Shqipëria Postuar më 9 Maj 2026, 11:04

Centralet e rinj prodhuan 2.43% të energjisë - ERE: Në vitin 2025 u shtuan 262 MW kapacitete, dominon energjia diellore

Nga Ola Mitre

Centralet e rinj prodhuan 2.43% të energjisë - ERE: Në vitin 2025

Rreth 262 MW kapacitete të reja nga burime të rinovueshme i janë shtuar sistemit elektroenergjetik shqiptar gjatë vitit 2025, ku dominon qartësisht energjia diellore, sipas të dhënave të raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë.

Të dhënat tregojnë se gjatë vitit që lamë pas kanë hyrë në prodhim gjithsej 21 impiante të reja, nga të cilat 13 janë centrale fotovoltaike dhe 8 hidrocentrale. Në total, kapaciteti i instaluar i shtuar arrin në 262 MW, ku 181.98 MW i përkasin energjisë diellore dhe 80.02 MW burimeve hidrike.

Sa i përket prodhimit, këto impiante kanë gjeneruar rreth 182,031 MWh energji elektrike gjatë vitit 2025, duke përbërë afërsisht 2.43% të prodhimit total vjetor të energjisë në vend.

Brenda sektorit fotovoltaik, kontributin më të madh e jep centrali “Sunny Side Energy”, me një prodhim prej rreth 48,919 MWh, i ndjekur nga “SPV Blue 2” me mbi 30 mijë MWh. Në total, centralet diellore të reja kanë prodhuar rreth 89,560 MWh gjatë vitit, duke konfirmuar rritjen e shpejtë të këtij segmenti në tregun energjetik shqiptar.

Ndërkohë, në sektorin hidroenergjetik, prodhimi total nga impiantet e reja arrin në rreth 92,471 MWh. Kontributin kryesor e japin hidrocentralet “Egantia Hydropower” dhe “M.C. Energji Gojan”, me mbi 42 mijë MWh dhe 32 mijë MWh respektivisht, duke mbajtur ende një peshë të rëndësishme në prodhimin vendas.

Raporti i ERE evidenton gjithashtu se fuqia e instaluar totale në sistemin e transmetimit për vitin 2025 ka arritur në rreth 2,905 MW, ndërsa prodhimi i përgjithshëm i energjisë elektrike në vend është rreth 6.4 mln MWh.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat