Bota Postuar më 20 Qershor 2022, 10:35

Nafta, e qëndrueshme pranë 113 dollarë - Javën e kaluar Brenti i Londrës ra me mbi 7%, shqetëson ngadalësimi i kërkesës

Nga SCAN TV

Nafta po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, por të premten e javës së kaluar ra ndjeshëm duke humbur rreth 5 dollarë. Në treg vijon të ekzistojë shqetësimi për ngadalësimin e ekonomisë globale, që për rrjedhojë do të dëmtojë edhe kërkesën për naftë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 113 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë javës së kaluar humbi 7.3% të vlerës, rënia e parë javore në 5 javët e fundit.

Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 109 dollarë për fuçi, ndërsa javën e kaluar ra me 9.2%. Gjithsesi, humbjet po kufizohet nga rënia e eksporteve të naftës nga Rusia, që është eksportuesja e dytë më e madhe e naftës në botë. Por, kjo mungesë në treg është zgjidhur pjesërisht pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë vende të tjera të zhvilluara kanë hedhur në treg naftë nga rezervat strategjike dhe njëkohësisht po përpiqen të gjejnë klientë të rinj.

Ndërkohë, në Libi prodhimi vijon të jetë i paqëndrueshëm për shkak të krizës politike në vend. Ministri i naftës, Mohamed Oun, deklaroi për Reuters se prodhimi total i Libisë është rreth 700 mijë fuçi në ditë, në rënie me rreth 150 mijë fuçi në ditë, krahasuar me kuotat normale.

Presioni më i madh mbi çmimet po vjen nga Kina, ku eksportet vijojnë rënien me hapa të shpejtë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit maj, eksportet e benzinës ranë me 45.5%, ndërsa eksportet e naftës së përpunuar ranë me 92.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat