Bota Postuar më 20 Qershor 2022, 10:37

Euro, e qëndrueshme në mbi 1.05 dollarë - Humbja e Macron në zgjedhjet legjislative nuk ndikon monedhën

Nga SCAN TV

Euro po qëndron në rritje të lehtë përballë dollarit amerikan, në sesionin e parë të kësaj jave, ndërsa tregu po tenton stabilizimin pas një javë shumë të paqëndrueshme, si pasojë e shtrëngimit të politikave monetare nga bankat qëndrore më të mëdha në botë.

Ndërkohë, jeni japonez po tregtohet në nivelin më të ulët në 24 vitet e fundit përballë dollarit amerikan, pasi Banka e Japonisë njoftoi se do të vijojë me politikën monetare ultralehtësuese, pavarësisht se shumica e bankave të tjera po bëjnë të kundërtën, si pasojë e inflacionit të lartë. Monedha europiane, euro, vijon të tregtohet e qëndrueshme, pavarësisht se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, humbi shumicën absolute në zgjedhjet legjislative të fundjavës.

Sipas analistëve, humbja e kontrollit në Asamblenë Kombëtare mund ta çojë ekonominë e dytë më të madhe në Europë drejt një paralize politike. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, po tregtohet në rreth 104.7, shumë pranë nivelit më të lartë në 2 dekadat e fundit.

Në tregun e kriptovalutave, vijon tendenca në rënie, me bitcoin që po tregtohet në rreth 20 mijë dollarë, ndërsa gjatë fundjavës preku nivelin më të ulët që nga fundi i vitit 2020 prej 17 mijë e 500 dollarë. Ethereum po tregtohet në rreth 1 mijë e 80 dollarë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat