Europa Postuar më 21 Korrik 2023, 11:12

Itali, “zbuten” tarifat për pagesat dixhitale - Arrihet marrëveshja me shitësit me pakicë

Nga SCAN TV
Itali, “zbuten” tarifat për pagesat dixhitale - Arrihet

Autoriteti italian i konkurencës i ka dhënë dritën jeshile një marrëveshjeje të negociuar nga shitësit me pakicë, bankat dhe firmat e pagesave për të zbutur tarifat për transaksionet me karta të shumave vogla, siç kërkohet nga qeveria.

Vendimi pritet të hapë rrugën për një marrëveshje formale, e cila do t'i lejojë kryeministres Giorgia Meloni të heqë dorë nga kërcënimi me një taksë të papritur ndaj ofruesve të pagesave si Nexi, Mastercard dhe Visa.

Ekspertë të përfshirë në këtë cështje u shprehën se palët kishin finalizuar kushtet e një Memorandumi Mirëkuptimi muajin e kaluar, por firmat financiare ishin të shqetësuara për rrezikun e gjobave të ardhshme për shkak të shkeljeve të ligjit të konkurrencës. Si rezultat, Thesari kërkoi një opinion nga autoriteti i konkurencës.

Duke iu përgjigjur ministrisë këtë javë, ai tha se nuk gjeti "ndonjë kritikë të veçantë" në memorandumin e propozuar, i cili i la autonomi të plotë secilit operator të tregut në përcaktimin e tarifave të transaksionit.

Italia vendosi në fund të vitit 2022 se do të ndërmjetësonte një marrëveshje për të ulur tarifat e ngarkuara nga firmat financiare për transaksionet elektronike me vlerë deri në 30 euro për bizneset më të vogla me të ardhura vjetore deri në 400 mijë euro.

Për të inkurajuar negociatat, Roma vendosi një dispozitë në buxhetin e këtij viti për një taksë deri në 50% mbi të ardhurat neto nga ato transaksione, në mungesë të një marrëveshjeje.

Memorandumi i Mirëkuptimit, inkurajon kompanitë financiare të nisin iniciativa tregtare konkurruese për pagesat që nuk i kalojnë 30 euro.

“Ofertat tregtare duhet të jenë dukshëm konkurruese të paktën për transaksione me vlerë deri në 10 euro, duhet të reklamohen për të paktën gjashtë muaj dhe të kenë një kohëzgjatje jo më pak se nëntë muaj”, thuhet në marrëveshjen e arritur, efektiviteti i të cilit është i kufizuar në 12 muaj.

Me shumicën e transaksioneve tregtare nga ofruesit e pagesave tashmë pa pagesë për blerje deri në 10 euro, marrëveshja nuk do të ndryshonte ndjeshëm status quo-në, por ajo heq presionin nga qeveria.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat