Analiza Postuar më 9 Shkurt 2026, 11:25

Indeksi I shteteve përgjegjës/ Ku renditet Shqipëria? Pozicionohemi përpara shumë ekonomive të zhvilluara dhe në krye të rajonit

Nga Eldiona Serani

Indeksi I shteteve përgjegjës/ Ku renditet Shqipëria?

Indeksi i Kombit Përgjegjës (Responsible Nation Index – RNI) 2026 përfaqëson një ndryshim thelbësor në mënyrën se si matet suksesi i një shteti në nivel global. Për dekada me radhë, treguesit ekonomikë, veçanërisht Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), kanë dominuar vlerësimin e progresit kombëtar. Megjithatë, kuadri i këtij indeksi, i zhvilluar përmes më shumë se tre viteve kërkimesh dhe analizash, argumenton se lidershipi i vërtetë i një vendi nuk matet vetëm me rritjen ekonomike, por me angazhimin konkret ndaj qytetarëve, mbrojtjen e mjedisit dhe përgjegjësinë ndaj komunitetit global.

Në këtë kontekst të ri vlerësimi, Shqipëria renditet në vendin e 18-të nga 154 vende në Responsible Nation Index 2026, duke shënuar një performancë shumë të mirë. Ky rezultat e vendos vendin tonë në grupin e vendeve me nivel të lartë përgjegjshmërie, përpara një sërë shtetesh me ekonomi më të zhvilluara dhe me peshë më të madhe financiare në botë.

Renditja e Shqipërisë sinjalizon se politikat që lidhen me mbrojtjen e qytetarëve, përkujdesjen sociale, ruajtjen e mjedisit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kanë prodhuar rezultate konkrete, pavarësisht sfidave strukturore dhe ekonomike që vendi vijon të përballet.

Nëse fokusohemi te rajoni i Ballkanit, Shqipëria paraqitet si vendi më i mirë i renditur, duke kryesuar listën rajonale në këtë indeks. Pas saj renditet Serbia, e cila mban vendin e 32-të me 0.53 pikë. Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 39-të, ndërsa Bosnje& Hercegovina pozicionohet shumë më poshtë, në vendin e 67-të.

Në krye të renditjes globale të Indeksit qëndron Singapori, i cili vlerësohet si shteti me performancën më të lartë në aspektin e përgjegjshmërisë kombëtare. Ai pasohet nga Zvicra dhe Danimarka, vende që prej vitesh njihen për institucione të forta, transparencë dhe politika të qëndrueshme sociale e mjedisore. Në anën tjetër të spektrit, në fund të renditjes paraqiten Sudani i Jugut, Siria dhe Republika e Afrikës Qendrore, vende të goditura nga konflikte, paqëndrueshmëri dhe mungesë institucionesh funksionale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat