viti 2024 ka qenë një vit pozitiv për ekonominë shqiptare, me rritje të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësime në disa sektorë kyç. Megjithatë,......

Legalizimet, roli i Bashkive dhe përfitimet për qytetarët- Si do vijojë procesi për 230 mijë familje
Pothuajse ¼ e e banesave në Shqiperi janë informale, pra që nuk kanë dokument pronësie. Këtë e tregojnë dhe të dhënat e bëra publike nga vetë Agjencia e......

Autostradat e 2025-ës - Projektet / Nga korridoret evropiane, te bregdeti
Viti 2024 shënoi përmbylljen e disa prej projekteve rrugore ku punohej prej vitesh, ndërsa disa të tjerë avancuan në drejtim të kryerjes së punimeve apo......