Europa Postuar më 27 Korrik 2022, 10:01

Gjermania kërkon punëtorë nga vendet e treta - Duhet që çdo vit në Gjermani të vijnë 400 mijë emigrantë për të zgjidhur çështjen!

Nga SCAN TV
Gjermania kërkon punëtorë nga vendet e treta - Duhet që

Mungesa e punëtorëve në Gjermani është në rritje si në industri, ashtu edhe në zejtari ose në kujdesin shëndetësor. Marrja e forcave të specializuara nga jashtë nuk po funksionon. Pritet reforimi ligji të migracionit.

Në një sondazh të bërë nga Dhoma gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, e cila përfaqëson interesat e miliona ndërmarrjeve nga industria, tregtia dhe shërbimet, 56 për qind e ndërmarrjeve ankohen për mungesën e punëtorëve dhe e quajnë këtë mungesë si një nga rreziqet më të mëdha për biznesin.

Agjencia Federale e Punës ka radhitur aktualisht mungesë fuqie punëtore në 148 profesione ndërsa 122 profesione të tjera ndodhen nën vëzhgim. Tetë muaj zgjat mesatarisht deri sa një strehimore të moshuarish të gjejë një punonjës kujdestar për shëndetin ndërsa firmat e ndërtimit duhet të llogarisin pritje gjashtë mujore deri sa të gjejnë një punëtor ndërtimi. Në të gjithë Gjermaninë janë shpallur vakant 1.7 milionë vende pune.

Ndryshimet  demografike në vend kanë filluar të ndihen pasi Gjermania po humbet çdo vit rreth 350 mijë vetë që janë në moshë pune. Ndërkohë që njerëzit e lindur në vitet me nivel të lartë lindjesh, fillojnë të dalin në pension. Ekspertët llogarisin që deri në vitin 2035, tregu i punës të ketë në dispozicion rreth shtatë milionë vetë më pak.

Kjo nuk është një mangësi e vogël, por është një mungesë e madhe. Para së gjithash, sepse nuk mund të plotësohet as nga fuqia punëtore e punës që ndodhet në vend dhe as nga ardhjet e punëtorëve nga Bashkimi Europian. Sipas studiuesve të tregut të punës numri i emigrantëve nga vendet e BE-së është vazhdimisht në rënie.

Për të zgjidhur çështjen e mungesës aktuale në tregun e punës, duhet që çdo vit në Gjermani të vijnë 400 mijë emigrantë, që edhe të qëndrojnë. Ata duhet të jenë njerëz nga të ashtuquajturat vende të treta jashtë Bashkimit Europian. Që prej vitit 2012 forcat akademike kanë pasur mundësi të vijnë në Gjermani nëpërmjet Kartës Blu të BE-së. Përveç kësaj në vitin 2020 hyri në fuqi ligji për migrimin e forcave të specializuara (FEG), që kishte të bënte me profesionet jo-akademike. Por ai nuk pati efektin e shpresuar, dhe kjo jo vetëm sepse ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Gjermani shpesh e kanë të vështirë të marrin forca të huaja të specializuara. Në vitin 2020 në Gjermani erdhën nga vendet e tjera 30 mijë forca të specializuara, ndërkohë që nga Gjermania u larguan 20 mijë vetë.

Qeveria gjermane kërkon të reformojë ligjin dhe të prezantojë në muajin shtator pikat e para të ndryshimeve. Këtu bëjnë pjesë hapja e tregut të punës edhe për forcat e specializuara që kanë një kontratë pune, por nuk kanë diplomë shkolle profesionale në Gjermani. Këtë e bëri të ditur para pak kohe ministrja e Brendshme, Nancy Faeser dhe ministri i Punës, Hubertus Heil. Diploma profesionale mund të merret më vonë edhe me ndihmën e punëdhënësit gjerman.

E . S / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat