Analiza Postuar më 8 Korrik 2026, 13:36

Inflacioni, mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë/ Në qershor arriti në 3.2%, i nxitur nga ushqimet dhe qiratë

Nga Xhorxhina Deda

Inflacioni, mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë/ Në

Inflacioni në Shqipëri u ngjit në qershor mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke rihapur vëmendjen te ecuria e çmimeve dhe te hapësira e politikës monetare për muajt në vijim.

Sipas të dhënave të INSTAT, norma vjetore e inflacionit, e matur përmes Indeksit të Çmimeve të Konsumit, arriti në 3.2% në qershor 2026, nga 2.4% në të njëjtin muaj të një viti më parë. Krahasuar me majin, çmimet e konsumit shënuan një ulje të lehtë prej 0.1%, por në bazë vjetore inflacioni tashmë ka kaluar nivelin 3%, që është objektivi afatmesëm i Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë që nga fillimi i vitit 2024.

Presioni kryesor ka ardhur nga dy zëra bazë të shportës së konsumit që janë ushqimet dhe qiratë. Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha ndikimin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve, me +1.02 pikë përqindje, ndërsa grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” kontribuoi me +0.96 pikë përqindje.

Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e inflacionit të qershorit është ushqyer nga produktet e përditshme dhe kostot e banimit, dy kategori që prekin drejtpërdrejt buxhetet familjare. Edhe transporti dha një kontribut pozitiv në inflacion, me +0.21 pikë përqindje, ndërsa restorantet, shërbimet e akomodimit dhe pajisjet e shtëpisë ndikuan me nga +0.19 pikë përqindje secila.

Nga ana tjetër, e vetmja kategori që uli lehtë inflacionin ishte grupi “Veshje dhe këpucë”, me ndikim -0.03 pikë përqindje. Në terma vjetorë, çmimet e këtij grupi ranë me 0.9%.

Rritja më e fortë vjetore e çmimeve u regjistrua te “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 6.1%, pasuar nga “Sigurime dhe shërbime financiare” me 5.1% dhe “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4.8%. Ushqimet, ndonëse nuk patën rritjen më të lartë në përqindje, peshojnë më shumë në shportën e konsumit dhe për këtë arsye dhanë ndikimin më të madh në inflacionin total.

Ecuria e qershorit vjen në një moment kur norma bazë e interesit e Bankës së Shqipërisë qëndron në 2.5%, pas uljes së bërë në korrik 2025. Kjo do të thotë se inflacioni aktual është tashmë më i lartë jo vetëm se objektivi 3%, por edhe se norma bazë e interesit, një zhvillim që e vendos politikën monetare përballë një ekuilibri më delikat mes mbështetjes së ekonomisë dhe kontrollit të çmimeve.

Në bazë mujore, çmimet ranë lehtë kryesisht për shkak të transportit, ku u shënua ulje prej 4.0% krahasuar me majin. Megjithatë, kjo rënie nuk mjaftoi për të zbutur presionin vjetor, pasi kostot e ushqimeve, qirave dhe shërbimeve vijojnë të mbajnë inflacionin mbi nivelin e synuar nga banka qendrore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat