Shqipëria Postuar më 30 Nëntor 2023, 11:55

Individët i qëndrojnë larg huave në euro - Fundviti përmirëson kredinë për ekonominë. Arrin 730.3 miliardë lekë në tetor

Nga SCAN TV

Pas një stanjacioni që prej muajve të verës, kredia për ekonominë ka përshpejtuar ritmet e rritjes, veçanërisht në tetor. Sipas të dhënave të sapopublikuara nga Banka e Shqipërisë, totali i kredisë për ekonominë në muajin tetor rezulton 730.3 miliardë lekë, nga 725,2 miliardë në shtator. Në bazë vjetore, totali i kredisë për ekonominë rezulton 1.1% më i lartë se tetori i vitit të shkuar, kur ajo ishte në nivelin 722.3 miliardë lekë.

Sa i përket sektorit privat, bie në sy se biznesi ka rritur kredimarrien në tetor, si në lekë ashtu edhe në monedhën e përbashkët evropiane, ndërkohë që rritja e kredisë për individët ka ardhur nga huamarrja në lekë, ndërkohë që tkurrje kanë pësuar huatë në valutë.

Huaja për biznesin, është rritur nga 407,6 miliardë lekë në shtator, në 412 miliardë në fund të tetorit. Rritje që ka qenë e ngjashme për të dyja monedhat, si lekun ashtu edhe euron, ndërkohë që mbetet gjithsesi larg niveleve të një viti më parë. Në tetorin e vitit të shkuar, huaja për korporatat jofinanciare publike ishte 422,5 miliardë lekë.

Ajo që bie në sy për muajin tetor është se rritja e volumit të kredive për individët nga 266,6 miliardë në shtator, në 267,9 miliardë në tetor, vjen vetëm nga huatë në lekë, ndërkohë që ato në euro kanë shënuar tkurrje të ndjeshme.

Më specifikisht, huatë në lekë për individët kanë ardhur në rritje 183,9 miliardë lekë në tetor nga 181,3 në shtator. Ndërkohë që kreditë në euro për kategorinë e individëve janë tkurrur nga 84,9 miliardë në shtator, në 83,6 miliardë në fund të tetorit. Totali aktual është shumë më i ulët nga ai i muajve të mëparshëm të vitit, kur kredia në euro e individëve, veçanërisht ajo për blerje banesash, 88 apo 90 miliardë lekë.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat