Shqipëria Postuar më 8 Korrik 2026, 13:11

“Forcimi i lekut solli ngadalësimin e rritjes së çmimeve” - Sejko: BSH forcoi stabilitetin monetar e financiar. Kredia për prona, nën monitorim

Nga Ledina Elezi

“Forcimi i lekut solli ngadalësimin e rritjes së

Banka e Shqipërisë do të vijojë të monitorojë rritjen e kredisë për pasuri të paluajtshme, kreditimin në valutë, përqendrimet sektoriale, cilësinë e kolateralit dhe balancën midis afateve të aktiveve dhe detyrimeve të bankave.

Teksa ka raportuar për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Guvernatori Gent Sejko ka thënë se BSH, forcoi stabilitetin monetar e financiar.

Ndërkohë, sa i përket kreditimit për pasuri të paluajtshme, ai ka theksuar se Banka ka forcuar mbledhjen e të dhënave për kreditë për banesa.

“Banka e Shqipërisë e ka trajtuar rritjen e kredisë për pasuri të paluajtshme si burim të mundshëm rreziku për stabilitetin financiar. Kur çmimet e pronave rriten shpejt, bankat dhe huamarrësit mund të bëhen më pak të kujdesshëm; kur cikli kthehet, humbjet shfaqen shpejt. Për këtë arsye, Banka ka forcuar mbledhjen dhe analizën e të dhënave për kreditë për banesa, prona tregtare, ndërtues dhe projekte imobiliare. Në maj 2025, Banka e Shqipërisë miratoi kufij të sipërm për dy tregues kryesorë: madhësinë e kredisë në raport me vlerën e pronës dhe peshën e këstit mujor në raport me të ardhurat e huamarrësit”, tha Guvernatori.

Lidhur me kursin e këmbimit, Guvernatori u shpreh se forcimi i lekut ka ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të rritjes së çmimeve. Banka e Shqipërisë ka rritur ndjeshëm vëmendjen mbikëqyrëse ndaj zyrave të këmbimit valutor, si një sektor me ekspozim të lartë ndaj rreziqeve që lidhen me qarkullimin e parasë fizike dhe me kontakt të drejtpërdrejtë me publikun.  Gjatë vitit 2025, janë kryer 27 inspektime, vendosur 201 gjoba dhe janë revokuar 80 licenca.    

“Që nga viti 2021, Leku është në një trend të shpejtë e të vazhduar forcimi ndaj Euros. Sipas analizave tona, ky trend është mbështetur nga rritja e të ardhurave nga turizmi, remitancat, investimet e huaja direkte, të ardhurat nga puna dhe përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë. Në ekonomi ka hyrë më shumë valutë dhe besimi ndaj Lekut është rritur. Forcimi i Lekut ka ndihmuar në uljen e inflacionit të importuar, duke bërë të mundur që rritja e çmimeve të ngadalësohet më shpejt dhe me më pak kosto për ekonominë”, u shpreh Sejko.

Për sa i takon rekomandimeve të tjera, ndër to edhe përafrimi me kuadrin e Bashkimit Evropian, Banka e Shqipërisë po çon përpara një paketë reformash ligjore, ku në qendër të saj është ligji i ri për bankat.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat