Shqipëria Postuar më 22 Prill 2026, 10:35

Taksat, 10 milionë euro shtesë nga pagat dhe qiratë - 3 mujori/ Buxheti arkëtoi 218 milionë euro, shifër rekord në 10 vite

Nga Elisabeta Dosku

Taksat, 10 milionë euro shtesë nga pagat dhe qiratë - 3 mujori/

Në tre muajt e parë të vitit, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke reflektuar ndryshime të dukshme në tregun e punës, nivelin e pagave dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, qytetarët shqiptarë kanë kontribuar me rreth 21.8 miliardë lekë, ose afërsisht 218 milionë euro, në buxhetin e shtetit nga pagat dhe të ardhurat e tjera, përfshirë ato nga qiratë afatgjata dhe platformat e akomodimit si “Airbnb” dhe “Booking”.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat nga ky zë janë rritur me rreth 4.8 për qind, ose afro 10 milionë euro më shumë. Ndërsa vetëm gjatë muajit mars, arkëtimet arritën në rreth 88 milionë euro, duke konfirmuar një ecuri pozitive mujore.

Nëse shihen të dhënat ndër vite për tremujorin e parë, vihet re një rritje e vazhdueshme dhe e fortë, që ka çuar këtë zë në nivele rekord. Në një horizont më të gjerë kohor, të ardhurat janë rritur nga rreth 80 milionë euro në Janar-Mars 2016 në afro 218 milionë euro, një zgjerim prej 138 milionë eurosh në 3 mujorin e parë të  2026-ën,  ose 172.5 për qind në një dekadë.

Sipas administratës tatimore, kjo rritje lidhet ngushtë me përmirësimin e formalizimit në ekonomi dhe rritjen e deklarimit të të ardhurave. Fushatat kundër informalitetit, veçanërisht ato që synuan nën-deklarimin e pagave gjatë vitit 2025, duket se kanë ndikuar në ndryshimin e sjelljes së bizneseve.

Po ashtu, vendosja e pagave referencë në sektorë me nivel të lartë informaliteti, si turizmi, ndërtimi dhe shëndetësia, ka sjellë rritje të pagave të deklaruara dhe, për rrjedhojë, edhe të detyrimeve tatimore. Ndikim kanë pasur edhe rritjet e pagave në administratën publike gjatë dy viteve të fundit, si dhe rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë.

Një tjetër faktor që ka kontribuar është zgjerimi i tregut të qirave, sidomos atyre afatshkurtra të lidhura me zhvillimin e turizmit. Shtimi i pronave të listuara në platformat online ka rritur të ardhurat e individëve dhe njëkohësisht edhe nivelin e tatimit të paguar.  Në totalin e arkëtimeve nga TAP përfshihen edhe të ardhurat nga interesat bankare. Në total, gjatë vitit 2025, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në rreth 825 milionë euro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat