Bota Postuar më 28 Gusht 2023, 13:42

Gazi amerikan zëvendëson atë rus - Planet e SHBA shpalosen në samitin e G7 në Japoni

Nga SCAN TV
Gazi amerikan zëvendëson atë rus - Planet e SHBA shpalosen

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Kevin McCarthy u shpreh se ka në plan të promovojë eksportet e gazit natyror të SHBA në një takim me homologët e tij të G7 në Japoni.

McCarthy tha se takimi i kryetarëve të parlamenteve të vendeve të G7 do të ketë si temë kryesore diksutimi politikën energjetike, në kontekstin e përpjekjeve të Europës për të hequr dorë nga varësia nga gazi rus si reagim ndaj pushtimit të Ukrainës vitin e kaluar. McCarthy theksoi se nëse gazi natyror rus zëvendësohet me atë amerikan, vetëm në Europë për një vit, do të reduktohen 218 miliardë ton emetim CO2 sepse gazi natyror amerikan është më i pastër: Amerika do të ishte ekonomikisht më e fortë, çmimet tona do të ishin më të ulëta dhe bota do të ishte më e sigurt,” shtoi ai.

Blloku vitin e kaluar importoi 56 miliardë metra kub gaz natyror të lëngshëm të SHBA-së, më shumë se dyfishi i nivelit të një viti më parë. SHBA-të u zotuan se do të dërgojnë "të paktën 50 miliardë metra kub gaz në Europë këtë vit.

Gazi natyror amerikan ishte vendimtar në shmangien e një emergjence energjetike dimërore pasi Rusia ndaloi furnizimet e saj të gazit natyror. Para nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia përbënte mbi 40 % të kërkesës së BE-së për gaz, por tani kjo ka rënë në rreth 12 %.

BE-ja ka regjistruar rënie të vazhdueshme të çmimeve të gazit falë rritjes së furnizimeve jo-ruse, një dimri më të ngrohtë se sa pritej dhe uljes së kërkesës. Sfida tani është që të mbushen depozitat e gazit të bllokut përpara fillimit të sezonit të ardhshëm të ngrohjes dimërore.

Nëse flitet për kërkesën globale, Amerika e Veriut është tregu kryesor, duke zënë rreth 26 %, me vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kontribuojnë 21 %. Megjithatë, ndryshe nga Azia Paqësori – tregu i dytë më i madh, që përbën 23 % të kërkesës globale - duke përfshirë mbi 9% nga Kina, Amerika e Veriut është një eksportues neto.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat