Shqipëria Postuar më 24 Mars 2026, 13:49

150 mijë lekë dëmi i paguar për një aksident - AMF: Kompanitë e sigurimit kompensuan mbi 8 miliardë lekë gjatë vitit 2025

Nga Ledina Elezi

150 mijë lekë dëmi i paguar për një aksident - AMF:

Kur ndodh një aksident me makinë apo një dëm i siguruar, pyetja që lind menjëherë është sa paguan realisht kompania e sigurimit?

Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), dëmi mesatar që paguhet për një aksident apo ngjarje të siguruar në sigurimet motorike është rreth 150 mijë lekë për rast. Kjo shumë përfaqëson kompensimin tipik që kompanitë e sigurimeve paguajnë për riparime apo dëme që lidhen me automjetet.

Megjithatë, shuma ndryshon në varësi të llojit të sigurimit. Për sigurimin Kasko, që mbulon dëmet e vetë mjetit, dëmi mesatar ka arritur rreth 119 mijë lekë për rast, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë. Ndërsa për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve brenda vendit, dëmi mesatar llogaritet rreth 146 mijë lekë.

Në total, për të gjitha llojet e sigurimeve, dëmi mesatar i paguar në treg rezulton rreth 103 mijë lekë për rast, pak më i ulët se një vit më parë.

Ndërkohë, nëse shohim totalin e pagesave, kompanitë e sigurimeve kanë paguar rreth 8.26 miliardë lekë dëme gjatë vitit 2025, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2024, kur pagesat arritën rreth 8.19 miliardë lekë. Pra, bëhet fjalë për një rritje shumë të lehtë prej rreth 0.8%.

Pjesa më e madhe e këtyre dëmshpërblimeve vjen nga sigurimet e jo-jetës, që përbëjnë mbi 96% të totalit, ndërsa sigurimet e jetës zënë vetëm një pjesë të vogël të tregut.

Sigurimi motorik mbetet segmenti kryesor i dëmshpërblimeve, për shkak të numrit të lartë të automjeteve dhe aksidenteve në qarkullim.

Pagesat e dëmeve nga kompanitë e sigurimit janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Nga rreth 3.6 miliardë lekë në vitin 2015, ato janë më shumë se dyfishuar, duke arritur mbi 8 miliardë lekë në vitin 2025.

Kjo tregon se roli i sigurimeve në mbrojtjen financiare të qytetarëve dhe bizneseve po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në ekonomi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat