Bota Postuar më 12 Prill 2023, 10:31

FMN: Ulet rritja globale, por shmanget recesioni - Viti 2023 do të shënojë një rritje deri në 2.8%

Nga SCAN TV
FMN: Ulet rritja globale, por shmanget recesioni - Viti 2023 do të

Viti 2023 do të shoqërohet nga një rritje globale deri në 2.8% duke bërë të mundur shmangien e recesionit sidomos në rajonet kryesore ekonomike. Është ky parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar që konfirmoi reduktimin e perspektivave të ekonomisë botërore për shkak të inflacionit të lartë

Fondi monetar ndërkombëtar rivlerësoi në rënie parashikimet për rritjen gjatë 2023-shit, por pret që rajonet kryesore ekonomike të shmangin recesionin. Perspektivat e ekonomisë botërore për këtë vit janë pakësuar për shkak të inflacionit të lartë, rritjen e normave të interesit dhe pasigurive që vijnë nga falimentimi i dy bankave të mëdha amerikane. Këto janë dhe arsyet kryesore sipas FMN-së.

Instituti parashikon aktualisht një rritje globale prej 2.8%, në rënie të lehtë në krahasim me parashikimin e janarit – minus 0.1 pikë përqindjeje; dhe me 3% në vitin 2024. Përmirësohen ndjeshëm nga ana tjetër parashikimet për sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ekonomia pritet të shënojë një rritje prej 1.6% gjatë këtij viti, dhe 1.1 % në vitin 2024.

FMN pranoi se mundësia e një "uljeje të vështirë", në të cilën rritja e normave të interesit dobëson rritjen, mjaftueshëm për të shkaktuar një recesion, ishte "rritur ndjeshëm", veçanërisht në vendet më të pasura të botës.

FMN, një organizatë prej 190 vendeve huadhënëse, parashikon inflacion global prej 7% këtë vit, nga 8.7% në 2022, por në rritje nga parashikimi i janarit prej 6.6% për vitin 2023.

Fondi parashikon një shans 25% që rritja globale të bjerë nën 2% në 2023. Kjo ka ndodhur vetëm pesë herë që nga viti 1970, më së fundi kur Covid-19 prishi tregtinë globale në 2020. Ai gjithashtu parashikon një shans 15% për një "të madh skenar negativ", i shoqëruar shpesh me një recesion global, në të cilin prodhimi ekonomik global për person do të binte.

Për 20 vendet që përdorin euron, FMN pret një rritje të dobët prej 0.8%. Por edhe kjo shënon një përmirësim të lehtë krahasuar me parashikimin e janarit. Megjithëse Europa ka vuajtur nga ndërprerja e gazit natyror rus gjatë kohës së luftës, klima çuditërisht e ngrohtë ka reduktuar kërkesën për energji. Përveç kësaj, vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë më të shpejtë se sa pritej në furnizimin me gaz natyror në Europë për të zëvendësuar atë rus.

Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, pritet të rritet me 5.2% këtë vit, e pandryshuar nga parashikimi i janarit i FMN-së. Kina po rimëkëmbet pas përfundimit të një politike drakoniane zero-COVID që i kishte mbajtur njerëzit në shtëpi dhe frenonte aktivitetin ekonomik.

Në Mbretërinë e Bashkuar, ku inflacioni dyshifror po shtrëngon buxhetet e familjeve, ekonomia pritet të tkurret me 0.3% këtë vit. Por edhe ky është një përmirësim i rënies prej 0.6% që FMN kishte parashikuar për Britaninë në janar.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat