Europa Postuar më 8 Prill 2026, 10:30

1 në 5 të rinj gjermanë mendojnë të largohen nga vendi - Jetesa gjithnjë e më e vështirë dhe streset, janë shkaqet kryesore

Nga Dorian Koça

1 në 5 të rinj gjermanë mendojnë të largohen nga vendi

Një numër gjithnjë e në rritje gjermanësh të moshës 14-29 vjeç thonë se po planifikojnë në mënyrë aktive të largohen nga atdheu i tyre. Rreferuar një studimi të fundit të quajtur "Youth in Germany", rreth 21% e të rinjve gjermanë të anketuar thonë se po planifikojnë në mënyrë aktive të largohen nga Gjermania për të gjetur një jetë më të mirë. Plot 41% thonë se mund ta imagjinojnë zhvendosjen jashtë vendit në një afat më të gjatë.

Gjetjet bazohen në një anketë përfaqësuese kombëtare me 2,012 persona të moshës 14 deri në 29 vjeç, të kryer midis 9 janarit dhe 9 shkurtit 2026. Të anketuarit thanë se ishin të shqetësuar për sigurinë ekonomike në Gjermani, e cila ka pasur një ekonomi në stanjacion për dy vitet e fundit. Rritja e kostove të strehimit, perspektivat e dobëta të karrierës përballë inteligjencës artificiale dhe rritja e presionit financiar po e bëjnë më të vështirë për të rinjtë të bëhen të pavarur, thanë pjesëmarrësit në anketë.

"Rezultatet e studimit tregojnë në një mënyrë dramatike se sa shumë po ndikojnë te të rinjtë presionet e viteve të fundit në formën e stresit, lodhjes dhe një ndjenje në rritje të mungesës së perspektivës", thanë organizatorët e studimit.

Brezi i Gjeneratës Z po tenton gjithashtu drejt ekstremeve politike në Gjermani. 21% e votuesve nën moshën 25 vjeç votuan për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet e fundit të shtetit Rheinland-Pfalz. Ndërkohë, partia e krahut të majtë, Die Linke, mori 19% të votave nga kjo grupmoshë. Peisazhi politik gjithnjë e më i polarizuar i vendit, veçanërisht rritja e partive të ekstremit të djathtë po bën që shumë të rinj të marrin në konsideratë largimin.

Gjermania mbetet ekonomia e tretë më e madhe në botë sipas PBB-së nominale, pas hteteve të Bashkuara dhe Kinës. Pra, ku po shkojnë këta të rinj gjermanë? Sipas një sondazhi të Destatis të vitit 2024, Zvicra është destinacioni kryesor, i ndjekur nga Austria. Kryeqyteti austriak, Vjena, renditet vazhdimisht midis qyteteve më të jetueshme në botë, me shërbimet e saj publike të besueshme dhe cilësinë e lartë të jetës. Në sondazhin e Mercer për Cilësinë e Jetesës të vitit 2024, qyteti u rendit i dyti në botë, duke lënë pas vetëm Zyrihun. Vende të tjera me qytete në listë përfshijnë SHBA-në, Spanjën dhe Francën.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat