Bota Postuar më 2 Janar 2026, 11:42

Një botë në luftë - Konfliktet që “tronditën” globin në vitin 2025

Nga Kristi Ceta

Një botë në luftë - Konfliktet që

Vitet e fundit kanë shënuar një seri konfliktesh me intensitet të lartë dhe me ndikim të gjerë global. Në vitin 2025, luftërat në Ukrainë, Gaza dhe Sudan kanë hyrë secila në vitin e tretë ose të katërt, ndërsa bisedimet për paqe deri tani kanë dështuar. Këtë vit ka pasur gjithashtu një përshkallëzim të përplasjeve në Republikën Demokratike të Kongos, një konflikt të shkurtër midis Indisë dhe Pakistanit, si dhe zgjerimin e krizës më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Qindra mijëra njerëz janë vrarë në konfliktet e viteve 2020; miliona të tjerë janë plagosur, zhvendosur dhe keqtrajtuar, ndërsa disa rajone mund të mos rikuperohen kurrë plotësisht.

Shumë vende po shtojnë investimet dhe kapacitetet e tyre ushtarake, ndërsa efektet e këtyre luftërave mund të ndikojnë socialisht dhe ekonomikisht në të gjithë botën.

Lufta Rusi-Ukrainë

Lufta Rusi-Ukrainë, veçanërisht që nga pushtimi rus në shkurt 2022, është bërë konflikti më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Numri i viktimave nga të dyja palët mbetet i pasigurt, por burimet perëndimore besojnë se rreth 350,000 njerëz janë vrarë që nga viti 2022. Nga këta, rreth 250,000 janë ushtarë rusë, me disa qindra civilë të vrarë. Ndërsa viktimat ukrainase janë afërsisht 100,000 ushtarë dhe deri në 15,000 civilë.

Numri total i viktimave, duke përfshirë vdekje, plagosje, të zhdukur ose të kapur, është rreth një milion për Rusinë dhe gati 500,000 për Ukrainën. Për më tepër, mbi pesë milionë ukrainas jetojnë si refugjatë në vende të tjera, ndërsa afro katër milionë janë zhvendosur brenda vendit. Në fund të 2025, Rusia kontrollon rreth 20% të territoreve të njohura ndërkombëtarisht si ukrainase. Vlerësimet e dëmit ekonomik për Ukrainën arrijnë rreth 590 miliardë dollarë, që është trefishi i PBB-së së saj para luftës.

Viti 2025 filloi me shumë pasiguri për Ukrainën, për shkak të rizgjedhjes së Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara. Që nga marrja e detyrës në janar, mbështetja publike e Trump për Kievin dhe marrëdhënia e tij me Presidentin Volodymyr Zelenskyy kanë pësuar luhatje, sidomos pas takimit në Zyrën Ovale në shkurt. Ndërkohë, edhe dorëzimet e ndihmës ushtarake kanë hasur vonesa.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara mbeten mbështetësi më i madh ndërkombëtar i Ukrainës dhe priten të përfitojnë nga një marrëveshje afatgjatë për minerale dhe burime natyrore, që u nënshkrua në prill. Gjatë kësaj periudhe, aleatët e tjerë perëndimorë kanë shtuar mbështetjen ushtarake për Kievin; disa prej tyre kanë hequr kufizimet mbi armët që mund të përdorë vendi për të goditur Rusinë.

Negociatat për paqe kanë rifilluar me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Turqisë dhe Bashkimit Evropian, duke i fokusuar diskutimet në arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Disa propozime për kompromis përfshijnë shkëmbimin e territoreve dhe lehtësimin e sanksioneve, duke shfaqur mundësinë e një marrëveshjeje të pjesshme që mund të shërbejë si bazë për bisedime më të thella gjatë vitit 2026. Megjithatë, ekziston rreziku që përplasjet të rinisin nëse palët nuk respektojnë kushtet e armëpushimit.

Konflikti Izrael-Palestinë

Që nga fillimi i konfliktit, mbi 70,000 palestinezë dhe 1,700 izraelitë janë vrarë gjatë pushtimit 20-mujor të Rripit të Gazës nga Izraeli, sipas burimeve zyrtare izraelite dhe palestineze. Megjithatë, burime të tjera japin shifra të ndryshme dhe OKB beson se numri i viktimave në Gaza është shumë më i lartë. Mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur dhe statistikat nuk përfshijnë vdekjet nga shkaqe të parandalueshme si sëmundjet, kequshqyerja apo ndërprerja e shërbimeve shëndetësore.

Shkatërrimi dhe mungesa e ndihmave kanë nxitur një nga krizat më të mëdha humanitare të shkaktuara nga njeriu, në një prej zonave më të populluara të botës. Bllokada izraelite ka kufizuar ndjeshëm hyrjen e njerëzve dhe ndihmave. Mbi 90% e popullsisë është zhvendosur (shumë prej tyre disa herë), ndërsa e gjithë Gaza përballet me nivele të larta pasigurie ushqimore; gati një e katërta e banorëve janë në rrezik urie. Më shumë se 70% e ndërtesave, duke përfshirë 92% të banesave, janë shkatërruar ose dëmtuar, dhe mbi gjysma e spitaleve janë jashtë funksionit.

Ushtria e Izraelit (IDF) ka humbur rreth 425 ushtarë që nga tetori 2023, ndërsa pretendon se ka vrarë mbi 20,000 luftëtarë të Hamasit. Viti 2025 filloi me një armëpushim dymujor, në një marrëveshje që parashikonte lirimin e pengjeve izraelite me faza, në këmbim të lirimit të mijëra të burgosurve palestinezë dhe nisjes së bisedimeve për një armëpushim të përhershëm. Marrëveshja nuk arriti të kalonte fazën e parë dhe Izraeli rifilloi ofensivën më 18 mars.

Konflikti nuk është kufizuar vetëm në Gaza: në Bregun Perëndimor dhuna është rritur ndjeshëm që nga tetori 2023, duke shkaktuar mbi 1,000 viktima palestineze.

Më 10 tetor 2025, u nënshkrua një armëpushim që duhej t’i jepte fund konfliktit. Por dy muaj më vonë, Izraeli e ka shkelur marrëveshjen mbi 500 herë, duke vrarë të paktën 356 palestinezë dhe duke e çuar numrin total të viktimave në Gaza në mbi 70,000.

Lindja e Mesme

Përgjatë Lindjes së Mesme, mijëra njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë plagosur në përplasjet e Izraelit me Iranin, Libanin, Sirinë dhe Jemenin. Numri më i madh i viktimave është regjistruar në Liban, gjatë luftës së Izraelit me grupin e Hezbollahut, ku sulmet ndërkufitare shkaktuan qindra të vrarë dhe detyruan qindra mijëra persona të evakuohen nga të dyja palët.

Megjithatë, zhvillimi më i rëndësishëm i vitit 2025 në këtë rajon ka qenë lufta 12-ditore e Izraelit me Iranin. Më 13 qershor, Izraeli nisi një valë të papritur sulmesh ajrore, që goditën më tej mbrojtjen ajrore iraniane dhe vranë disa figura të rëndësishme ushtarake e politike. Sipas Tel Avivit, qëllimi ishte të pengonte Teheranin në zhvillimin e armëve bërthamore, edhe pse bisedimet Iran–SHBA për programin bërthamor iranian ishin planifikuar për në datën 15 qershor dhe më pas u anuluan.

Në ditët që pasuan, Izraeli dhe Irani shkëmbyen sulme të njëpasnjëshme ajrore; shifrat e viktimave mbeten të paqarta, por burime iraniane raportuan nga 600 deri në 1,000 të vrarë, ndërsa rreth 30 izraelitë humbën jetën dhe mijëra të tjerë u plagosën në të dyja anët. Shtetet e Bashkuara iu bashkuan sulmeve të Izraelit më 22 qershor, duke goditur tre objekte të rëndësishme bërthamore iraniane.

Sulmi ndaj qendrës kryesore të pasurimit të uraniumit në Fordow ishte veçanërisht i rëndësishëm, pasi objekti ndodhej thellë nëntokë, dhe besohet se vetëm SHBA ka armët me aftësitë e duhura për ta goditur. Megjithatë, ende nuk është e qartë se sa efektive ishin këto goditje ndaj programit bërthamor të Iranit.

Teherani u kundërpërgjigj duke sulmuar një bazë amerikane në Katar, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të konfliktit. Por një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit hyri në fuqi më 24 qershor dhe prej atëherë tensionet janë zbutur.

Lufta civile në Sudan

Lufta Civile në Sudan hyri në vitin e tretë në prill të 2025, dhe në numra absolutë, përbën krizën më të madhe humanitare në botë. Nuk ka një bilanc zyrtar të viktimave, por vlerësimet e funditvitit të kaluar flisnin për 150,000 civilë të vrarë, ndërsa numri total i viktimave në 2025 është pa dyshim shumë më i lartë. Më shumë se nëntë milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit që nga fillimi i luftimeve, ndërsa tre milionë të tjerë janë larguar drejt vendeve fqinje. Sudani ka një popullsi prej rreth 50 milionë banorësh, dhe rreth dy të tretat e tyre kanë nevojë për ndihmë. Sindikata e Mjekëve raportoi se 522,000 foshnja kishin vdekur për shkak të kequshqyerjes vetëm gjatë 18 muajve të parë të luftës.

Lufta nisi në prill 2023, kur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) u shkëputën nga Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF), që kishin udhëhequr qeverinë pas grushtit ushtarak të vitit 2021. Kjo është lufta e tretë civile në Sudan që pasi arriti pavarësinë nga Britania në vitin 1956.

Megjithëse bëhet fjalë për një luftë civile, aty janë përfshirë elementë të dukshëm ndërkombëtarë, me Libinë, Kenian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që mbështesin Forcat e Mbështetjes së Shpejtë. Kurse Egjipti, Turqia dhe Arabia Saudite përkrahin kundërshtarët.

Republika Demokratike e Kongos

Viti 2025 shënoi një përshkallëzim të konfliktit në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, një zonë e goditur nga dekada të tëra kryengritjesh, luftërash dhe paqëndrueshmërie. Mbi 7,000 persona humbën jetën si rezultat i drejtpërdrejtë i konfliktit vetëm gjatë janarit dhe shkurtit 2025, megjithatë përhapja e luftës dhe ndërprerja e ndihmës humanitare, furnizimeve me ushqim dhe shërbimeve shëndetësore i kanë shumëfishuar viktimat.

Faza e fundit e konfliktit në lindje të Kongos u përshkallëzua pas kryengritjes së M23 (Lëvizja e 23 Marsit) në 2022. Grupi mori qytetet kryesore Goma në janar 2025 dhe Bukavu pak më vonë. Sipas raporteve, Ruanda ka mbështetur M23-në me deri në 12,000 trupa, pavarësisht mohimeve. Përpjekjet e qeverisë së Kongos për të kundërshtuar janë penguar nga terreni dhe tërheqja e forcave rajonale të paqeruajtjes. Marrëveshjet e paqes dhe tregtisë midis Kongos dhe Ruandës, të ndërmjetësuara nga SHBA në muajin qershor, nuk përfshinin M23 dhe Aleancën e Lumit Kongo dhe nuk ofruan stabilitet në rajon. Një marrëveshje kornizë më e gjerë u nënshkrua në nëntor. Po ashtu, në fillim të dhjetorit, liderët e vendeve u takuan me Presidentin Trump në Uashington, ku premtuan se do të angazhoheshin për të zbatuar paktin.

Konflikti Indi-Pakistan

Një nga zhvillimet më shqetësuese të vitit ishte konflikti katërditor midis Indisë dhe Pakistanit në muajin maj. Që nga ndarja në vitin 1947, marrëdhëniet mes fqinjëve kanë qenë kryesisht armiqësore, me disa konflikte të shkurtra, kryesisht për rajonin e diskutueshëm të Kashmirit në veri. Të dy vendet janë fuqi bërthamore; India është vendi më i populluar në botë, ndërsa Pakistani renditet i pesti. Nju Delhi ka ushtrinë aktive të dytë më të madhe globale, kurse fqinji pozicionohet i shtati. Një luftë e plotë midis tyre do të kishte pa dyshim pasoja shkatërruese me ndikime globale.

Më 22 prill 2025, separatistët në Kashmirin e administruar nga India kryen një sulm terrorist, duke vrarë 26 civilë. Si përgjigje, më 7 maj, India nisi një valë sulmesh ndaj objektivave ushtarakë dhe paramilitarë në Pakistan, që u akuzuan për mbështetje të sulmit terrorist. Pakistani e mohoi këtë dhe përgatiti kundërsulmet. Gjatë katër ditëve në vijim, të dyja palët shkëmbyen një seri raketash, dronësh dhe përplasjesh tokësore, duke shkaktuar pothuajse 30 viktima në Indi (përveç sulmit të 22 prillit) dhe mbi 50 në Pakistan, me rreth 75 për qind viktima civile.

Një armëpushim u ra dakord më 10 maj dhe, pavarësisht disa shkeljeve ditën pasardhëse, marrëdhëniet ndërkufitare janë rikthyer në normat para konfliktit.

Lufta në Mianmar

Që nga viti 2021, lufta civile në Mianmar ka shkaktuar më shumë se 80,000 vdekje, mbi tre milionë të zhvendosur brenda vendit dhe një milion të tjerë që janë larguar jashtë shtetit. Mianmari ka rreth 55 milionë banorë dhe është një nga vendet më të varfra në Azi. Lufta përfshin më shumë se 1,600 grupe etnike dhe politike me synime të ndryshme, duke e bërë një nga konfliktet më të fragmentuara në botë. Forcat ushtarake Tatmadaw morën pushtetin me një grusht shteti në 2021, duke shkaktuar protesta masive dhe një përshkallëzim të luftës. Qeveria në mërgim mbështet kryesisht rebelët, ndërsa ushtria është akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë përdorimin e armëve kimike dhe dhunën seksuale.

Në vitet 2023 dhe 2024, kontrolli i ushtrisë mbi territorin e Mianmarit është zvogëluar ndjeshëm në vetëm një të pestën e vendit, por ajo mbetet forca më e madhe dhe kontrollon qytetet dhe portet kryesore. Ndikimi i Kinës në konflikt është rritur gradualisht, sidomos pranë kufirit. Besohet se Pekini mbështet forcat Tatmadaw për të frenuar destabilizimin e mëtejshëm të vendit.

Kryengritjet në Afrikën Sub-Sahariane

Në Afrikën Perëndimore, disa grupe islamiste janë aktive në Niger, Mali dhe Burkina Faso, duke përfshirë Nusrat al-Islam dhe Shtetin Islamik, me 14% të popullsisë së Malit të prekur nga konflikti. Të gjitha këto vende kanë kaluar përmes grushtesh shteti gjatë pesë viteve të fundit dhe qeveritë e reja bashkëpunojnë me grupin rus mercenar Wagner për të luftuar rebelët, por ende nuk kanë arritur stabilitet.

Ekziston frika se aktiviteti terrorist mund të përhapet edhe në vende të tjera si Gana, Bregu i Fildishtë dhe Benini. Liderët e rinj në këto shtete kanë larguar trupat franceze dhe amerikane, duke treguar një ndryshim të madh në politikën e tyre ndaj Perëndimit.

Në Nigerinë veriore, grupet islamiste si Boko Haram dhe Shteti Islamik vazhdojnë të shkaktojnë trazira, ndërsa ushtria nigeriane nuk ka arritur të vendosë rregull. Po ashtu, ushtria e Kamerunit po lufton separatistët anglofonë në verilindje të vendit, duke shkaktuar zhvendosjen e mbi 700,000 njerëzve.

Në Mozambik, Shteti Islamik është aktiv në verilindje që nga viti 2017 dhe situata u rëndua pas zgjedhjeve të kontestuara në tetor 2024, ku protestat u shtypën me dhunë, duke shkaktuar të paktën 250 viktima.

Cilat “vatra” rrezikojnë të shpërthejnë në vitin 2026?

Përveç vazhdimit të luftërave të këtij viti, ekziston një rrezik i lartë që disa rajone të përfshihen në konflikte të reja gjatë 2026. Një kombinim i tensioneve të pazgjidhura historike, rivaliteteve dhe ambicies territoriale e ka lënë botën në një gjendje të paqëndrueshme, ku çdo përplasje lokale mund të ketë pasoja botërore.

Kina kundër Tajvanit

Kina shpenzon rreth 12% të shpenzimeve ushtarake globale, ndërsa Tajvani vetëm 0.8%. Ndër vendet që janë në krah të Tajvanit, Shtetet e Bashkuara shpenzojnë 22.3%, Japonia 2.1% dhe Koreja e Jugut 2.2%. Liderët kinezë po vëzhgojnë luftën e Rusisë në Ukrainë për të nxjerrë mësime mbi vështirësitë e pushtimit. Por diferenca e madhe në kapacitetin ushtarak midis Pekinit dhe Tajvanit mund ta shtyjë superfuqinë aziatike të veprojë, nëse mbështetja amerikane për ishullin dobësohet. Deri tani, një bllokadë duket më e mundshme se një pushtim, megjithëse edhe ajo sjell rreziqe të mëdha, duke përfshirë ndërhyrjen ushtarake dhe hakmarrjen ekonomike nga SHBA dhe aleatët e saj.

India kundër Pakistanit

India ka rreth 180 raketa bërthamore, ndërsa Pakistani disponon 170 të tilla. India përbën 18% të popullsisë totale botërore, kurse fqinji vetëm 3%. Dy armiqtë e vjetër bërthamorë kanë reduktuar tensionet pas një përplasjeje vdekjeprurëse, por konflikti i tyre themelor mbetet i pazgjidhur. Në prill 2025, një sulm në Indi që vrau 26 turistë shkaktoi krizën më të madhe të viteve të fundit, para se të shpallej një armëpushim. Me një të pestën e popullsisë botërore midis tyre, ruajtja e paqes në 2026 nuk është detyrë e lehtë. Një faktor i jashtëm e vështirëson më tej situatën: Amerika, që shpesh ndërmjetëson mes tyre, ka ftohur marrëdhëniet me Indinë, duke nisur një luftë tarifore.

Rusia kundër Ukrainës

Vlerësohet se humbjet e Rusisë janë më të mëdha se ato të SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore. Forcat e saj kanë pushtuar vetëm 1.3% territor shtesë ukrainas që nga dhjetori 2022. Ky ritëm i ngadaltë sugjeron se 2026 mund të sjellë ose progres shumë të zvarritur, ose një lloj marrëveshjeje. Por edhe dy skenarë të tjerë janë të mundshëm: kolapsi i frontit ukrainas, i ndihmuar nga ndërhyrja e Kremlinit; ose falimentimi i ekonomisë ruse, si pasojë e sulmeve ajrore që ndalojnë industrinë e saj të naftës. Cilido prej këtyre skenarëve do të kishte pasoja të mëdha për Evropën dhe botën.

Izraeli kundër Hamasit

Rreth 78% e ndërtesave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar, dhe grumbullimi i rrënojave arrin në 61.5 milionë tonë. A do të zgjasë armëpushimi i brishtë? Gaza është shkatërruar, me dhjetëra mijëra të vrarë. Forcat izraelite kontrollojnë gjysmën e territorit, ndërsa Hamasi ende nuk është çarmatosur. Një rifillim i luftës nuk është i pamundur. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të fundit, të negociuar në tetor. Nëse formohet një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse, rindërtimi mund të fillojë në shkallë të gjerë dhe banorët e zhvendosur mund të kthehen në shtëpitë e mbetura. Rezultati më i mundshëm mbetet i njohur: një territor i ndarë, palestinezët që vuajnë pasojat dhe një pauzë paqësore që po zgjat…për momentin.

Kongo kundër Ruandës

Rreth 9.8 milionë persona janë zhvendosur për shkak të këtij konflikti. Kongo prodhon 76% të totalit botëror të kobaltit. Tensionet që zgjasin prej dekadash mbi pakënaqësitë etnike dhe pasuritë minerale të Kongos rrezikojnë të shpërthejnë në një luftë të plotë. Në vitin 2025, Ruanda armatosi, furnizoi dhe drejtoi rebelët teksa ata morën qytetin Goma në Kongo. Arsyet për konflikt përfshijnë arin, naftën, gazin dhe minerale të tjera si kobalti, të domosdoshëm për prodhimin e baterive.

Sudani

Në Sudan, 11.6 milionë persona janë zhvendosur brenda vendit dhe 2 milionë janë në rrezik urie. Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF) dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) vijojnë të jenë të përfshira në luftë të ashpër. Kriza më e madhe humanitare në Afrikë ka të ngjarë të vazhdojë, e nxitur nga mbështetja e Egjiptit për ushtrinë sudaneze dhe e Emirateve të Bashkuara Arabe për kundërshtarët. Për një ndërmjetësues ambicioz si Donald Trump, Sudani ofron ar, naftë dhe një vijë bregdetare strategjike, si dhe mundësinë për të përfunduar një nga konfliktet më vdekjeprurëse aktive në botë.

Venezuela

Venezuela pretendon 74% të territorit të Guajanës, ndërsa prodhimi vjetor i naftës arrin 903 milionë fuçi, krahasuar me 617 milionë fuçi të vendit fqinj. Me fokusin e rinovuar mbi sigurinë në këtë zonë, administrata Trump ka grumbulluar forca pranë Venezuelës, duke zgjeruar stërvitje ushtarake dhe duke goditur anije të vogla që, sipas amerikanëve, janë duke kontrabanduar drogë. Qëllimi final mund të jetë përfundimi i regjimit të presidentit venezuelian Nicolás Maduro. Sulmet ajrore amerikane janë më të mundshme sesa një pushtim tokësor. Kohët e fundit, Presidenti i Venezuelës ka ringritur pretendimin shekullor ndaj dy të tretave të territorit të Guajanës fqinje, një rajon i pasur me naftë.

Stabiliteti global do të mbetet i paqëndrueshëm në vitin 2026, duke përforcuar nevojën për ndërmjetësim dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Por paqja dhe qëndrueshmëria varen kryesisht nga interesat e fuqive të mëdha, që shpesh luajnë me “flakët” e konflikteve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Video