Analiza Postuar më 18 Gusht 2026, 15:30

Cila lëndë “fundosi” më shumë maturantë? Matematika me më shumë mbetës, Gjuhë-Letërsia me vetëm 27 nota maksimale

Nga Xhorxhina Deda

Cila lëndë “fundosi” më shumë maturantë?

Provimet e Maturës Shtetërore janë prova e fundit që ndan bankat e gjimnazit nga auditorët e universitetit. Rezultatet e marra në matematikë, Gjuhë-Letërsi, gjuhë të huaj dhe në lëndën me zgjedhje nuk janë thjesht nota, por një nga elementët që peshojnë në garën për degën e preferuar dhe, në shumë raste, në drejtimin që do të marrë më pas rruga profesionale e maturantëve. Por sa mirë e kaluan këtë “urë” maturantët e vitit 2026? “Scan Intel” ka analizuar rezultatet e katër provimeve të maturës për të parë se ku janë shënuar rezultatet më të mira, në cilën lëndë janë regjistruar më shumë mbetës dhe ku nota 10 ka qenë më e rrallë.

Matematika ka rezultuar prova më e vështirë e Maturës Shtetërore 2026, të paktën referuar numrit të maturantëve mbetës dhe notës mesatare. Nga 25,051 maturantë që iu nënshtruan këtij provimi, 645 morën notën 4.00, ndërsa nota mesatare u ndal në 6.74, më e ulëta mes katër provimeve të maturës.

Të dhënat tregojnë se rreth 2.6% e maturantëve që dhanë matematikën nuk e kaluan provimin, një përqindje dukshëm më e lartë se në lëndët e tjera. Në Gjuhë-Letërsi, mbetësit përbënin rreth 1.3% të maturantëve, në gjuhën e huaj 1.5%, ndërsa në lëndët me zgjedhje më pak se 1%.

Në krahun tjetër të renditjes qëndrojnë pikërisht lëndët me zgjedhje. Nga 25,079 maturantë, vetëm 247 morën notën 4.00, duke e çuar kalueshmërinë në 99.02%, më të lartën mes të gjitha provimeve. Edhe nota mesatare, 7.73, ishte më e larta e Maturës 2026.

Rezultate të mira u regjistruan edhe në provimin e gjuhës së huaj. Mesatarja arriti në 7.68 dhe kalueshmëria në 98.53%. Nga 25,015 maturantë që iu nënshtruan provimit, 367 morën notën 4.00, ndërsa 135 siguruan notën maksimale.

Por një tjetër tregues që bie në sy vjen nga provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Megjithëse kalueshmëria ishte e lartë, në 98.70%, vetëm 27 nga 25,011 maturantë arritën të merrnin notën 10.00. Kjo do të thotë se vetëm rreth 0.1% e maturantëve siguruan rezultatin maksimal, përqindja më e ulët nga të katër provimet.

Në matematikë, pavarësisht numrit më të lartë të mbetësve, numri i notave maksimale ishte relativisht i lartë. Plot 241 maturantë morën notën 10, ose rreth 1% e atyre që iu nënshtruan provimit. Në lëndët me zgjedhje u regjistruan 232 nota maksimale, ose rreth 0.9% e totalit.

Nëse provimet renditen sipas notës mesatare, diferencat bëhen edhe më të qarta. Në krye janë lëndët me zgjedhje me 7.73, të ndjekura nga gjuha e huaj me 7.68 dhe Gjuhë-Letërsia me 7.26. Matematikës i mbetet vendi i fundit, me një mesatare prej vetëm 6.74.

Në total, në katër provimet e Maturës Shtetërore 2026 janë regjistruar 1,584 rezultate me notën 4.00 dhe 635 rezultate me notën maksimale 10.00. Këto shifra nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht po aq maturantë të ndryshëm, pasi i njëjti maturant mund të ketë marrë notën 4 ose 10 në më shumë se një provim.

Cila lëndë “fundosi” më shumë maturantë?

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat