Shqipëria Postuar më 7 Shkurt 2024, 10:19

Jo vetëm euro, edhe dollari flukse shumë të larta në 2023 - Vetëm në dhjetor, totali i depozitave arriti 753.4 milionë, nga 716.5 milionë në nëntor

Nga SCAN TV

Në vitin 2023 nuk ka qenë vetëm euro që ka shtuar ndjeshëm qarkullimin në sistemin bankar shqiptar, por edhe dollari amerikan. Mbase jo me flukset shumë të larta të monedhës së përbashkët evropiane, por veçanërisht gjatë muajve të fundit të vitit që sapo lamë pas, është shënuar një rritje e ndjeshme e depozitave në monedhën amerikane. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vetëm në muajin dhjetor, totali i depozitave në dollarë ka kërcyer në 753.4 milionë nga 716.5 milionë në nëntor.

Krahasuar me dhjetorin e vitit të shkuar, kur totali i depozitave në dollarë ishte 685.1 milionë, rritja është thuajse 10%. Dhjetori ka qenë edhe muaji me shtimin më të shpejtë të depozitave, ndërkohë që prurje të larta janë shënuar edhe në muajin janar dhe gusht.

Dollari amerikan ka ndjekur në këtë mënyrë ecurinë e euros jo vetëm sa i përket kursit të këmbimit, por edhe flukseve në sistemin bankar, megjithëse me ritme më të moderuara. Ecuria e kursit eur/lek ka diktuar vitin e shkuar edhe luhatjet e kursit të dollarit, i cili, ashtu si monedha e përbashkët evropiane, preku vlerën më të ulët mesatare në muajin korrik, prej 93.4 lekësh, për t’u rritur në 100.0 lekë në muajin shtator.

Gjithësesi, ndërsa shtimi i depozitave në dollarë ka qenë 9.9%, i atyre në euro mbeti përgjatë gjithë vitit mbi vlerën 15%. Në fund të dhjetorit depozitat në euro rezultojnë përsëri me rritje dyshifrore në raport me një vit më parë. Nga 6,316 miliardë në dhjetor 2022, ato janë shtuar me 15.5% në muajin e fundit të vitit që sapo lamë pas, në nivelin 7,299 miliardë euro. Rritja kaq e fortë e depozitave në euro, ka amortizuar disi ecurinë e depozitave në monedhën tonë kombëtare, të cilat në të kundërt kanë shënuar rritje më modeste përgjatë gjithë vitit.

Ajo që bie në sy nga të dhënat e sapopublikuara nga Banka e Shqipërisë është rritja në fund të vitit e depozitave në euro me afat, me shumë gjasa në reflektim të rritjes së normave të interesit nga ana e bankave të nivelit të dytë.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat