Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2025, 10:35

“Shteron” qumështi vendas, shtohet ai pluhur! - Në 5 muaj u importuan 6.5 milionë lekë më shumë

Nga Diamila Leka

“Shteron” qumështi vendas, shtohet ai pluhur! - Në 5 muaj

Në sofrën shqiptare, qumështi i freskët, nga ferma, me shijen e njohur të natyrës nga viti në vit po reduktohet. Statistikat e fundit tregojnë se prodhimi vendas i qumështit po shteron, ndërsa tregu po mbushet gjithnjë e më shumë me qumësht pluhur të importuar.

Në të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave, prodhimi i përgjithshëm i qumështit në Shqipëri ka rënë me 2.7%. Nga 900 mijë e 569 ton në vitin 2023, në vitin 2024, Statistikat përllogarisin 876 mijë 688 ton, një rënie që nuk kalon pa pasoja.

Por në mes të kësaj tkurrjeje, të njëjta të dhëna raportojnë se, lopët mbeten prodhuesit kryesorë, duke përbërë thuajse 85% të qumështit, ndërsa dhitë dhe delet japin përkatësisht 7.7% dhe 7.4%.

E ndërsa fermat prodhojnë më pak, magazinat doganore presin gjithnjë e më shumë qumësht pluhur të importuar. Vetëm në vitin 2024, Shqipëria importoi mbi 757 mijë kilogram qumësht pluhur, me një vlerë që arrin 195 milionë lekë.

Por çfarë thonë shifrat me periudhën janar-maj të këtij viti?

Në këtë periudhë janë importuar 250,393 kilogramë qumësht pluhur, ose 70.1 milionë lekë. Ndërsa në periudhën janar-maj të vitit të kaluar, janë importuar 242,494 kilogramë qumësht pluhur, ose 64.1 milionë lekë.

Por duke bërë përllogaritjet, në 5 mujorin e 2025, ka një rritje të qumështit pluhur me 7899 kilogramë më shumë, ose 6.5 milionë lekë më shumë, se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rritja është e dukshme edhe në analizën e këtij viti.

Kjo disbalancë mes asaj që prodhojmë dhe asaj që sjellim nga jashtë hedh dritë mbi një sektor që po përballet me sfida të mëdha si uljen e numrit të krerëve, kostot në rritje, mungesën e subvencioneve të qëndrueshme dhe braktisjen e bujqësisë nga të rinjtë.



Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat