Zgjedhjet në Kosovë, programet e partive - Premtimet e kandidatëve në garën për udhëheqjen e vendit
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë shihen gjerësisht si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021.
Partitë politike kanë vendosur në qendër të fushatës së tyre zotimet për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, i cili përballet me papunësinë, inflacionin dhe nevojën për më shumë investime të huaja.
“Gjatë mandatit të ardhshëm paga minimale do të rritet mbi 500 euro dhe nuk do të tatohet. Kjo nënkupton që edhe për biznesin e vogël individual 6 mijë eurot e para të taksës vjetore do të jenë të liruara nga tatimi”, tha gjatë një tubimi kryeministri Albin Kurti.
Ndërsa kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike, Bedri Hamza ka premtuar se “në muajt e parë të qeverisjes, pagat do të rriten me 50 për qind… dhe pensionet bazike me 70 për qind, gjithashtu edhe pensionet kontributdhënëse të cilat do të përshkallëzohen sipas viteve të punës”.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku theksoi se programi i tyre përmban “5 miliardë euro investime, 5 miliardë euro buxhet dhe 5 për qind rritje ekonomike…Që në javën e parë të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë, duke përfshirë mësuesit, mjekët, zjarrfikësit, ushtarët, do t’u rrisim ndjeshëm pagat”, u shpreh ai.
Kandidati për kryeministër nga koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shpalosur planin e tij për zhvillimin ekonomik, duke theksuar rritjen e investimeve dhe krijimin e mundësive për bizneset. Programi parashikon një rritje ekonomike prej 7%, me një total investimesh prej 25 miliardë eurosh, përfshirë 9 miliardë euro nga sektori publik dhe 16 miliardë euro nga sektori privat.
Fushata elektorale në Kosovë është karakterizuar nga një qasje e pazakontë, ku partitë politike kanë zhvilluar fushata të ndara dhe pa përplasje të drejtpërdrejta mes tyre. Sipas analistëve, strategjia e Albin Kurtit ka qenë të fokusohet te fjalimet, pa shpalosur ndonjë program elektoral të qartë. Në anën tjetër, lideri i Partisë Demokratike Bedri Hamza ka qenë i përqendruar kryesisht tek ekonomia, ndërsa Lumir Abdixhiku i LDK-së ka pasur një fushatë më të organizuar dhe e ka kaluar ekonominë në plan të dytë.
Premtimet mbi bizneset, eksportet
Kur ka prezantuar programin e Qeverisë së tij në maj të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë, mes tjerash, se potenciali i madh i prodhimit të ushqimit në Kosovë, duhet të shfrytëzohet jo vetëm për nevoja të brendshme, por edhe për të eksportuar.
Katër vjet më vonë, bilanci tregtar nuk ka ndryshuar shumë. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe të Doganës së vendit tregojnë se në vitin 2021 vlera e eksporteve në Kosovë ka qenë 775.7 milionë euro, kurse e importeve 4.6 miliardë euro. Në vitin 2024, eksportet janë rritur në 990.2 milionë euro, por edhe importet në 6.3 miliardë euro.
Edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, Kurti bëri premtime të ngjashme. “Do të ofrojmë mbështetje deri në një miliard euro për investime të mesme e të mëdha në ndërmarrjet prodhuese. Do ta shtojmë prodhimin dhe investimin, do ta mundësojmë riinvestimin dhe do ta rrisim eksportet”, u shpreh ai.
Edhe kandidatët rivalë kanë bërë premtime të këtij lloji. Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se do të ndajë mbi 6 miliardë euro për projekte kapitale dhe zhvillimore.
“Ne do t’i mbështesim bizneset private. Në qeverinë time, nuk do të ketë më pagesa të TVSH-së në kufi, por në brendi të Kosovës, pas shitjes së produkteve dhe jo përpara”, u ka thënë Hamza mbështetësve.
Për Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bizneset krijojnë vende të reja të punës, eksportojnë dhe ulin deficitin e lartë tregtar. Është “paradoks i kohës”, sipas tij, që ato edhe sot e kësaj dite përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Të njëjtën pikëpamje, në disa tubime me mbështetës, e ka ndarë edhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në konferencën e fundvitit, Kurti ka thënë se, për tre vjet, u ka shpërndarë bizneseve 1.3 miliardë euro në formë të granteve dhe programeve të tjera, për të forcuar konkurrencën e tyre në tregjet vendore e ndërkombëtare.
Por, bilanci tregtar nuk është përmirësuar asnjëherë. Kosova çdo vit importon mesatarisht 5 miliardë euro mallra, nisur nga qepët, domatet, mollët e deri te materialet ndërtimore, ndërsa eksporton në vlerën e më pak se 1 miliard eurove, kryesisht produkte të metalit dhe plastikës.
Prodhuesit vendas ankohen vazhdimisht për Tatim të lartë mbi Vlerën e Shtuar, për ekonomi joformale, kamata të larta për kredi, mungesë infrastrukture dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Distanca midis premtimit dhe veprimit
Zotimet elektorale janë të shumta. Por sa janë të realizueshme këto premtime? Ekspertët thonë se të gjitha projektet e paraqitura nga partitë politike do të ishin të dobishme për zhvillimin ekonomik të vendit, por janë skeptikë për realizimin e tyre, sidomos në lidhje me rritjen e pagave.
Për shumë analistë ekonomie, programet e partive politike nuk pasqyrojnë si duhet nevojat e vendit për zhvillim ekonomik. Rrethanat aktuale kërkojnë udhëheqës të hapur për dialog publiko-privat që të krijohen mundësitë për trajtimin e problemeve thelbësore. Sipas tyre, aspekt pozitiv është mungesa e paralajmërimeve për rritjen e taksave.
Ekspertët shpjegojnë se situate aktuale pasqyron ndryshime të mëdha, jo vetëm në Kosovë e Ballkan, por edhe në Bashkimin Evropian e në Shtëpinë e Bardhë. Gjithashtu pritet edhe lëkundje tregjesh me vendosjen e tarifave nga ana e administratës Trump, që do të ketë një efekt global në tregti. Ndër të tjera, Kosova është ende nën masa ndëshkuese e nuk mund të përfitojë projekte kapitale nga Komisioni Evropian.
Vendi vuan për investime të huaja cilësore edhe për shkak të krizave të vazhdueshme në veri. Konfliktet e vazhdueshme me popullsinë serbe kanë larguar jo pak investitorë potencialë, të cilët kanë qenë të interesuar për të vendosur projektet e tyre në Kosovë.
Gjithashtu, rritja e premtuar e pagave është proces që kërkon kohë dhe ndryshime të mëdha buxhetore. Por çfarëdo lloj ndryshimi duhet të bëhet mbi një analizë se përse duhet të ketë rritje të pagave në sektorin publik e cili do të jetë efekti i tij në sektorin privat.
Në vlerësimin e fundit të Bankës Botërore për Kosovën, të përditësuar në tetor të vitit të kaluar, thuhet se vendi ka shënuar përparim të qëndrueshëm ekonomik që nga shpallja e pavarësisë, me një rritje prej afër 50 për qind të të ardhurave për frymë dhe një ulje prej 35 për qind të shkallës së varfërisë. Mëgjithatë, për të vazhduar rritjen ekonomike, Kosovës i duhen më shumë vende cilësore të punës, nëpërmjet trajtimit të pengesave të infrastrukturës, investimeve në kapitalin njerëzor dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin e sektorit privat.
Sipas një parashikimi të Bankës Botërore, rritja ekonomike në Kosovë këtë vit do të jetë 3.9 për qind, nga 3.8 për qind që ka qenë në 2024.
Me popullsi relativisht të re, me tokë të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme, me burime ujore e minerare, Kosova, me popullsi 1.6 milionë ka ende shpresë... por qeveritë duhet t’i kthejnë premtimet në veprime.
Sondazh

Mbi 2 milionë shtetas të Kosovës me të drejtë vote - 28 forca politike garojnë në zgjedhje, prej të cilave 20 parti
Mbi 2 milionë shtetas të Kosovës kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e sotme, por ndër vite të drejtën e tyre nuk e kanë shfrytëzuar një pjesë e......

Vendet baltike ndërpresin lidhjet me rrjetin elektrik rus, përgatiten të lidhen me BE-në!
Tre shtetet baltike ndërprenë të shtunën lidhjet me rrjetin elektrik të Rusisë për t'u bashkuar me rrjetin e Bashkimit Europian, kulmi i një procesi......

Një asteroid mund të godasë Tokën në vitin 2032 - Shkencëtarët studiojnë trajektoren e lëvizjes dhe mënyrat për ta shmangur
Një asteroid që ka një shanse të vogla për të goditur Tokën në vitin 2032 po monitorohet nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), sipas Zyrës së Mbrojtjes......

“Kostot e energjisë së pastër do të vazhdojnë rënien” - Sipas raportit, burimet e gjelbra kushtojnë më pak se impiantet fosile
Kostoja e teknologjive të energjisë së pastër në mbarë botën, si ruajtja e erës, diellit dhe baterive, pritet të bjerë më tej këtë vit, tregoi një raport,......

Sa para’ ka mbledhur KPP në 2024 nga tenderat? - Buxheti i shtetit arkëtoi 59 milionë lekë tarifa financiare
Komisioni i Prokurimeve Publike, në muajin dhjetor të vitit që lamë pas ka regjistruar 90 ankesa për prokurimet publike. Por, referuar të dhënave të......

“Tarifat e Trump do të trondisin tregtinë globale” - Banka për Shlyerjet Ndërkombëtare paralajmëron për pasojat ekonomike
Grupi kryesor i bankës qendrore në botë, Banka për Shlyerjet Ndërkombëtare, ka dhënë paralajmërimin e parë publik në lidhje me rreziqet e paraqitura nga......

Në fund të dhjetorit, rreth 424 mld lekë jashtë bankave/ Plan masash për limitimin e pagesave cash për individët
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2024 është parë një rritje e ndjeshme e parasë që qarkullon jashtë bankave. Nga janari......

560 mijë vizitorë të huaj në janar - Kumbaro: Rreth 14,5% më shumë se viti i kaluar. Shqipëria, me turizëm gjithëvjetor
Gjatë muajit janar, në Shqipëri kanë ardhur gjithsej 560 mijë vizitorë të huaj. Në krahasim me janarin e vitit të kaluar, vërehet një rritje me 14,5% e......