Shqipëria Postuar më 8 Maj 2026, 10:28

Anëtarësimi në BE, sa ka avancuar Shqipëria? - Mblidhet Këshilli i Integrimit/ Dhuka:  Kemi marrë 101 piketa mbyllëse

Nga Elisabeta Dosku

Anëtarësimi në BE, sa ka avancuar Shqipëria? - Mblidhet

Shqipëria po avancon me plotësimin e detyrave të lëna nga Komisioni Europian në kuadër të procesit të integrimit. 

Në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, deklaroi se pas çeljes së negociatave për anëtarësim, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, më të avancuar dhe më kërkuese të procesit integrues.  Sipas saj, kjo fazë vjen me sfida të reja për ekonominë dhe bizneset shqiptare.

“Kjo fazë vjen me mundësi për bizneset shqiptare dhe me mundësinë për të bërë biznes sipas standardeve të BE, prandaj do të kërkojnë investime dhe përshtatje me standardet, që të bëhemi pjesë e tregtisë, ekonomisë.”

Sipas Dhukës, sfida e radhës për Shqipërinë nuk është vetëm hapja e kapitujve të negociatave, por mbyllja e tyre me dinjitet. Kryenegociatorja bëri me dije se sa ka avancuar vendi në plotësimin e detyrave.

“101 piketa mbyllëse ka marrë Shqipëria. Aktualisht po punojmë intensivisht për mbylljen e 10 kapitujve që mbulojnë 27 piketa.   Po avancojmë me kapitullin 20, politika industriale, legjislacioni për industrinë, kapitulli 5 prokurimi publik.”

Sipas saj, integrimi europian është një projekt i përbashkët kombëtar, me synim përfshirjen e Shqipërisë në tregtinë, ekonominë dhe investimet europiane, si edhe garantimin e të drejtave, lirive dhe mbrojtjes sociale për qytetarët shqiptarë njësoj si qytetarët europianë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat