Shqipëria Postuar më 25 Mars 2025, 15:28

Diskutim Shqipëri-Itali mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet e fundit ekonomike!

Nga Hamit Yzeiraj

Diskutim Shqipëri-Itali mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në një takim zyrtar Ambasadorin e ri të Italisë në vendin tonë, SH.T.Z. Marco Alberti, me të cilin diskutoi mbi lidhjet dhe nismat që thellojnë partneritetin mes dy vendeve në shumë sektorë dhe zhvillimet aktuale ekonomike.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin me zhvillimet financiare në vend dhe në Eurozonë, duke analizuar ndikimet që ato kanë në ekonominë shqiptare. Ai shprehu gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të kontribuuar në mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme. Në këtë kuadër, ai vlerësoi si mjaft të rëndësishëm vazhdimin e reformave strukturore, të cilat do të ndikojnë në forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit.

Guvernatori shprehu mirënjohjen ndaj Bankës së Italisë për ndihmën dhe asistencën teknike të dhënë në fusha të ndryshme të bankingut qendror. Gjithashtu, ai u ndal në rëndësinë e hapjes zyrtare të negociatave për Grup-Kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), si një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit me BE-në.

Në 100-vjetorin e themelimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Guvernatori solli në vëmendje kontributin e vyer të Italisë për ngritjen e institucionit të parë bankar kombëtar, i cili zhvilloi politikën monetare dhe financiare të vendit. Gjatë këtyre 100 viteve, Banka e Shqipërisë ka kaluar nëpër sfida të ndryshme, nga ndryshimet ekonomike dhe politike deri te tranzicioni i tregut të lirë. Me një histori të pasur dhe një vizion të qartë për të ardhmen, Banka e Shqipërisë hyn në shekullin e saj të dytë si një institucion kyç në garantimin e stabilitetit ekonomik të vendit.

Nga ana e tij, Marco Alberti vlerësoi rolin që Banka e Shqipërisë ka luajtur në stabilitetin financiar dhe ndikimin pozitiv të politikës monetare në stabilitetin e çmimeve në vend. Masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar që Shqipëria të ketë një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon.

Gjithashtu, Ambasadori Alberti përgëzoi Guvernatorin Sejko për rritjen e vlerësimit për Shqipërinë nga Standard & Poor’s, duke konfirmuar një perspektivë "të qëndrueshme", vlerësim i cili vjen si rrjedhojë e performancës së qëndrueshme ekonomike gjatë viteve të fundit, dhe përmirëson imazhin e vendit tek investitorët e huaj. Më tej, Ambasadori uroi Guvernatorin për pranimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA nën udhëheqjen dhe koordinimin e Bankës së Shqipërisë, si pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Guvernatori u shpreh se një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë është modernizimi i sistemeve të pagesave, ku vlerësoi si mjaft frytdhënës bashkëpunimin e ngushtë me Bankën e Italisë dhe Bankën Qendrore Evropiane, i cili u kurorëzua me anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro.

Në përfundim, palët vlerësuan marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve si shembull të fortë të partneritetit afatgjatë dhe të qëndrueshëm në të gjitha fushat, duke theksuar njëkohësisht perspektivën e zgjerimit dhe zhvillimit të mëtejshëm, veçanërisht sa i përket bashkëpunimit ekonomik e tregtar.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat