Shqipëria Postuar më 21 Prill 2026, 10:47

240 milionë euro më shumë në buxhetin e shtetit/ 3-mujori, rekord të ardhurash nga TVSH-ja

Nga Elisabeta Dosku

240 milionë euro më shumë në buxhetin e shtetit/  3-mujori,

Buxheti i shtetit ka arkëtuar afro 205.1 miliardë lekë në tre muajt e parë të vitit, rreth 24 miliardë lekë, apo 240 milionë euro më shumë se Janar-Mars të vitit të kaluar.

Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, rritja vlerësohet në 13.3 % më shumë, ndërsa realizimi në raport me planin është  105.8 %.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimet (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), u realizuan në shumën 77.7 miliardë lekë,  apo 7.1 miliardë lekë më shumë se tremujori i vitit 2025.  Ndërsa plani është tejkaluar me 2.2 miliardë lekë.

Ndër të hyrat tatimore, zëri më rritjen më të lartë është TVSH e arkëtuar (neto),  me 25.2 miliardë lekë, 4.1 miliardë lekë ose 19.4% më shumë se tremujori 2025, si dhe 3.4 miliardë lekë më shumë se plani. Ky zë lidhet drejtpërdrejt me konsumin, por gjatë kësaj periudhe duket se ka ndikuar ndjeshëm në këtë performancë, edhe rritja e çmimeve në vend, duke filluar nga karburantet dhe më pas zinxhiri ushqimor.

Nga tatimi mbi fitimin u mblodhën 19.6 miliardë lekë, 2.2 miliardë lekë ose 12.7% më shumë se tremujori i vitit 2025.

Performancë gjithashtu pozitive kanë pasur të ardhurat nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore,  nga të cilat u arkëtuan 48.3 miliardë lekë në 3 mujor, +4.6 miliardë lekë ose 10.5% më shumë se një vit më parë.

Nga tatimi mbi të ardhurat personale, u arkëtuan  21.8 miliardë lekë, 1 miliard lekë ose 4.8% më shumë se tremujori i vitit 2025 dhe nga taksat nacionale 11.2 miliardë lekë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), u realizuan në vlerën 52.9 miliardë lekë, ose 83 milionë lekë më shumë se tremujori i vitit 2025 dhe 95.4% në raport me planin.
Të ardhurat nga TVSH në import, u arkëtuan në vlerën  35.3 miliardë lekë dhe 95.4% e planit. Nga akcizat u arkëtuan 14.9 miliardë lekë, 2.5% më shumë se tremujori i vitit 2025, si 96.6% në raport me planin.
Nga renta minerare në eksport, u mblodhën 357 milionë lek dhe nga taksat doganore 2.2 miliardë lekë.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 3 mujore të vitit 2026, arritën në rreth 156 miliardë lekë, me një realizim në masën 92.9% e planit të periudhës dhe  8.7 miliardë lekë më shumë në krahasim me 3-mujorin 2025.

 

Shqipëria 21 Prill Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka regjistruar lëvizje të konsiderueshme të vlerës në raport me një ditë më parë teksa është blerë sot me 80.5 lekë dhe është shitur me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat