Turizmi, Shqipëria destinacioni "kampion"/ Viti 2024 prek rekord të padiskutueshëm, e tregojnë shifrat
Turizmi padyshim që ka qenë kryefjala në dy viteve të fundit, pasi muaj pas muaji ka regjistruar rekorde të reja duke thyer çdo parashikim. Shifrat zyrtare nga “Instituti i Statistikave” bëjnë me dije përmes treguesve të ndryshëm që lidhen si me hyrjet e vizitorëve, ashtu edhe me strukturat akomoduese apo edhe transportin ajror, se turizmi në vitin 2024 ka përjetuar momentin më të mirë historik dhe pritshmëritë janë për ta vazhduar këtë moment.
Në vitin 2024, turizmi në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme dhe ka vazhduar të jetë një sektor kyç për ekonominë e vendit. Me një strategji të qartë dhe investime të qëndrueshme, Shqipëria ka arritur të tërheqë një numër rekord turistësh të huaj, duke e pozicionuar veten si një destinacion tërheqës në Europë.
Investimet në infrastrukturë kanë qenë një faktor kyç në zhvillimin e turizmit. Ndërtimi i hoteleve të reja, përmirësimi i rrugëve dhe zhvillimi i atraksioneve turistike kanë kontribuar në rritjen e kapacitetit pritës dhe cilësisë së shërbimeve.
Shqipëria ka punuar për të diversifikuar ofertën e saj turistike, duke promovuar jo vetëm bregdetin e mrekullueshëm të Adriatikut dhe Jonit, por edhe zonat malore, qytetet historike dhe atraksionet kulturore. Rajonet si Thethi, Valbona, Gjirokastra dhe Berati kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë, duke ofruar përvoja unike dhe autentike.
Nga ana tjetër, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve ka qenë një prioritet po ashtu.
Referuar të dhënave, sezoni veror ka qenë mjaft i mbarë, por jo vetëm, pasi shifrat pozitive kanë reflektuar një zgjatje të sezonit veror edhe në vjeshtë. Gjatë periudhës Janar-r të vitit 2024, në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 17 milionë hyrje, ku pjesa më e madhe i përket shtetasve të huaj, të cilët kanë shënuar një rritje prej 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në muajin Tetor, në territorin e Republikës së Shqipërisë janë regjistruar rreth 1.4 milionë hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj ose pothuajse 9.6% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Në muajin e dhjetë të këtij viti, janë regjistruar po ashtu afro 1.3 milionë dalje nga territori shqiptar, me një rritje prej 10.8% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të analizuara nga “Scan Intel” numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në vend ka qenë 620,845, me një rritje prej 9.9% krahasuar me Tetorin e vitit 2023. Nga ana tjetër, janë 7611,636 shtetas të huaj që kanë hyrë në Shqipëri ose 9.3% më shumë se në tetor 2023.
Nëse analizën e shtrijmë në një periudhë kohore që nga Janari i këtij viti deri në Nëntor, numërohen rreth 18.2 milionë hyrje gjithsej, ndër të cilët 11.04 milionë ishin të huaj. Kjo shifër tejkalon edhe numrin e të huajve që vizituan Shqipërinë gjatë gjithë vitit 2023.
Në fillim të vitit, projeksionet zyrtare flisnin për një shifër prej 14 milionë hyrje që priteshin përgjatë gjithë vitit. Ecuria ka qenë mjaft premtuese për të arritur këtë rekord.
Megjthatë, ajo që duhet të marrim parasysh është fakti se flasim për hyrje, të cilat jo domosdoshmërisht përkthehen në turistë. Një pjesë prej këtyre hyrjeve janë edhe udhëtarët tranzitë, por kjo nuk e përjashton faktin që këto udhëtarë të mos jenë turistë potencialë të Shqipërisë në të ardhmen.
Sipas “Organizatës Botërore të Turizmit” vendi ynë ishte një nga destinacionet turistike me performancën më të mirë në rritjen e fluksit të turistëve, duke arritur rekord pas rekordi.
“Scan Intel” ka analizuar në detaje të dhënat sa i përjet hyrjeve sipas shteteve për të parë se cilat vende na kanë vizituar më shumë dhe më pak. Si fillim le të analizojmë peshën e hyrjeve nga të huajt që ka secili vend ndaj totalit. Shifrat tregojnë se hyrjet nga Kosova dhe nga Italia zënë gati gjysmën e numrit, pra 48% të totalit ose rreth 5 milionë. Fqinjët ndjekin në renditje me një peshë prej 7.6% për Maqedoninë e Veriut dhe 6.1% për Malin e Zi. Hyrjet nga Greqia, Gjermania, Polonia, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar plotësojnë 10 destinacionet kryesore.
Por cilat vende shënuan rritjen më të madhe?
Nga të dhënat shohim se rritjen më të lartë të numrin të hyrjeve në Shqipëri përgjatë dhjetë muajve të vitit 2024 e kanë shënuar vende si India, Kina, Estonia, Franca dhe Turqia. Rritja vjetore e hyrjeve nga këto vende vlerësohet nga 70% për Turqinë deri në 135% për hyrjet nga India.
Në dhjetë muaj, hyrjet nga Sllovenia dhe Zvicra duket se nuk kanë shënuar ndonjë ndryshim shumë të dukshëm, me një rritje vjetore prej 0.05% dhe 0.01% përkatësisht. Ndërkohë, sa i përket ndryhimit vjetor nga vendet me peshën më të madhe të hyrjeve, shifrat tregojnë se hyrjet nga Kosova kanë rritjen më të ulët me 1.1%, ndërsa hyrjet nga Italia u rritën me 33.9% dhe ato nga Maqedonia e Veriut u rritën me 20.4%.
Cilat vende e vizituan më pak Shqipërinë?
Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i hyrjeve nga disa vende regjistroi rënie, krahasuar me periudhën Janar-Tetor të vitit 2023. Hyrjet nga Lituania, Moldavia, Finlanda, Rusia, Norvegjia, Danimarka, Bjellorusia, Kroacia, Luksemburgu, Arabia Saudite dhe Izraeli shënuan rënie përgjatë dhjetë muajve të këtij viti.
Le ta kalojmë fokusin tek strukturat akomoduese.
Përgjatë periudhës Janar-Shtator të vitit 2024, numri i vizitorëve në strukturat akomoduese u regjistrua në rreth 1.8 milionë, ndërkohë që numri i netëve të qëndrimit për të njëjtën periudhë vlerësohet në rreth 4.5 milionë. Pra në një periudhë nëntëmujore themi se një vizitor qëndroi mesatarisht 2.4 netë në një nga strukturat akomoduese.
Vetëm në tremujorin e parë në Shqipëri u regjistruan gjithsej rreth 563 mijë nëtë qëndrime. Sipas të dhënave të analizuara nga “Scan Intel”, vendi ynë ka shënuar rritjen më të madhe të numrit të netëve të kaluara në struktura, krahasuar me të njejtin tremujor të vitit të kaluar, por edhe krahasuar me periudhën para pandemisë, nëse marrim në konsideratë të gjitha vendet e Europës.
Rreth 50% është rritja për Shqipërinë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023, duke siguruar kështu vendin e parë me rritjen më të lartë. Edhe krahasuar me periudhën para pandemisë, pra në vitin 2019-të, sërish Shqipëria kryeson renditjen me rritjen më të lartë të numrit të netë qëndrimeve, me rreth 188%.
Në tremujorin e parë të vitit 2024, pati 452.6 milionë fjetje në akomodimet turistike në të gjithë Bashkimin Europian, duke shënuar një rritje prej 7% krahasuar me të njëjtin tremujor të 2023. Vizitorët e huaj përbënin afërsisht 45% të të gjitha netë qëndrimeve në tre muajt e parë të vitit 2024, me dallime të mëdha midis vendeve të BE-së. Pesha më e madhe e fjetjeve të huaja në fillim të vitit u regjistrua në Maltë me 91%, Qipro me 87%, Luksemburg me 82% dhe Austri me 78%.
Por cilat shtete pasuan Shqipërinë me rritjen më të lartë të numrin të netë qëndrimeve? Sipas të dhënave të “Agjencisë Europiane të Statistikave”, Estonia është vendi i dytë me rritjen më të lartë, ndjekur nga Luksemburgu dhe Qipro, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023. Ndërkohë, me rënie paraqiten vende si Mali i Zi dhe Islanda me 10.1% dhe 3.9% respektivisht.
Po të analizojmë ndryshimin me vitin 2019-të, shohim se vendi ynë pasohet nga Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi si vendet me rritjen më të lartë të numrit të netë qëndrimeve.
Edhe tre mujat klasikë të verës njohën një rritje të konsiderueshme si të hyrjeve, ashtu edhe në treguesit e strukturave akomoduese.
Rritje shënuan po ashtu nëtë qëndrimet sipas llojit të strukturës, ku numrin më të lartë e regjistruan hotelet dhe akomodimet e ngjashme.
Megjithatë, ajo që duket interesante këto vitet e fundit në Shqipëri është edhe zhvillimi i kampingut si strukturë akomodimi. Sipas të dhënave të strukturave akomoduese, të publikuara nga INSTAT, në muajin Maj të këtij viti rezultoi se rritja më e madhe e vizitorëve gjithsej vihet re në hapësirat për kampingje, për parqe, për çadra ose rulota argëtimi, edhe pse hotelet kishin numrin më lartë të vizitorëve.
Por pse kjo rritje e netë qëndrimeve në kampingje në vendin tonë? Sipas një artikulli të publikuar në muaji Maj nga portali i kampingut, "camping.info", i cili është një nga burimet kryesore europiane të informacionit për pushimet në kamping, rezulton se Shqipëria është më e lira në Europë. Çmimi mesatar i kampingut në vendin tonë për një natë qëndrimi arrin deri në 13.5 euro.
Le të rikthehemi tek suksesi i sezonit veror. “Scan Intel”, ashtu si më parë, do t’i sjellë shifrat ndryshe duke marrë në analizë numrin e hyrjeve dhe daljeve në vendin tonë përgjatë Qershorit, Korrikut dhe Gushit. Të dhënat nga INSTAT këtë vit kanë treguar që edhe daljet nga territori i Shqipërisë kanë qenë shumë në numër. Gjatë tre muajve të verës numri i daljeve gjithsej, nga vendas dhe të huaj, regjistrohet në rreth 7.1 milionë, ose 9% më shumë se në vitin e kaluar.
Nëse përqëndrohemi vetëm në daljet e shtetasve shqiptarë, të dhënat bëjnë me dije në tre mujat e verës dolën nga territori rreth 2.2 milionë shtetas. Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, pa marrë në konsideratë numrin e emigrantëve, mund të themi se vetëm përgjatë verës numri i daljeve nga Shqipëria është gati sa 90% e numrit total të popullsisë sipas rezultateve të fundit të Censit.
Vlen të përmendim se shumë shqiptarë kënë zgjedhur t’i kalojnë pushimet jashtë dhe kjo për shkak të ndikimit të euros. Paketat turistike zakonisht janë në euro dhe rënia e monedhës ka bërë që për shqiptarët këto paketa të jenë më të lira.
Ndërkohë, le të bejmë një përllogaritje tjetër duke marrë në konsideratë jo vetëm numrin e daljeve, por edhe atë të hyrjeve në periudhën Qershor-Gusht. Sipas të dhënave të analizuara edhe më herët nga “Scan Intel”, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e qëndrimit, nëse popullsisë rezidente i shtojmë hyrjet gjithsej të muajve të verës dhe i heqim daljet, atëherë na rezulton se përafërsisht në Shqipëri në një ditë çfarëdo të kësaj peridhe ka patur rreth 2.9 milionë banorë.
Linjat “low cost” kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e turizmit në Shqipëri. Këto linja ajrore me çmime të ulëta kanë bërë që Shqipëria të bëhet më e aksesueshme për turistët ndërkombëtarë, duke ndikuar pozitivisht në rritjen e numrit të vizitorëve.
Ndërkohë, nga ana tjetër, numri i pasagjerëve të cilët kanë udhëtuar në linja ajore kanë arritur po ashtu një shifër rekord.
Referuar të dhënave në faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, përgjatë përiudhës Janar-Nëntor të këtij viti kanë udhëtuar me linja ajrore rreth 9.97 milionë pasagjerë, me një rritje vjetore prej 51%. Vetëm në Tetor numërohen rreth 717 mijë, me një rritje prej 16%. Këto shifra mbështesin faktin se turizmi në Shqipëri ka përjetuar një rritje të vazhdueshme muaj pas muaji.
Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, mund të themi se në çdo muaj të këtij viti kanë udhëtuar në linja ajrore mesatarisht rreth 925 mijë pasagjerë.
Por çfarë thonë të dhënat për numrin e fluturimeve?
“Scan Intel” ka marrë në analizë të dhënat e EUROSTAT për të parë se si varion rritja e numrit të fluturimeve në vendin tonë, rajon dhe Europë.
Numrat flasin për rreth 58 mijë fluturime komerciale përgjatë dhjetë muajve të vitit aktual në vendin tonë. Shifrat e "Agjencisë Europiane të Statistikave" mbi numrin e fluturimeve komerciale sipas vendeve të Europës tregojnë se Shqipëria është e dyta që ka shënuar rritjen më të lartë të këtij treguesi për dhjetëmujorin, krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat bëjnë me dije se numri i flututrimeve në vendin tonë është rritur me rreth 46.6%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2023. Shqipëria, bashkë me Islandën, kryeson me rritjen më të madhe, ndërkohë që numri i fluturimeve në Bashkimin Europian është rritur me 6%, krahasuar me vitin 2023.
Vende të rajonit po ashtu raportojnë rritje të numrit të fluturimeve, por pa mundur të tejkalojnë Shqipërinë. Sipas shifrave, rritja në Malin e Zi vlerësohet me 15.6%, në Bosnje Hercegovinë me 9.2%, në Maqedoninë e Veriut me 10.6% dhe në Serbi me 9.1%.
Por, arritjet e turizmit në Shqipëri nuk kanë mbetur vetëm brenda kufinjve, pasi shumë media ndërkombëtare kanë shkruar për vendin tonë. Sipas një publikimi nga “Skift Research”, Shqipëria cilësohet si një destinacion miqësor me buxhetin.
Një raport i tendencave të udhëtimit 2024 nga Mastercard tregoi rritje të trafikut ajror dhe qëndrime më të gjata në disa destinacione më të lira.
Shqipëria është një destinacion i shquar miqësor me buxhetin. Vendi ka pasur një rritje prej 141% të trafikut ditor të fluturimeve që nga viti 2019. Për këtë verë, kryeqyteti shqiptar i Tiranës, i cili ndodhet pranë disa hoteleve në plazh, po dëshmon një rritje të përqindjes së rezervimeve të fluturimeve nga nivelet para pandemisë. Raporti e quan atë një nga destinacionet verore në trend të këtij viti.
Por suksesi i turizmit pasqyrohet edhe në shifrat e “Bankës së Shqipërisë”. Gjatë tre muajve të tretë të vitit 2024 turistët kanë shpenzuar në Shqipëri rreth 1.9 miliardë euro, duke konfirmuar kështu trendin mjaft pozitiv të sektorit, të nisur që prej dy viteve të kaluara. Shifrat e tremujorit të tretë të vitit sinjalizojnë një rekord historik absolut. Rekordi i mëparshëm për këtë periudhë kohore regjistrohej një vit më parë, me rreth 1.6 miliardë euro, çka do të thotë se rekordi është tejkaluar me 246 milionë euro, ose me 15%. Nëse marrin në konsideratë nëntë muajt e parë të vitit, të dhënat më të fundit zyrtare nga "Banka e Shqipërisë" tregojnë se të huajt në Shqipëri kanë shpenzuar një shifër rekord prej 3.85 miliardë eurosh.
Sipas të dhënave të tjera të INSTAT në nëntë muajt e parë të vitit aktual numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 9.7 milionë. Kështu sipas shifrave të “Bankës së Shqipërisë” mund të gjejmë sa ka shpenzuar mesatarisht një turist i huaj në Shqipëri. Sipas përllogaritjeve rezulton që shpenzimi mesatar për një person ka qenë rreth 400 euro.
Kujtojmë se gjatë vitit 2023 si të plotë, sipas “Bankës së Shqipërisë”, turistët shpenzuan në vend rreth 4.1 miliardë euro. Ndërkohë, të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga turizmi vitin e kaluar arritën vlerën e 1.8 miliardë eurove, duke vendosur një rekord historik, me diferencë të madhe nga vitet e tjera. Shifrat bëjnë me dije se ecuria e këtij viti mund të thyejë ndjeshëm nivelin e vitit 2023.
Por, nivele rekord shpenzimesh raportohen edhe nga shqiptarët jashtë, me 878 milionë euro në tremujorin e tretë të vtit 2024. Gjithsesi, bilanci neto mes shpenzimeve të turistëve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë fiksohet pranë rreth 1 miliardë euro, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për tremujorin e tretë të vitit.
Nga ana tjetër, nëse i referohemi periudhës nëntëmujore shohim se shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit vlerësohet në rreth 2 miliardë euro, ndërkohë që bilanci neto regjistrohet në 1.8 miliardë euro.
Këto shifra konfirmojnë se paratë e shpenzuara nga turistët këtë vit janë padiskutim një arsye e qenësishme që mund të ndikojë në zhvlerësimin e euros dhe që shton frikën për një rënie të mëtejshme të monedhës së përbashkët europiane.
Por nuk ka qenë vetëm numri i hyrjeve që ka tejkaluar çdo rekord. Edhe numri i shqiptarëve të cilët kanë zgjedhur të pushojnë jashtë është rritur ndjeshëm.
Të nxitur gjithnjë e më shumë nga fluturimet “low-cost” dhe nga zhvlerësimi i euros, shqiptarët që kanë kryer pushimet jashtë vendit gjatë sezonit veror kanë shpenzuar afërsisht 878 milionë euro.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT, të kryqëzuara me të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë, tregojnë një trend të qartë të rritjes së shpenzimeve, i cili lidhet ngushtë me mundësitë e reja të ofruara nga biletat ajrore me çmime të ulëta dhe kursin e dobësuar të euros kundrejt lekut.
Sipas statistikave, një qytetar shqiptar ka shpenzuar mesatarisht €380 për pushime jashtë vendit ose për shërbime të tjera.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shqiptarët kanë shpenzuar rreth €16 më shumë për pushime dhe shërbime të tjera jashtë vendit.
Një tjetër fakt që vlen të theksohet është se 878 milionë euro të shpenzuara përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti përbëjnë gjithashtu shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë nga të dhënat e “Bankës së Shqipërisë”.
Ky është një tregues i fortë i rritjes së kërkesës për udhëtime jashtë vendit dhe i stabilitetit të ekonomisë shqiptare, që mundëson një shpenzim më të madh nga qytetarët.
Por çfarë pritet të sjellë viti 2025 për sektorin e turizmit?
Shifrat kanë tregues se tendenca rritëse e hyrjeve apo edhe netë qëndrimeve mund të vazhdojë edhe në vitin 2025. Turizmi këtë vit po shfaq dy karakteristika kryesore, të cilat parashikojmë se në vitin 2025 do theksohen akoma më shumë. Së pari, është shtrirja në kohë dhe së dyti shtrirja në territor. Për nëntë muajt e parë të vitit, zonat e mbrojtura u vizituan nga 4.5 milionë vizitorë vendas dhe të huaj (shifër që tejkalon gjithë vitin 2023), ndërsa sitet e kulturës arritën rekordin e 1.1 milionë vizitorëve.
Projektbuxheti i vitit 2025 për turizmin, krahasuar me projektbuxhetin e vitit 2024, ka një rritje prej 7.9% ose 306 milion lekë, kjo si rezultat i rritjes se pagave në bazë të politikave të qeverisë si dhe investimeve të brendshme me 173 milion lekë. Fondi i planifikuar për shpenzime korrente për vitin 2025 është 49 milion lekë më shumë dhe kjo rritje ka kaluar e gjitha për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për të mbuluar shpenzimet në miradministrimin e zonave të mbrojtura.
Sondazh

Kryeministri uron shqiptarët: Ky vit, Shqipëria më lart se asnjëherë
Në prag të ndërrimit të viteve, Kryeministri Edi Rama uroi shqiptarët për një vit sa më të mbarë, me shëndet të mirë e gëzime në çdo familje. * * * Ka një......

Turizmi, Shqipëria destinacioni "kampion" -Viti 2024 prek rekord të padiskutueshëm, e tregojnë shifrat
Turizmi padyshim që ka qenë kryefjala në dy viteve të fundit, pasi muaj pas muaji ka regjistruar rekorde të reja duke thyer çdo parashikim. Shifrat zyrtare nga......

2024, viti i eksporteve “Made in Albania”
Bujqësia, një nga sektorët më të rëndësishëm për ekonominë e shtetit, përfaqëson rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në një......

Kompensimi i pronave, a mjafton veç shtyrja e afatit për për përmbylljen e procesit?
Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre dekada vështirë ende të mund të thuhet, se kur do të përfundojë procesi i kompensimit të të pronave. Gati 10 vite më......

Si performoi ekonomia në vitin 2024?- Shqipëria në shifra. Udhëtimi ekonomik mes rritjes dhe sfidave
Në përgjithësi, viti 2024 ka qenë një vit pozitiv për ekonominë shqiptare, me rritje të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësime në disa sektorë kyç. Megjithatë,......

Legalizimet, roli i Bashkive dhe përfitimet për qytetarët- Si do vijojë procesi për 230 mijë familje
Pothuajse ¼ e e banesave në Shqiperi janë informale, pra që nuk kanë dokument pronësie. Këtë e tregojnë dhe të dhënat e bëra publike nga vetë Agjencia e......

Autostradat e 2025-ës - Projektet / Nga korridoret evropiane, te bregdeti
Viti 2024 shënoi përmbylljen e disa prej projekteve rrugore ku punohej prej vitesh, ndërsa disa të tjerë avancuan në drejtim të kryerjes së punimeve apo......

“Viti i Ri”, plan masash nga OSHEE -Miti: Grupe terreni në natën e fundit të vitit. Asnjë familje pa drita.
Për të garantuar që asnjë familje në kryeqytet, por jo vetëm, të kalojë natën e Vitit të Ri me energji elektrike, OSHEE ka hartuar një plan masash për......