Shqipëria Postuar më 7 Prill 2026, 19:46

Përgatitjet për turizmin, kryeministri Rama inspekton projektet në Bashkinë e Lezhës

Nga SCAN TV

Përgatitjet për turizmin, kryeministri Rama inspekton projektet

Zona e Tales në Lezhë, është prej kohësh një destinacion i përzgjedhur turistik, i cili çdo vit e më shumë po tërheq një numër në rritje vizitorësh. Për të kompletuar infrastrukturën që lehtëson aksesin në zonë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri zhvillimit të turizmit, qeveria ka mbështetur projektin e bashkisë për ndërtimin e një rruge të re, që lidh fshatin Rrilë dhe Hidrovorin e Tales me autostradën Lezhë–Tiranë, një investim me gjatësi 6.3 km, i ndërtuar sipas standardeve moderne, me korsi biçikletash, trotuare në të dy anët dhe elementë dekorative.

Për të inspektuar rrugën e re, ishte sot në Lezhë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu, së bashku edhe me banorë të zonës, të cilët e kanë mirëpritur këtë investim.

Kryebashkiaku Ndreu, vlerësoi infrastrukturën e re, si një ndër projektet më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në zonë, duke theksuar se kjo rrugë, jo vetëm përmirëson ndjeshëm aksesin drejt Tales dhe Hidrovorit, por ka rritur edhe vlerën e pronave përreth dhe ka krijuar një realitet të ri për komunitetin lokal.

“6.3 km, 10 metra e gjerë me korsi biçikletash, me trotuar është një nga rrugët më të vlefshme për turizmin. Meqenëse industria kryesore është turizmi në Lezhë, qeveria na ka mbështetur me projektin e bashkisë për të bërë një rrugë të tillë, e cila krijon një tjetër realitet edhe për zonën këtu, po edhe për turizmin në Tale. Me thënë të drejtën jemi shumë falënderues. Këta miq që kanë dalë me dëshirën e tyre këtu, nuk e kanë menduar se një ditë do ndodhte kjo. Ky investim i ka rritur vlerën edhe tokave përreth në të gjithë zonën.” – u shpreh ai.

 

Ndërsa Kryeministri Rama sugjeroi përmirësimin e mëtejshëm të elementëve estetikë të rrugës, duke nënvizuar nevojën për shtimin e gjelbërimit përgjatë saj, si një komponent i domosdoshëm për ta kthyer këtë aks në një rrugë të mirëfilltë turistike.

Paralelisht me investimet në infrastrukturën rrugore, po vijon edhe zbatimi i një projekti të rëndësishëm në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Ky projekt përfshin ndërtimin e ujësjellësit të ri në Kodër-Marlekaj, i cili do t’u shërbejë rreth 5 mijë banorëve, si dhe rehabilitimin e rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, duke synuar zgjidhjen përfundimtare të problematikës së përmbytjeve në zonë.

 “Kjo është faza e parë e projektit të financuar nga KFV-ja që ndahet në pesë komponentë të ndryshëm. E fillojmë me pjesën e ndërtimit të ujësjellësit për dy fshatrat Kakarriq dhe Gocaj që u shërbejnë 3000 banorëve duke mundësuar përfundimisht furnizimin me ujë 24 orë në ditë. Një komponent tjetër është përmirësimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura që është aktualisht.  Është një detyrim ligjor që të përputhemi me direktivën e ujërave sipas Bashkimit Europian. Një komponent tjetër është ndërtimi i Ujësjellësit të  Kodër Marlekaj që i shërben 5000 banorëve. Komponent tjetër shumë i rëndësishëm është pjesa e rehabilitimit të ujërave të zeza dhe ujërave të shiut, duke qenë se pjesa e Lezhës gjithmonë ka vuajtur pjesën e përmbytjeve.” – detajoi inxhinieri i projektit.

Këto investime madhore synojnë, jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së jetës për qytetarët, por edhe rritjen e qëndrueshme të potencialit turistik dhe ekonomik të gjithë zonës së Lezhës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat