Rajoni Postuar më 15 Mars 2023, 09:47

Greqia në protesta masive ndaj sistemit politik!

Nga SCAN TV
Greqia në protesta masive ndaj sistemit politik!

"57 të vdekur" është shkruar me ngjyrë të kuqe tek letra që një demostruese ka ngjitur në pulovër. Të gjithë në Selanik, qytetin e dytë për nga madhësia të Greqisë, e dinë për çfarë bëhet fjalë: 57 është numri i njerëzve të vrarë gjatë përplasjes shkatërrimtare të trenave që ndodhi mbrëmjen e 28 shkurtit, kur lokomotivat e dy trenave që udhëtonin me shpejtësi të madhe u përplasën në rrethinat e fshatit Tempi, që ndodhet pranë qytetit Larisa.

Gruaja 58-vjeçare, me letrën në pulovër është një nga qindra-mijëra protestuesit në Greqi, që dolën në rrugë për të shfryrë zemërimin në rrugët e më shumë se 50 qyteteve të mëdha dhe të vogla në gjithë vendin. Për këtë grua dhe 20 mijë njerëzit e tjerë që mbushën qendrën e Selanikut, kjo tragjedi tregon për një dështim të plotë politik.

Në mediat greke shfaqet pothuajse përditë një zbulim i ri që hedh dritë mbi gjendjen katastrofike të sistemit hekurudhor.

Gazeta konservatore Kathimerini shkruan për gabime të bëra në kuadër të modernizimit të sistemit të sinjaleve dhe sistemit të vënies në punë, gabime që njihen që nga viti 2018. Me sistemet moderne të sigurisë, të instaluara prej kohësh në segmentin ku ndodhi përplasja, por të pa vënë ende në punë, dallohen dhe mënjanohen gabimet e bëra nga njeriu. Kathimerini nxjerr si përfundim, se nëse sistemi do ishte zbatuar si duhet "nuk do të kishte pasur sot të vdekur” dhe se "qeveritë e njëpasnjëshme kanë qenë njësoj indiferente ndaj këtij problemi”.

Se kur do të zhvillohen zgjedhjet e radhës është ende e paqartë. Mbasi u fol fillimisht për t'i mbajtur më 9 prill, tani pritet më shumë që të mbahen më 21 maj ose më 2 korrik. Në sondazhet e para të zhvilluara pas përplasjes së trenave, partia e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka humbur 3%, duke rënë nën nivelin e 30 %.

Partia SYRIZA, e drejtuar nga Aleksis Tsipras nuk përfiton nga kjo humbje dhe vazhdon të mbesë tek 25 %. Volfango Pikoli, këshilltar politik në menaxhimin e rreziqeve dhe krizave, mendon se Mitsotakis e ka humbur besueshmërinë: "Qeveria ka reaguar që nga fillimi keq në këtë krizë, duke thënë se shkaku i aksidentit kishte të bënte me gabime njerëzore. Pastaj dha dorëheqjen ministri i Transportit, por asgjë më shumë se kaq nuk ka ndodhur. Unë mendoj se qeveria e ka vlerësuar gabimisht perceptimin publik.”

E . S / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat