Rajoni Postuar më 2 Janar 2026, 14:39

SHBA-ja ia zgjat licencën e punës NIS-it, afati shtyhet deri më 23 janar

Nga SCAN TV

SHBA-ja ia zgjat licencën e punës NIS-it, afati shtyhet deri më

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë zgjatur licencën për punë Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) deri më 23 janar, njoftoi ministrja e energjetikës së Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq. Që nga fillimi i tetorit, kompania më e madhe e naftës në Serbi, NIS, ndodhet nën sanksione të Zyrës për Kontrollin e Pasurisë së Huaj (OFAC) të Departamentit amerikan të Thesarit, për shkak të pronësisë shumicë ruse.

Për shkak të sanksioneve amerikane u ndërpre edhe transporti i naftës përmes naftësjellësit JANAF nga Omishlli deri në Pançevë, naftë e cila për në NIS dërgohet nga Kroacia me anije.

SHBA-ja insiston që kompanitë ruse të dalin nga pronësia e NIS-it, pjesa e të cilit aktualisht është 56.2%. Radiotelevizioni i Serbisë ka raportuar se deri më 23 janar mund të përfundojnë negociatat e aksionarëve rusë të NIS-it me kompaninë hungareze MOL. Qeveritarë serbë kishin bërë më parë me dije se këto negociata janë në zhvillim e sipër.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi më 19 dhjetor se Rusia “ka ide” se si dhe në çfarë drejtimi mund të zgjidhet çështja e Industrisë së Naftës së Serbisë dhe se një dialog i tillë me Serbinë është në zhvillim.

Qëllimi i sanksioneve ndaj NIS-it është të pengojë Rusinë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për të financuar pushtimin e Ukrainës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat