Shqipëria Postuar më 1 Janar 2025, 20:00

2024, viti i eksporteve “Made in Albania”

Nga Hamit Yzeiraj
2024, viti i eksporteve “Made in Albania”

Bujqësia, një nga sektorët më të rëndësishëm për ekonominë e shtetit, përfaqëson rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke ndikuar drejtëpërdrejtë në një të pestën e tij. Sipas buxhetit të vitit 2025, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të ketë në dispozicion 15 miliardë lekë. Por, pyetja që mbetet është: a janë të mjaftueshme këto fonde për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit?

Sipas Agim Rrapajt, një nga ekspertët kryesorë të bujqësisë, buxheti aktual nuk është ende i mjaftueshëm për të adresuar sfidat e sektorit. Ai thekson se duhen më shumë fonde dhe një përqasje strategjike për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm. Megjithatë, Rrapaj nënvizon edhe disa ecuri pozitive, si për shembull rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore “Made in Albania”, veçanërisht produktet e përpunuara nga mishi, zarzavatet, drithërët dhe pijet alkoolike, të cilat patën një rritje me rreth 50% krahasuar me vitin 2023. Kjo tregon një potencial të madh për zhvillimin e sektorit nëse mbështetja shtetërore rritet.

Nga ana tjetër, Ilir Pilku, gjithashtu ekspert i bujqësisë, shfaqet më skeptik. Ai nënvizon se për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm, qeveria duhet të japë më shumë mbështetje ndaj fermerëve dhe përmirësimin e infrastrukturës. Sipas tij, fondet aktuale janë të pamjaftueshme dhe shpesh ndarja e tyre nuk adreson nevojat reale të fermerëve.

Gjatë vitit 2024, sipas INSTAT, eksportet bujqësore të etiketuar si “Made in Albania” shënuan një rritje të ndjeshme. Produktet si mishi i përpunuar, zarzavatet dhe drithërët ishin kryesore në këtë sukses. Përveç tyre, edhe pijet alkoolike regjistruan një rritje prej 50% krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, disa kategori produktesh, si qumështi, u ndikuan nga konkurrenca e importit me çmime të ulëta, duke ndikuar negativisht në të ardhurat e fermerëve vendas.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është Skema Kombëtare e Bujqësisë, e cila ka pasur një rol thelbësor në mbështetjen e fermerëve. Deri në nëntor të vitit 2024, skema ka mbështetur rreth 50 mijë përfitues me një vlerë financimi prej 1.7 miliardë lekë. Një risi pozitive ishte subvencioni i naftës, ku fermerët kaluan fondet për naftë direkt në llogaritë e tyre bankare.”. Sipas Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, rreth 540 investime të suksesshme u realizuan nëpër katër fazat e programit. Pritshmëritë janë që Shqipëria të përfittojë sërish nga fondet e IPARD, sapo të plotësohen disa kritere të nevojshme.

Sfidë për fermerët mbetet dhe përballja me kushtet e papritura atmosferike. Reshjet e shumta, era e fortë dhe breshëri janë shkaktarë të dëmtimeve të konsiderueshme në produktet bujqësore dhe serat. Një program i qartë për të adresuar këto problematika dhe për të siguruar masa mbrojtëse do të ishte jetësor për vitin 2025.

Bujqësia shqiptare ka potencial të madh, por siç theksojnë ekspertët, sfidat financiare dhe infrastrukturore mbeten pengesa që duhen adresuar. Vetëm nëpërmes një mbështetjeje më të madhe dhe një strategjie të qartë mund të realizohet zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat