Shqipëria Postuar më 8 Prill 2026, 10:28

Legalizimet, mbi 6,000 qytetarë mbyllin procesin në 3 muajt e parë - ASHK: Dokumentet e pronësisë, domosdoshmëri pas legalizimit

Nga Ernilda Luzi

Legalizimet, mbi 6,000 qytetarë mbyllin procesin në 3 muajt e

Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën të ditur se gjatë tre muajve të parë të këtij viti është shënuar një numër i konsiderueshëm qytetarësh që kanë përfunduar procesin e regjistrimit të vendimeve të legalizimit për objektet e tyre. Sipas të dhënave, 6117 qytetarë kanë regjistruar vendimin e legalizimit, duke u pajisur me dokumentacion të plotë pronësie dhe duke fituar siguri juridike mbi pronën e tyre.

Ky proces konsiderohet një hap i rëndësishëm për formalizimin e pronave dhe për garantimin e të drejtave ligjore të qytetarëve. Vetëm pas këtij hapi, ata mund të pajisen me dokumentet zyrtare si certifikata e pronësisë, kartela e pasurisë dhe fragmenti i hartës kadastrale, të cilat janë thelbësore për çdo veprim juridik mbi pronën.

Përmes regjistrimit të vendimit të legalizimit, pronarët fitojnë të drejtën për ta administruar atë në mënyrë të lirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, gjithashtu krijojnë mundësi për përdorimin e saj në funksione të ndryshme, si shitje, dhurim apo përdorim si kolateral për kredi.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që disponojnë një vendim legalizimi për objektet e tyre, të ndërmarrin hapat e nevojshëm për regjistrimin. Ky aplikim është i domosdoshëm për t’u pajisur me dokumentacionin e plotë të pronësisë.

Regjistrimi i vendimit të legalizimit përbën fazën përfundimtare të këtij procesi dhe është thelbësor për të garantuar në mënyrë të plotë dhe të pakontestueshme të drejtat e pronarëve mbi pasurinë e tyre. Për më tepër, ndihmon në uljen e informalitetit në tregun e pasurive të paluajtshme, kontribuon në rritjen e transparencës dhe sigurisë juridike në vend, si dhe në përmirësimin e administrimit të territorit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat