Europa Postuar më 6 Tetor 2023, 10:32

Firence nuk lejon më qiratë një ditore! - Të huajt nuk do kenë asnjë mundësi për apartamente të lira

Nga SCAN TV
Firence nuk lejon më qiratë një ditore! - Të huajt nuk do

Firence, një nga destinacionet turistike më të njohura në botë, ka ndaluar dhënien me qira të apartamenteve të reja afatshkurtra në qendrën historike të qytetit në platforma të tilla si Airbnb. Vendimi është një përpjekje e fundit nga autoritetet lokale për të ofruar më shumë hapësirë ​​jetese për banorët vendas.

Sipas rregullave të reja, pronarëve të apartamenteve që i kanë dhënë me qira turistëve si apartamente për ditën, u mundësohen disa lehtësira tatimore nëse heqin dorë nga mënyra e mëparshme e dhënies me qira të apartamenteve dhe kthehen në atë të zakonshme, afatgjatë.

Kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella, tha se bashkia vendosi të veprojë në këtë mënyrë për të rregulluar këtë pjesë të sektorit të pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave zyrtare në 2016-n ishin pak më pak se 6 mijë apartamente në Airbnb, sot janë gati 14.378, ndërsa qiratë mesatare mujore janë rritur me 42 %.

Sipas tij, 40 mijë banorët e Firences që jetojnë në qendër ankohen se ndihen sikur nuk jetojnë në shtëpi apo apartament, por në një hotel, bujtinë apo kompleks apartamentesh.

Ashtu si në vendet e tjera europiane, një kombinim i pagave të ulëta, mungesa e pronave, qiratë e pushimeve afatshkurtra dhe inflacioni i lartë kanë nxitur krizën e strehimit në Itali, e cila ka goditur veçanërisht punëtorët dhe studentët. Probleme të ngjashme vazhdojnë të ekzistojnë me Nju Jorkun dhe shtrëngimin e rregulloreve për qiratë afatshkurtra.

Shoqata e sipërmarrësve që marrin me qira pasuri të paluajtshme për turistët, u shpreh se rregulloret e reja janë krejtësisht të gabuara dhe bien ndesh me logjikën e tregut.

Qeveria qendrore në Romë po punon për një projektligj që, sipas raportimeve të mediave, do të kërkonte një qëndrim minimal prej dy netë në qendrat historike të qyteteve dhe komunat me një numër të madh turistësh. Çdo akomodim që u jepet me qira turistëve duhet të ketë një kod kombëtar identifikimi për të ndihmuar në gjurmimin dhe rregullimin. Ata që nuk respektojnë rregullat e reja rrezikojnë një gjobë deri në 5 mijë euro.

Dorina Kurtaj/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat